1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mjeshtëri e lartë qeverisjeje - Gjermania dhe dalja nga energjia bërthamore

Me paralajmërimin se do të lejonte një shfrytëzim më afatgjatë të centraleve bërthamore Angela Merkel pati fituar zgjedhjet e fundit parlamentare. Tani ajo vendos të kundërtën në një mënyrë, e cila lë pyetje të hapura.

default

Kjo me siguri që duhet të jetë mjeshtëri qeverisjeje: Kur të fryn në fytyrë era e opinionit publik, të ndryshosh shpejt kahjen, dhe këtë ndryshim ta miratosh prej një instance, e cila nuk parashikohet asgjëkundi në kushtetutë.

Çfarë pati ndodhur? Socialdemokratët dhe të gjelbrit patën vendosur në kohën e qeverisjes së tyre nën drejtimin e Gerhard Schröder-it heqjen dorë prej energjisë bërthamore (që atëherë në përputhje me dëshirën e shumicës së popullsisë dhe kundër rezistencës së opozitës nën drejtimin e Angela Merkel-it). Kur Merkel-i qeverisi më pas me socialdemokratët, ajo nuk ishte në gjendje të ndryshonte gjë në këtë drejtim. Por ajo tha: Kur të marrim herën tjetër shumicën me liberalët, nuk do të ndërtojmë centrale të reja bërthamore, por ekzistueset, centralet e sigurta do t'i lemë më gjatë në punë. Ajo e fitoi këtë shumicë dhe në mars kohët më të gjata të shfrytëzimit u sanksionuan në ligj.

Pastaj erdhi në mars cunami mbi Fukushimë dhe refuzimi i energjisë bërthamore u bë edhe më i gjerë. Nën këtë përshtypje dhe duke pasur parasysh zgjedhje të rëndësishme në rrafsh landesh Angela Merkel-i kreu bashkë me politikanë të tjerë udhëheqës të koalicionit kristian-liberal ndryshimin e kursit për një shkëputje më të shpejtë prej energjisë bërthamore.

Peter Stützle

Peter Stützle

Tani politikanëve përgjegjës mund t'u japësh të drejtë, se besimi i tyre te inxhinierët (që këta do të mund t'i kontrollonin të gjitha avaritë e mundshme) u trondit vërtet prej Fukushimës. Por që të gjitha argumentat për energjinë bërthamore papritur nuk vlejnë më, që të gjithë politikanët marshojnë në të njëjtin drejtim, që askush të mos bëjë më opozitë, kjo e bën megjithatë shqetësues këtë ndodhi. Instancat, në të cilat duhet të luftohet sipas kushtetutës për vendime politike, duken si të çaktivizuara.

Qeveria gjermane caktoi me masa me efekt te publiku, ende para zgjedhjeve të marsit në rrafsh landi, një komision etike. Në të personalitete të respektuara nga shkenca dhe shoqëria do të mendoheshin për pyetje, se sa e përgjegjshme është heqja dorë shpejt nga energjia bërthamore. Këshillime të tilla janë në fakt për t'u përshëndetur, në rast se kanë qëllime serioze, por ato ishin në të vërtetë dekorative. Natën para se komisioni i etikës të paraqiste raportin e vet, komisioni i koalicionit mori vendime të detajuara për daljen nga energjia bërthamore.

Komisioni i koalicionit përbëhet nga një numër i vogël politikanësh udhëheqës të aleancës qeveritare dhe nuk parashikohet asgjëkundi në kushtetutë. Qeveria dhe parlamenti, që në fakt janë përgjegjëse për procesin legjislativ, vetëm sa do të zbatojnë atë çka është përcaktuar tashmë. Formalisht me këtë i është shërbyer kushtetutës, por në të vërtetë qeveriset sipas kapriços. Dhe ajo që të çudit është se askush në vend nuk acarohet për këtë.

Autor: Peter Stützle

Redaktoi: Elert Ajazaj