1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mogherini prezantohet në Berlin

Prej një jave është në detyrë e ngarkuara e re e BE-së me politikën e jashtme. Pritjet nga italiania janë të mëdha dhe sfidat gjigante. Në Berlin vizita e saj u prit me interes të madh.

Ata e thërrasin njëri-tjetrin miqësisht me emër: Frank dhe Federica. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Federica Mogherini njihen prej një kohe të gjatë. Italiania vetëm 41-vjeçare, e cila erdhi në Berlin për vizitën e saj prezantuese në detyrën e re, ka qenë më parë ministre e Jashtme e Italisë, gruaja më e re që e ka mbajtur ndonjëherë këtë post. Si e ngarkuara e re e BE-së me politikën e jashtme ajo pason britaniken Catherine Ashton, e cila vlerësohet me profil të zbehtë. Baronesha ishte e para që e mbajti postin e ri të Përfaqësuesit të Lartë të Unionit për Politikën e Jashtme. Ajo duhej t'i jepte politikës evropiane një fytyrë dhe një zë jashtë Unionit dhe në të njëjtën kohë të ngrinte një shërbim diplomatik evropian.

Udhëtimi i parë në Lindjen e Mesme

Mogherini u prezantua me vetëbesim në Berlin. Në forumin për politikë të jashtme të Fondacionit Körber ajo u prezantua në krah të Steinmeier për publikun. Mogherini për gazetarët se e kishte informuar ministrin e Jashtëm gjerman për udhëtimin e saj në Lindjen e Afërt. Ajo u shpreh "e trishtuar dhe e shqetësuar" për situatën shpërthyese mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ngjarjet e fundit "kanë treguar qartë se dhuna do të rikthehet nëse nuk ofrojmë një perspektivë politike, izraelitëve për të jetuar në siguri dhe palestinezëve për të jetuar në shtetin e tyre".

Frank-Walter Steinmeier und Federica Mogherini Berliner Forum Außenpolitik 11.11.2014

Frank-Walter Steinmeier dhe Federica Mogherini

Mogherini u përball me indinjatë në Jeruzalem pasi jo vetëm kishte kërkuar një shtet palestinez në krah të Izraelit, pozicion të cilin e mban prej kohësh BE, por veç kësaj tha që Jeruzalemi si kryeqytet të ndahet mes dy shteteve. Izraeli e ka aneksuar Jeruzalemin pas pushtimit në vitin 1967 dhe e ka shpallur me ligj "kryeqytetin e pandashëm të Izraelit". Javët e fundit në qytet ka vazhdimisht trazira mes izraelitëve dhe palestinezëve. Banorët palestinezë të qytetit, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë, kanë të drejta të kufizuara dhe po spostohen nga lagjet e tyre gjithnjë e më shumë për shkak të ndërtimeve të ngulimeve hebreje.

Politikë e jashtme evropiane në kohë krize

Por në Berlin Mogherini foli kryesisht për tiparet themelore të politikës së jashtme evropiane, për detyrat, objektivat dhe sfidat. "Jetojmë në kohë të vështira", tha ajo. "Nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku ka momentalisht më shumë kriza se përreth Evropës, qoftë në Ukrainë, në Lindjen e Afërt apo në Afrikë. "Këtu kërkohet Bashkimi Evropian. Eshtë detyra e tij dhe është në interesin evropian që të ndërhyjë në këto kriza për t'i zgjidhur në mënyrë paqësore. Bashkimi Evropian mund të jetë "global player" vetëm nëse ia del mbanë të zgjidhë konflikte si fuqi rajonale. Në këtë kontekst interesat e shteteve të veçanta evropiane janë të mbrojtura mirë në një politikë të jashtme të përbashkët dhe eficiente. "Ne kemi të njëjtat vlera dhe është e qartë që Evropa është e interesuar për paqe dhe stabilitet në kufijtë e saj." Ky unitet evropian mund të rrezatojë në rajonet në konflikt në kufijtë e Evropës për të çuar atje në marrëdhënie me të mira të shteteve me njëri-tjetrin.

Aspekt qendror për politikën e jashtme evropiane është edhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara. Ky megjithatë nuk duhet të kufizohet vetëm në bashkëpunimin ushtarak me NATO-n. "Duhet të ngremë marrëdhënie më politike dhe më të pjekura", theksoi Mogherini.

Vatra konflikti: Ukraina dhe Irani

Para së gjithash në konfliktin e Ukrainës është e rëndësishme që Evropa dhe SHBA të demonstrojnë unitet. Sanksionet e vendosura bashkarisht kanë treguar efekt dhe ekonomia ruse është prekur ndjeshëm, shtoi e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme. Në shumë intervista të mëparshme ajo kishte shprehur megjithatë dyshime për efektivitetin e sanksioneve dhe ishte kritikuar për këtë në medie. Në Berlin ajo deklaroi tani se diplomacia perëndimore paralelisht me sanksionet duhet të zhvillojë një strategji politike për të zgjidhur konfliktin mes Moskës dhe Kievit. "Objektivi ynë nuk janë sanksionet, objektivi ynë është zgjidhja e krizës."

Symbolbild Nahostkonflikt eskaliert

Situata në Jeruzalem shpërthyese

Ministri i Jashtmë gjermane Steinmeier kërkoi realizëm në politikën e jashtme. Kriteri për matjen e suksesit të politikës së jashme është nëse ajo është apo jo në gjendje të zbusë apo zgjidhë një konflikt. "Duhen 14 ditë për të hyrë në një konflikt por 14 vjet për ta zgjidhur atë", tha ai. Krahas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë Perëndimi duhet të përpiqet vazhdimisht edhe për kontakte me bisedime. Steinmeier tregoi optimizëm të kujdesshëm lidhur me bisedimet për programin bërthamor të Iranit. Ai tha se shpreson që deri në 24 nëntor të arrihet negociimi i një zgjidhjeje që pengon Iranin të sigurojë akses tek armët bërthamore. Deri atëherë i kanë dhënë kohë vetes Irani nga njëra anë dhe grupi i gjashtë shteteve nga ana tjetër, i cili përbëhet nga Gjermania dhe pesë fuqitë me të drejtë vetoje në KS të OKB. Gjatë vitit të fundit të negociatave është arritur më shumë se në nëntë vitet e kaluara, tha Steinmeir. Tani nga të gjitha palët kërkohen fleksibilitet dhe aftësi drejtuese. Një zgjatje e negociatave pas 24 nëntorit nuk është e mundur.