1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Modeli i ri ekonomik për Shqipërinë i pamundur apo një shans i ri?

Në rradhët e ekspertëve dhe studiuesve të ekonomisë në Shqipëri ditët e fundit ka nisur të zhvillohet një debat në shkallë të gjerë nëse do të duhet të ndërtohet një model i ri ekonomik në vend. Opinione pro dhe kundër.

default

Banka kombëtare, Tiranë

Pikënisja për diskutimin mbi nevojën e një modeli të ri ekonomik për Shqipërinë ishte prononcimi i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Në esencë teza e shefit të Bankës Qendrore në Tiranë nxirrte në pah mangësitë e modelit të tanishëm ekonomik, ngritur, sipas tij, mbi rritjen dhe zgjerimin e kreditit dhe nivelet e larta të konsumit. Pa detajizuar propozimin e tij për kastën e ekspertëve dhe studiuesve të ekonomisë shqiptare thuhej se “modeli i ardhshëm i rritjes ekonomike kërkon ndërtimin e një strategjie kombëtare të zhvillimit ekonomik të vendit dhe duhet të mbështetet në rritjen e produktivitetit të faktorëve të prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë”. Pas këtij prononcimi vijuan oponionet e analizat pro dhe kundër.

Shqipëria pa mundësi për një model ekonomik të pavarur?

Gjergj Filipi Albanien

Eksperti Gjergj Filipi

Dr. Gjergj Filipi, drejtor kërkimesh në Institutin “Axhenda” në Tiranë e shikon si jo të natyrshëm argumentin nëse i nevojitet një model ekonomik Shqipërisë. Duke e gjykuar në planin konkret ai mendon se në një vend të vogël si Shqipëria është gati e pamundur që të ketë një model, i cili do të ishte i kundërt nga modeli i vendeve të rajonit, ose më gjerë. Duke qënë pjesë e procesit të Stablizim-Asociimit mjaft aspekte janë fiksuar dhe rakorduar nga udhëzimet dhe direktivat e BE-së, thotë ai për DW-në.

Sipas tij, nuk duhet të vrasim mëndjen shumë për modelime ekonomike se sa të vrasim mendjen për strategji dhe plane pune më konkrete dhe afatshkurtëra se sa modelet. Pra, duhet të lëvizim nga afat shkurtër në afat mesme dhe me plane konkrete, me piketa të matshme dhe të arritshme.

Eksperti Gjergj Filipi: "Për fat të keq në Shqipëri është demonstruar që nuk kemi ende nje administratë publike, që konsiderohet si timoniere e zbatimit të modeleve ne secilën prej fushave. Nuk kemi një administratë publike të përgjegjshme. Politika shqiptare përbëhet ende nga individë, të cilët publiken nuk e vendosin gjithmonë mbi personalen”. Dr. Gjergj Filipi shton se nuk arrihet të zbatohet plani qeverisës, për të cilin qeveritarët marrin votat nga qytetarët. Ata që qeverisin rikërkojnë votën pa shpjeguar një herë publikisht se përse nuk kanë plotësuar dhe mbajtur premtimet, qofshin këto afat shkurtëra ose afatmesme.

Modeli i ri - shans për ekonominë kombëtare?

Ilir Barjaba, zëvëndësdrejtor i ALBINVEST (Agjensia shqiptare e biznesit dhe investimeve të huaja) e shikon me interes idenë e Bankës së Shqipërisë për rishikimin e modelit ekonomik. Sipas tij kjo duhet parë si një shans për ekonominë kombëtare. Qëllimi kryesor i modelit të ri ekonomik duhet të jetë garantimi i transformimit nga një ekonomi në zhvillim në një ekonomi të zhvilluar. Kjo nënkupton se duhet të fokusohemi tek disa faktorë fondamentalë të diagnostifikimit ekonomik.

Ilir Barjaba Albanien

Eksperti Ilir Barjaba,

Ilir Barjaba nga ALBINVEST vë në dukje se një modelim i ri ekonomik nuk do të thotë detyrimisht që modeli ekzistues është i dështuar. Ai argumenton se modeli ekonomik që është ndjekur deri më tani faktikisht ka shërbyer. Në dekadën e fundit Shqipëria ka patur rritje ekonomike të kënaqshme, si dhe gjatë vitit 2009 ishte ndër të vetmit në rajon që ka patur rritje ekonomike pozitive, thotë ai për DW.

Në thelb të modelit të ri ekonomik është përqëndrimi dhe investimi për krijimin e teknologjive të reja të informacionit, mendon Barjaba. “Kjo rrugë është e vlefshme sepse zhvillimi i teknologjive të reja kërkon investime të mesme dhe garanton të ardhura të larta në një kohë relativisht të shkurtër. Kjo mënyrë zhvillimi ekonomik, pra modelimi ekonomik është ndjekur nga disa vënde të rajonit të Azisë së Vogël, si dhe nga India. Nëse krahasojmë situatën aktuale në Shqipëri me këto vënde do të vëmë re se trendet e rritjes ekonomike në Shqipëri në dekadën e fundit janë më të larta se trendet e rritjes ekonomike të këtyre vendeve në çastin fillestar kur ato nisën teknologjizimin e ekonomisë së tyre."

Nuk ka asnjë arësye, këmbëngul Ilir Barjaba që ekonomia jonë të jetë e paaftë për t'u trasformuar në një ekonomi të zhvilluar nëpërmjet futjes në shkallë të gjerë të teknologjive të informacionit. Zhvillimin e teknologjive të informacionit ai e konsideron si katalizator për ekonominë e një vendi. Sipas tij është shumë e rëndësishme që modelimi ekonomik të gjejë një rrugë të shkurtër për avancimin e ekonomisë dhe jo të ndjekë rrugën e gjatë tradicionale.


Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 05.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PVhD
  • Data 05.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PVhD