1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mocion mosbesimi në Pragë- Qeveria e Topolanekut detyrohet të japë dorëheqjen

Në një seancë të jashtëzakonshme, parlamenti çek e aprovoi mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit, Mirek Topolanek, duke e detyruar kryetarin e radhës të presidencës së BE-së të japë dorëheqjen

default

Kryeminstri çek Mirek Topolanek me 24 mars pas votimit

101 prej deputetëve, që morën pjesë në këtë seancë, votuan pro mocionit të mosbesimit të paraqitur prej opozitës, që përbëhet prej socialdemokratëve dhe komunistëve duke arritur në këtë mënyrë pikërisht shumicën absolute të domosdoshme. Topolanek, i cili që prej ardhjes në detyrë në janar të vitit 2007, u ka bërë ballë katër herë mocioneve të mosbesimit tha "do të veprojë në përputhje me kushtetutën", që do të thotë se qeveria e tij e qendrës së djathtë duhet të japë dorëheqjen.

Deri sa presidenti i vendit Vaclav Klaus, i cili njihet për qëndrimin e tij kritik ndaj BE-së, të ngarkojë dikë me formimin e qeverisë së re, kabineti aktual do të vazhdojë të ushtrojë detyrat. Presidenti Klaus ka tani një rol kyç, sepse kushtetuta e vendit nuk parashikon ndonjë limit kohor se deri kur i duhet presidentit të ngarkojë dikë me formimin e qeverisë së re. Kështu pra ai mund ta lërë Topolanekun në pushtet deri më 30 qershor, kur përfundon edhe presidenca çeke e BE-së. Axhenda e takimeve është e ngjeshur, kështu për datën 5 prill pritet të zhvillohet në Pragë një takim i nivelit të lartë mes BE dhe SHBA-së, ku do të marrë pjesë edhe presidenti Barack Obama. Për këtë javë është parashikuar një takim jozyrtar i ministrave të punëve të jashtme të vendeve të BE-së në Hluboka nad Vltavou.

Kryetari i socialdemokratëve dhe i opozitës Jiri Paroubek u shpreh për krjimin e një qeverie ekspertësh. Vetë Topolanek nuk e përjashton mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja, por për një vendim të tillë i duhen edhe votat e opozitës.

Sa i sigurtë është tani ratifikimi në Çeki i marrëveshjes për reformimin e BE-së?

Përmbysja e qeverisë së Pragës mund të ketë pasoja edhe në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes për reformimin e BE-së prej Çekisë. Marrëveshja e Lisbonës ndodhet në duart e anëtarëve të senatit çek, i cili dominohet prej konservatorëve, që konsiderohen në shumicë si kritikë ndaj BE-së. Komentatorët dhe diplomatët në Pragë mendojnë se senati do ta refuzojë marrëveshjen e BE-së.

Pas lajmeve nga Praga Ministria e Jashtme Gjermane deklaroi, se Berlini po i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Çeki. "Ne mendojmë se aftësia e kryetarës së radhës të BE-së për të vepruar është e garantuar," tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Gjermane.



Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 25.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HJGP
  • Data 25.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HJGP