1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Modeli franko-gjerman referencë për qendrën shqiptaro-serbe

Gjatë kësaj fundjave Qendra e Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri – Serbi zhvilloi forumin e parë zyrtar në qytetin e Durrësit. Ky projekt strategjik po vijon të mbështetet nga qeveria gjermane.

I zhvilluar në një hapësirë të njohur turistike, buzë detit dhe rreth 40 km larg Tiranës, forumi i parë i Qendrës së Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk ishte një weekend dhe aq relaksues për pjesmarrësit dhe të ftuarit. Aktivistë nga shoqëria civile e dy shteteve, akademikë, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, gazetarë dhe politikanë hapën siparin e një dialogu të drejtpërdrejtë, në funksion të nxitjes së komunikimit, për rritjen e informacionit dhe ndërveprimit mes aktorëve, të cilët kanë influencë në politikë, politikëbërjen ekonomike, media, arte, kulturë, aktivitet rinor, etj., në mbështetje të ndërtimit të rrjeteve dhe partneriteteve.

Agjenda e organizatorëve kishte përfshirë dhe çështje delikate në raportet e ngarkuara mes dy shteteve, në një përpjekje konkrete për normalizimin e marrëdhënieve dhe në përmbushje të objektivit të tyre të përbashkët integrimin evropian, për të luftuar kundër keqkuptimeve dhe paragjykimeve të ndërsjella që janë aktualisht pengesa në rrugën drejt stabilizimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm.

Dr. Franz-Lothar Altmann Albanien Moderator

Eksperti gjerman dr. Franz-Lothar Altmann

Qendra e Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri – Serbi është një iniciativë e muajve më parë e Institutit Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, AIIS, në Tiranë dhe Forumit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i Lëvizjes Europiane të Serbisë, EMinS, në Beograd , një platformë shumëplanëshe kooperimi mes dy organizatave joqeveritare partnere.

Asnjë temë nuk mund të jetë e paprekshme

Një ndër ekspertët më të mirë të çështjeve të rajonit, dr Franz-Lothar Altmann, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkulturore dhe ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit ishte në rolin e moderatorit të të gjitha seancave të diskutimeve në Forumin e Durrësit. Ai e vlerëson formatin interaktiv dhe të shprehjes lirshëm të opinioneve nga pjesmarrësit. Ulja në tryezë në çdo formë komunikimi është e dobishme edhe atëherë kur ka optika të ndryshme, thotë dr. Altmann për Deutsche Welle-n.

“Vlerësojeni vetë një atmosferë të tillë pune, ku njerëz në profesione dhe background-e të ndryshme janë të hapur në mendimet dhe propozimet që bëjnë. Kjo larmi është dhe në një shoqëri njerëzore, ku secili flet, argumenton, kundërshton, dëgjon me vëmendje tjetrin. Asnjë temë nuk mund të jetë e paprekshme, madje edhe atëherë kur qëndrimet janë në skaj. Nuk afrohen gjykimet, nuk ka kompromis nëse idetë dhe alternativat nuk prezantohen, nëse nuk bën durim të krahasosh argumentet dhe efektet që ka kjo apo ajo zgjidhje, kjo apo ajo qasje. Unë jam investuar që në të gjitha seancat të ketë diskutime dhe ndërhyrje realiste, konkrete, brenda temës për të cilën kemi rënë dakord, për të mos rrëshqitur në fjalime dhe predikime pafund. Forumi i Durrësit e ka plotësuar këtë standard, si një premisë se hapat e mëtejshëm në projekt do të jenë në drejtimin e duhur”.

Dr. Jelica Miniç, ish-diplomate, presidente dhe një nga themelueset e EMinS, shikon hapa përpara në raportet mes dy shteteve, sidomos nga mesazhet që kanë dhënë kohët e fundit kryeministrat Rama dhe Vuçiç dhe qeveritë respektive. Miniç në një bisedë për Deutsche Welle-n thotë se këto sinjale gatishmërie, për përmirësim të klimës së marrëdhënieve japin ndikim kapilar në dy shoqëritë, inkurajojnë bashkëpunim në të gjitha nivelet, por dhe demotivojnë dhe izolojnë individë a grupime që për shkaqe të ndryshme rezistojnë ose janë ende me mendjen nga e shkuara.

Jelica Minic Albanien Serbisch.- Albanische Beziehungen

Dr. Jelica Miniç, ish-diplomate

“Kontaktet e shoqërisë civile janë në një stad të përparuar. Ky aktivitet e provon këtë. Por edhe në fushën e biznesit ka lëvizje dhe hapa të dukshëm. Mbështetja politike po reflektohet përshembull në komunikimin zyrtar të dhomave të tregëtisë mes dy shteteve. Takime dhe forume të përmuajshme, për tema sektoriale, me interes të komuniteteve të biznesit dhe sipërmarrësve hapin korridore për shkëmbim potencialesh dhe investimesh. Por dhe sinkronimi me organizata rajonale dhe globale është përpjekje për thithjen e investitorëve të huaj të rëndësishëm. Nga ana tjetër, procesi i Berlinit nën kujdesin e kancelares Merkel, projektet në energjetikë, infrasrukturë etj., janë një mbështetje për gjallërimin e shkëmbimeve, për fuqizimin e industrisë turistike, për lëvizjen e lirë të shtetasve, për kulturën, për çdo fushë.”

Kontribut i Qendrës për relaksimin e marrëdhënieve ekonomike

Mon Zhubi nga Kosova, ish-gazetar që ka punuar për mediat në gjuhën serbo-kroate mendon se tryeza të tilla duhet të përçojnë mesazhe për realizëm në raportet mes shteteve në terren. Zhubi i referohet raporteve ekonomike dhe tregtare mes Tiranës dhe Beogradit, ku sipas tij, volumi i mallrave nga Serbia në Shqipëri ka ardhur duke u rritur, në një kohë që nga Shqipëria në Serbi kuotat janë minimaliste. Kjo nuk është normale, pasi duhet të ketë frymë pariteti mes shteteve, interes dhe dobi të ndërsjellë, thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Ja, kemi dhe rastin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, ku regjistrohet një kontrast i thellë, nga njera anë janë rreth 500-600 milionë Euro volum tregtar vjetor me drejtimin nga Serbia në Kosovë, ndërsa në anën tjetër, në lëvizjen e kundërt, niveli aktual është thuajse i papërfillshëm. Dhe kur mendon se e gjitha kjo vjen nga masat administrative të ngurta dhe pengesat burokratike që kanë shpesh sfond politik dhe reminishenca nga e kaluara e afërt dhe e largët. Ja ky mendoj se do të jetë një fokus dhe një kontribut i qendrës së përbashkët për të lobuar dhe mbështetur relaksimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregëtare.”

Mon Zhubi, Albanien Serbisch.- Albanische Beziehungen

Mon Zhubi gezetar nga Kosova

Gjatë punimeve në forumin e Durrësit u trajtuan dhe mjaft aspekte për të cilat ka probleme mes dy vendeve, ndaj dhe Alba Çela, zëvëndësdrejtore e AIIS, shprehet se formati i aktivitetit ishte i hapur dhe për pjesmarrjen e vendimarrësve. Ata do të jenë dhe pas disa ditësh dhe në një aktivitet pasues në Beograd, thotë Çela për Deutsche Welle-n. “Kështu prezantojmë, tregojmë dhe propozojmë vullnetin dhe idetë tona të përbashkëta tek ata që marrin vendime, që mbështesin programe strategjike zhvillimi në dobi jo vetëm të dy vendeve tona, por dhe të të gjithë rajonit. Në vjeshtë kërkues nga Serbia do të qëndrojnë një muaj në Shqipëri, ndërkohë që po kështu dhe kërkuesit shqiptarë do të atashohen në Serbi. Do të ketë dhe vizita të ndërsjella mes gazetarëve dhe grupimeve rinore.”

Ndërtimi i një infrastrukture lokale, funksionale dhe të qëndrueshme

Mikëpritësi i Forumit, Dr. Albert Rakipi, drejtor AIIS thotë se Qendra ka mbështetje nga parlamentetet dhe institucionet qeveritare të të dy vendeve. Ai përmend dhe kontributin e qeverisë gjermane në konkretizimin e këtij projekti strategjik afatgjatë, ndërkohë që për komponentë të caktuar support po jep dhe Norvegjia. Ne po përpiqemi për të ndërtuar një infrastrukturë lokale, funksionale dhe të qëndrueshme, thotë dr. Rakipi për Deutsche Welle-n.

Albert Rakipi

Albert Rakipi, drejtor AIIS thotë

“Eshtë fakt se deri më tani inciativat për normalizimin dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe kanë qenë nga jashtë dy vendeve tona. Tre vjet më parë kishte një iniciativë italiane, nga Ministria e Jashtme, për takime tripalëshe të zyrtarëve të lartë, sikundër dhe procesi i Berlinit që ka pasur të përfshirë dhe relatat mes Tiranës dhe Beogradit. Sigurisht që këto kanë qenë dhe janë të frytshme dhe të dobishme. Pala e tretë në marrëdhëniet ndërkombëtare është një praktikë e përhapur. Por ne mendojmë dhe besojmë fort se tashmë është koha për inciativa lokale, pra mes vetë shqiptarëve dhe serbëve në forcimin e marrëdhënieve mes tyre. Propozimet që vijne nga brenda janë më të efektshme. Kështu ka funksinuar dhe në marrëdhëniet franko-gjermane, është një model normalizimi dhe forcimi të raporteve që mbetet ende aktual. Modeli franko-gjerman në tejkalimin e pengesave dhe problemeve mbetet nje pikë reference dhe frymëzimi në projektin tonë strategjik për Qendrën e Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri – Serbi.”