1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mjeshtëria e përkthimit - Përkthyesit në BE

Përkthyesit venë në lëvizje ingranaxhet e motorrit të BE-së, duke siguruar që njerëzit nga 27 vendet anëtare të mund të komunikojnë efektivisht mes tyre. Por jo kushdo mund ta zotërojë mjeshtrinë e përkthimit.

Në dhomën e medias të Komisionit Evropian, Androulla Vassiliou, Komisionere për Edukimin, Kulturën, Shumëgjuhësinë dhe Rininë, del në podium…dhe nis të flasë në greqisht. Auditori gjigand është i mbushur plot me gazetarë ndërkombëtarë dhe ka një "përleshje" për të gjetur kufje. Thuajse në mënyrë të padukshme, përkthyesit e ulur në kabinat e qelqit përreth dhomës, nisin të bëjnë punën e tyre: të përkthejnë njëherësh gjuhën greke në 20 gjuhë të ndryshme të botës.

Në kabinën e gjuhës sllovake pranë platformës, Janka Nagyova dhe kolegia e saj përjetojnë një moment paniku! Asnjëra prej tyre nuk flet greqisht. Por pavarësisht këtij fakti, ato duhet të përkthejnë në sllovakisht. Nagyova shpjegon se si funksionon: "Janë dy persona në kabinat e gjuhës franceze dhe angleze që dinë greqisht, kështuqë kolegia ime e merr përkthimin nga gjuha frënge," shpjegon Nagyova. "Kështuqë ne nuk punojmë direkt me gjuhën e folësit, por nëpërmjet gjuhëve të tjera."

Aftësi të veçanta

Koncepti i "ritransmetuesit" është një nga çelësat për të hapur misterin e përkthimeve. Përderisa të gjithë përkthyesit janë shumëgjuhësh, askush nuk mund ta kuptojë këtë. Nagyova flet pesë gjuhë, ndërsa të tjerët flasin nga shtatë ose tetë të tilla.

Në fakt, aftësia e vërtetë është shpejtësia: të qenurit të gjendje për të dëgjuar atë se çfarë po flitet, ta përkthesh atë në kokën tënde dhe të flasësh njëkohësisht. Në këtë kuptim, ka një diferencë shumë të madhe ndërmjet përkthimit gojor, dhe përkthimit me shkrim ku fjalët shndërrohen në një gjuhë tjetër. "Ka gjithashtu një dinamikë të ndryshme në të, sepse kur unë punoja si përkthyese, isha mjeshtre e menaxhimit të kohës time," thotë Nagyova. "Kam përkthyer kryesisht libra. Mund të jetë ndryshe me përkthimet teknike ose përkthimet për institucionet, ku gjithashtu ekziston presioni i kohës. Por gjithsesi, presioni i kohës as nuk krahasohet me presionin që kemi këtu."

Konferenca për shtyp ecën me shpejtësinë e dritës. Gazetarët bëjnë pyetje të çdo lloji, që nga kriza më e fundit në Siri e deri tek detaje të reformimit të bankave, kështuqë është shumë e vështirë për përkthyesit që të përgatiten për atë që i pret. Por Nagyova është modeste për aftësitë e saj. "Themi se femrat mund të bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë, plus që unë jam një "binjak" brenda vetes, gjithmonë e ndarë. Besoj se është çështje trajnimi, dhe mbase edhe talenti," thotë ajo.

Gjëja e mirë është se dita e punës është shumë e shkurtër, veçanërisht në këtë rast. Konferenca për shtyp zgjat për afro një orë, dhe ndiqet nga një përmbledhje teknike për gazetarët. I gjithë aktiviteti mbaron thuajse brenda dy orësh, dhe kjo do të jetë e vetmja detyrë e Nagyovës për këtë ditë. Pas të gjithave, është e vështirë të koncentrohesh në mënyrë kaq të përqendruar për periudha të gjata kohore. Nagyova është pjesë e një ekipi përkthyesish të Komisionit, të cilët shkojnë aty ku nevojiten, në takime, fjalime dhe diskutime të tryezave të rrumbullakta.

Pas Perdes së Hekurt

E lindur në atë që quhej Çekosllovaki gjatë Luftës së Ftohtë, Nagyova nuk kishte ndërmend të bëhej përkthyese. Në fakt, ajo u bë aktore dhe punoi për një kompani teatrale lëvizëse. Jo shumë vite më vonë, kur solli në jetë djalin e saj, ajo vendosi të kishte një profesion më të qëndrueshëm. Nisi të përkthejë dhe gradualisht hyri në botën e përkthimeve.

Kur Sllovakia iu bashkua BE-së në vitin 2004, Nagyova iu bashkua gjithashtu departamentit sllovak të përkthimeve në Bruksel. Ajo kishte vizituar Belgjikën pas rënies së Bllokut Sovjetik në fillim të viteve 1990 dhe atje u ndje menjëherë si në shtëpi. "Më pëlqen shumë Brukseli," thotë ajo. "Nuk më pëlqen thjesht qyteti, por edhe atmosfera këtu, ndërthurrja e kulturave dhe gjuhëve. Kjo ndodh mbase sepse unë u rrita në Çekosllovaki dhe në ato kohë ne nuk kishim asnjë kontakt me botën e jashtme, por këtu unë kam shumë opsione."

Të humbur në përkthim?

Në dhomën e mediave, konferenca për shtyp ka përfunduar dhe gazetarët dalin jashtë. Sa e vlerësojnë ata shërbimin e përkthimit? "Është veçanërisht i rëndësishëm në një ditë si kjo e sotmja, kur Komisionieri foli në gjuhën e saj. Në ditë të tjera, gjuha angleze është më e zakonshmja. Kur kjo ndodh, përkthimi më duket shumë i dobishëm sidomos në përmbledhjet teknike, që të kuptohen siç duhet termat," thotë një gazetar francez. Për Nagyovën, sfida më e madhe, përveç asaj kur njerëzit nuk ndezin mikrofonët, është kur pjesëmarrësit tentojnë të flasin në anglisht, edhe pse ajo nuk është gjuha e tyre amëtare. "Anglishtja është kaq e përhapur në ditët e sotme saqë çdokush flet anglisht dhe beson se e flet atë në mënyrën e duhur, edhe pse nuk është e vërtetë. Ndonjëherë ne duhet të deshifrojmë gjuhën që dëgjojmë," thotë ajo.

"Ndonjëherë ndodh që ne nuk jemi të sigurt se çfarë gjuhe po flitet! Njëherë tentova të përkthej nga gjuha malteze, sepse m'u duk sikur ishte anglisht dhe mendova: epo mirë, ky duhet të jetë ndonjë dialekt i anglishtes. Por shumë shpejt kolegia ime më tregoi kanalin e duhur, ku ishte anglishtja e vërtetë."

Mbase ky është një mësim që folësit duhet të përfitojnë nga aftësitë e përkthyesve dhe të përdorin gjuhën e tyrë për të përçuar mesazhin.