1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mogherini optimiste për votimin e Gjykatës Speciale

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, gjatë një vizite që realizoi në Kosovë, tha se ajo beson se kuvendi i Kosovës do ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale.

Shefja e diplomacisë evropiane, Frederica Mogherini, beson që Kuvendi i Kosovës do të arrijë shumicën e nevojshme të votave të deputetëve prej dy të tretave për të miratuar ndryshimet kushtetuese, që e mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Këtë deklaratë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, e bëri gjatë një vizite, që realizoi në Kosovë më datën 26.03.2015, vetëm një ditë pasi po në Prishtinë u mbajt konferenca “Western Ballkan 6”, ku temë qëndrore ishte bashkëpunimi rajonal.

“Llogaris që Kuvendi të ketë votat e mjaftueshme dy të tretat, sepse së pari kjo është në vijë me zotimet e vitit të shkuar nga kuvendi i Kosovës dhe një mënyrë e mirë për të ecur përpara”, tha Federica Mogherini.

Shefja e diplomacisë evropiane takoi në Prishtinë presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministrin, Isa Mustafa, me të cilët diskutoi për proceset integruese të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Federica Mogherini tha se “për vetë faktin që ajo ndodhet në Kosovë dhe dje në Kosovë po ashtu ishte edhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, është material i mjaftueshëm për optimizëm dhe për mendim pozitiv. Sipas zonjës Mogherini, Kosova shumë shpejt do ta nënshkruajë me Bashkimin Evropian marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

“Ky vit do të jetë një vit i rëndësishëm për Kosovën dhe BE-në. Mendoj se do të jemi të gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përafërsisht gjatë verës”, tha Federica Mogherini.

Po ashtu për dialogun Kosovë-Serbi Federica Mogherini, e cila në fakt udhëheq këtë dialog, tha se energjia në këtë dialog do të përqendrohet edhe në implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tash. “Pjesë të marrëveshjeve të kaluara tashmë janë duke u zbatuar. Natyrisht nuk është arritur gjithçka, por jam shumë optimiste për dialogun”, tha Federica Mogherini.

Kryeminsitri Mustafa theksoi kontributin e qeverisë së tij në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Kryeminsitri Mustafa theksoi kontributin e qeverisë së tij në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga ana e saj shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbisë. “Është rëndësi e zbatimit të këtyre marrëveshjeve si dëshmi të vullnetit politik dhe parakusht për përparimin e shteteve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Në njoftimin për media, të lëshuar nga zyra e presidentes, thuhet se “Presidentja Jahjaga e njoftoi zonjën Mogherini edhe me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e marrëveshjes ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova do të dëshmojë përkushtimin e saj për sundimin e rendit dhe ligjit dhe në respektim të plotë të parimit të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e presidentes Jahjaga.

Presidentja Jahjaga thotë se “institucionet e Kosovës janë të angazhuara për të përshpejtuar përmbushjen e të gjitha kritereve të mbetura deri në qershor që do të mundësojnë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, qytetarëve të Kosovës dhe për të përmbyllur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në fillim të verës të këtij viti për të vazhduar me zbatimin e saj në fillim të vitit të ardhshëm”.

Edhe kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij u shpreh i gatshëm që qeveria e tij nëpërmjet dialogut të japë kontributin për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me theks të veçantë marrëdhëniet edhe me Serbinë.

“Kosova është një vend, i cili ka pësuar mjaft shumë nga lufta, bart pasojat e luftës, edhe shkatërrimet ekonomike, edhe të pagjeturit, edhe të pakthyerit. Mirëpo edhe përkundër kësaj, ne kemi treguar vullnet, që përmes dialogut dhe ndërtimit të besimit, t'i zgjidhim problemet me fqinjët e sidomos me Serbinë, si dhe po ashtu të kemi një komunikim të hapur me komunitetet në Kosovë”, tha kryeministri Isa Mustafa gjatë një konference për media, që kishte së bashku me zonjën Mogherini.

Sidoqoftë, sipas shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, dhe komisionerit të BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, që ishte një ditë më parë në Kosovë, Bashkimi Evropian do të jetë njëri prej mbështetësve kryesorë të Kosovës, si në çështjet politike, ekonomike, në atë të sundimit të ligjit, duke e përkrahur kështu pa rezervë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, pas Prishtinës te premten do të qëndrojë për vizitë në Beograd.