1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mobilizim ndërkombëtar dhe kosovar kundër migrimit

Ministrja për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale e Landit gjerman të Bavarisë, Beate Merk, tha në Prishtinë se "azilkërkuesit kosovarë në Gjermani do të kthehen pasi Kosova është një vend i sigurt".

Migrimi ilegal i mijëra qytetarëve të Kosovës që destinacion kanë vendet e Evropës Perendimore, kryesisht Gjermaninë dhe Austrinë, tashmë ka mobilizuar edhe zyrtarët e lartë shtetërorë të këtyre vendeve që të vijnë në Kosovë për t'u njohur më afër me gjendjen e krijuar. Të enjten (12.02)në Kosovë, qëndroi Ministrja për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale e landit gjerman të Bavarisë, Beate Merk, e cila së bashku me ambasadoren gjermane në Kosovë, Angelika Viiets, takuan kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Ministrja Beate Merk, informoi kryeministrin Mustafa "për ndryshimet që janë bërë në legjislacionin e Bavarisë dhe ndalimin e përkrahjes financiare për emigrantët nga Kosova si dhe faktin që kërkesat për azil të kosovarëve do të procedohen brenda dy javësh", thuhet në një njoftim të kryeministrisë.

"Azilkërkuesit kosovarë do të kthehen pasi Kosova është një vend i sigurt dhe se kosovarëve nuk iu takon e drejta për azil", citohet të ketë thënë ministrja Beate Merk.

Në këtë takim thuhet se është biseduar edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe landit të Bavarisë, për mundësinë e punësimit sezonal dhe trajtimit e aftësimit profesional të qytetarëve të Kosovës, mirëpo nuk jepen shumë detaje për ndonjë projekt konkret.

Në të njëjtën ditë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Skënder Hyseni, qëndroi në Vjenë të Austrisë për të diskutuar me homologen austriake Johanna Miki-Leitner, pikërisht ҫështjen e migrimit të kosovarëve në shtetin e Austrisë. Edhe ministrja Miki Leitner, ka apeluar te qytetarët e Kosovës që mos të marrin rrugën drejt Austrisë, sepse të gjithë do të kthehen në Kosovë. "Austria është shumë e shqetësuar me numrin në rritje të azilkërkuesëve nga Kosova. Të gjitha kërkesat për azil do të refuzohen dhe migrantët do të kthehen në Kosovë, sepse Austria e cilëson Kosovën si një vend të sigurt", citon Ministria e Punëve të Brendshme, ministren austriake të Punëve të Brendshme, Johanna Miki-Leitner.

Ndërkohë shefi i misonit i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM )në Kosovë, Jorge Baca Vaughan, pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, u shpreh i gatshëm që organizata e tij të ndihmojë institucionet e Kosovës në procesin e kthimit të azilkërkuesve nga vendet e BE-së, përmes programeve të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, mbështetjen për komunitetet si dhe përmes programit për kthimin vullnetar të të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë azilkërkues në vendet e BE-së.

Autoritetet kosovare tashmë disa herë kanë deklaruar se Kosova është e gatshme për të pritur dhe për të riintegruar qytetarët e vet, që do të kthehen nga vendet ku kanë migruar. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten pas një mbledhjeje të qeverisë se javën e ardhshme qeveria do ta miratojë planin e punës për katër vitet e ardhshme, plan ky që sipas tij do të krijojë kushte që qytetarët e Kosovës mos ta braktisin vendin. "Programi qeveritar, të cilin do ta aprovojmë javën e ardhshme, si dhe masat të cilat ne jemi përcaktuar t'i marrim në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera, mundësojnë që ne në mënyrë stabile dhe në mënyrë të qëndrueshme, të sigurojmë kushte që njerëzit të jetojnë këtu, të kenë perspektivë këtu dhe me vendet e BE-së të ndërtojmë partneritet afatgjatë", tha kryeministri Isa Mustafa.

Sidoqoftë, Autoritetet në Prishtinë akoma nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve që kanë migruar jashtligjshëm, sidomos gjatë dy muajve të fundit.