Mogherini: Lajme të mira nga Prishtina | Ballkani | DW | 21.03.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mogherini: Lajme të mira nga Prishtina

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini e përshëndeti të mërkurën ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke theksuar se Kosova po ecën drejt liberalizimit të vizave.

Pas miratimit me 80 vota të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi të mërkurën në mbrëmje (21-03) në Kuvendin e Kosovës e pas një maratone seancash, ka reaguar edhe e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Ajo ka përshëndetur ratifikimin duke shkruar në twitter: Lajme të mira nga Prishtina, Kosova po bëhet gati që qytetarët e saj  të udhëtojnë drejt Europës pa viza.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit, një proces që zgjati tre vjet dhe u shoqërua me konflikte të shumta ishte një kusht i BE-së që duhej plotësuar para liberalizimit të vizave. Në qershor Kosova pret që Komisioni Europian të japë rekomandimin për lëvizjen e lirë e pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Shengenit. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka arritur ende liberalizimin e vizave.