1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mlladiqi në Hagë

4 Korrik 2011

Mlladiq, i akuzuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë - Hercegovinë ka dalë sërish para Tribunalit të Hagës, ku duhet të deklarohet lidhur me akuzat. Ratko Mlladiq u arrestua në Serbi disa muaj më parë.

https://p.dw.com/p/11oc8
Mlladiqi në Hagë
Mlladiqi në HagëFotografi: AP

Ish-komandanti i forcave serbe në Bosnjë - Hercegovinë Ratko Mlladiq, refuzoi edhe në daljen e tij të dytë para Tribunalit të Hagës të deklarohet ndaj akuzave për krime dhe gjenocid. Ai refuzoi të dëgjojë pikat e atkakuzës që e rëndojnë për krimet më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mlladiqi ndërpriste tërë kohën gjykatësin kur ishte duke lexuar aktakuzën, prandaj kryesuesi i trupit gjykues Alphons Orie, u detyrua ta ndërpresë seancën dhe të urdhërojë largimin e Mlladiqit nga salla e gjykimit.

Protesta të grave boshnjake para gjykatës së Hagës
Protesta të grave boshnjake para gjykatës së HagësFotografi: AP

Mlladiqi përcolli largimin e tij me fjalët, "nuk po më jepni të drejtën të mbrohen, nuk po më lejoni avokatë". Sipas rregullores së Tribunalit, mungesa në sallë e të akuzuarit, do të thotë se ai është deklaruar si i pafajshëm.

Që në fillim të procesit ishte e qartë se seanca e sotme nuk do të kalonte pa incidente. Mlladiqi refuzoi të heqë kapelen dhe të vendosë kufjet në vesh. Ishin forcat e sigurisë ato që e detyruan t`i bëjë këto. Ai vazhdoi t i drejtohej publikut të mbledhur më shumë se sa trupit gjykues, të cilit ndonjë herë i kthente dhe shpinën. Disa herë trupi gjykues u detyrua t'i tërheqë vërejtjen që të përqendrohet në këtë proces dhe të mos kthehet nga publiku. Mlladiqi kërkoi edhe një muaj kohë për konsultime me avokatët dhe të birin, lidhur me strategjinë e mbrojtjes. Avokati i caktuar nga Tribunali Aleksandar Aleksiq, ka vizituar më shumë se dhjetë herë Mlladiqit në burg, por ai ka refuzuar bashkëpunimin, duke kërkuar dy avokatë të tjerë.

Mlladiqi tha se nuk do të deklarohet lidhur me aktakuzën, para se në ekipin e mbrojtësve të tij të mos emërohen avokati serb, Millosh Shaljiq dhe ai rus, Aleksandar Mezjajev. Ai kërkoi që procesi të shythet edhe një herë, por gjykatësit refuzuan.

Ratko Mladiq para tribunlit në Hagë
Ratko Mladiq para tribunlit në HagëFotografi: AP

Në pyetjen e Alphons Oriet nëse i akuzuari e ndjen veten fajtor, ish-komandanti i forcave serbe në Bosnjë-Hercegovinë u përgjigj: "Ju mund të bëni çfarë të doni, por pa emrimin e Shaljiqit dhe Mezjajevit, nuk dua të flas. Orie tha se kjo vërejtje do të merret parasysh dhe vazhdoi të lexojë pjesë nga aktakuza. Mlladiqi filloi të bërtiste me fjalët se nuk do të dëgjojë asgjë nga aktakuza, nëse nuk vijnë avokatët e dëshiruar. Pas disa vërejtjeve të Mlladiqit me tone të larta, gjykata vendosi ta largojë nga salla. Përfaqësueset e shoqatës së nënave të personave të vrarë në Bosnjë-Hercegovinë thërrisnin në drejtim të të akuzuart: vrasës, vrasës...

Pas një ndërprerje të shkurtër, procesi vazhdoi pa prezencën e Mlladiqit, ndërsa gjykatësi shënoi zyrtarisht se i akuzuari është deklaruar i pafajshëm. Në dy pika të aktakuzës, Mlladiqi akuzohet për gjenocid në Srebrenicë dhe tetë komuna të tjera të Bosnjës. Ai akuzohet për krime, deportime, vrasje, përndjekje dhe terror ndaj popullatës civile.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama