1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mogherini në Kosovë: Votoni demarkacionin, merrni vizat

Gjatë vizitës në Kosovë, e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e vuri theksin tek se dialogu Kosovë-Serbi si të vetmen rrugë për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, tha në Prishtinë se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë dy kushtet e fundit që vendi duhet t'i plotësojë në mënyrë që Komisioni Evropian t'i jap Kosovës liberalizimin e vizave. Pa plotësimin e këtyre dy kushteve nuk ka liberalizim të vizave. Këto komente shefja e diplomacisë evropiane, i bëri në një konferencë për medie gjatë vizitës që realizoi në Kosovë, ku pati takime me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike.

"Propozimi i Komisionit Evropian ishte shumë i qartë. Janë dy kushte të cilat duhet të plotësohen para se të bëhet liberalizimi i vizave. Këto dy kushte janë që Kosova ta përmirësojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka përparime, dhe kushti i dytë është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Nëse Kuvendi i Kosovës e voton demarkacionin, ne, Bashkimi Evropian, do të lëvizim shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës”, tha Federica Mogherini.

Spannungen zwischen Servien und Kosovo (picture-alliance/AA/Kosovan Prime Ministry)

Kryeministri kosovar, Isa Mustafa

Pajtim mes partive për marrëveshjen me Malin e Zi

Partitë politike në pushtet dhe opozita kosovare prej më shumë se një viti janë përfshirë në debatin rreth demarkacionit dhe liberalizimit të vizave. Mospajtimet ekzistojnë rreth shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, ku opozita kundërshton versionin e qeverisë. Por, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ju bëri thirrje të dyja palëve që të funksionojnë në bazë të interesave të popullit. "Besoj që partitë politike në Kosovë do të gjejnë një formë pajtimi dhe ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Populli i Kosovës e dëshiron liberalizimin e vizave dhe nuk e meriton mungesën e konsensusit për liberalizimin”, tha Federika Mogherini.

Në bisedimet në Kosovë zuri vend të rëndësishëm edhe për dialogun me Serbinë. Mogherini e përshendeti angazhimin e Kosovës në këtë proces, duke ritheksuar që "dialogu me Serbinë mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimin e raporteve midis dy vendeve”. "Është me rëndësi që të sjellim këtu në rajon mesazhin e BE-së që të vazhdoni drejt rrugës evropiane. Ky mesazh vlen për gjithë rajonin, pra edhe për Kosovën. Kosova duhet të vazhdojë rrugëtimin evropian, kurse BE-ja duhet ta mbështesë këtë rrugëtim”, tha Federika Mogherini.

Dialogu me Serbinë

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e mbështeti këtë qëndrim duke theksuar, se Kosova mbetet e përkushtuar në vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë. "Ne e shohim dialogun me vendet fqinje edhe me Serbinë si alternativë të pazëvendësueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimin e proceseve në Ballkan dhe Evropë, përkundër disa kundërshtimeve që i kemi nga opozita”, tha kryeministri Isa Mustafa. Ai tha se ka kërkuar nga shefja e diplomacisë evropane që të ndikojë tek Beogradi në mënyrë që të ndalet ndikimi te serbët e Kosovës e që ata të kthehen në institucione.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, në Prishtinë takoi edhe Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e kuvendit, Kadri Veseli. Të dy udhëheqësit e shtetit, thanë se "është e rëndësishme që BE-ja të mbështesë tërë rajonin në aspiratën e vet për t'u bërë pjesë e BE-së”. Sipas tyre edhe qytetarët e Kosovës janë gjeografikisht, politikisht, kulturalisht pjesë e Evropës, duke premtuar që Kosova do të përmbushë obligimet ndaj BE-së.

Kosovo Prishtina - Bürgerprotestete bezüglich ehemaligen Premierminister Ramush Haradinaj (DW/B. Shehu)

Kur Mogherini zhvillonte bisedime në qeverinë e Kosovës, jashtë u zhvilluan protesta për lirimin e Ramush Haradinajt

Opozita i qëndron refuzimit

Përfaqësuesit e partive opozitare, ndërkaq, thanë se në takimin me zonjën Mogherini, ata i kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi.  "Nuk mund të pajtohemi, sepse përndryshe i bie që ne do të pajtohemi me versionin aktual të demarkacionit dhe se do të tradhtonim interesat e shtetit dhe qytetarëve”, tha lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Në kohën kur shefja e diplomacisë evropiane zhvillonte biseda me përfaqësuesit politikë kosovarë, para ndërtesës së qeverisë zhvillohej njç protestë e thirrur nga opozita, kundër mbajtjes në arrest nga autoritetet franceze të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Ardian Gjini, tha se ai e ka informuar zonjën Mogherini rreth rastit Haradinaj dhe ka kërkuar nga BE-ja që të ndikojë, që Ramush Haradinaj të lirohet dhe të kthehet në Kosovë. Shefja e diplomacisë evropiane citohet t'u ketë thënë opozitës që BE-ja nuk ka të drejtë të përzihet ne sistemin e drejtësisë franceze.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, bëri një vizitë të shkurtër edhe në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila po rikunstruktohet nga një projekt i BE-së. Me vizitën në Kosovë dhe më pas gjatë ditës në Bosnje shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini përmbyllë vizitën e saj disaditore në rajonin e Ballkanit.