1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mjeshtër i maskimit dhe i hileve - Cili ishte udhëheqësi tani i vrarë i Al Kaidës në Afrikën Lindore?

Udhëheqësi i rrjetit terrorit të Al Kaidës në Afrikën Lindore, Fazul Abdullah Mohammed, ka vdekur. Ai u vra gjatë një shkembimi zjarri në Mogadishu. Mohammed ka qenë organizator i një sërë atentateve të Al Kaidës.

Fazul Abdullah Mohammed

Fazul Abdullah Mohammed

Ai ishte mjeshtër i maskimit dhe i hileve. Fazul Abdullah Mohammed, udhëheqësi i Al Kaidës për Afrikën Lindore përdori në të kaluarën të paktën 18 emra të ndryshëm. FBI-ia amerikane kishte caktuar 5 milionë dollarë për kapjen e terroristit. Tani ai u vra rastësisht në Somali.

Për një kohë të gjatë ai jetoi me sa duket pa u njohur në një ishull në Kenia. Njerëzit këtu e përshkruajnë atë si njeri të qetë. Para së gjithash, burri elegant dhe gjithnjë miqësor kishte një sharmë çarmatosëse - një gjë e ngjashme thuhej edhe për shefin e organizatës terroriste, Osama Bin Laden, si pasardhës i mundshëm i të cilit konsiderohej Fazul Abdullah Mohamedi. Së fundi, rreth 40 vjeçari kujdesej para së gjithash për shtimin e radhëve të Al Kaidës. Thuhet se ai organizonte trajnimin e djemve të rinj si atentatorë.

Testi i ADN-së dha siguri

Kur atë e vranë tani në një postbllok rruge në Somali, shefi i organizatës terroriste kishte me vete një pasaportë afrikanojugore, rreth 40.000 dollarë dhe disa celularë. Testet e ADN-së konfirmuan se bëhet fjalë me të vërtetë për terroristin më të kërkuar të kontinentit.

Fazul Abdullah Mohamedi lindi në fillim të viteve '70 në Komore. Thuhet se ai nisi studimet për mjekësi në Pakistan. Por nga universiteti ai u largua shpejt, për t'u bashkuar me Al Kaidën. Në Afganistan atë e stërvitën si luftëtar dhe fitoi brenda organizatës famën si specialist kompjuterash. Veç kësaj ai fliste rrjedhshëm pesë gjuhë.

Osama bin Laden me togerin e tij egjiptian Ayman al-Zawahri, fotografi e marrë më 7 tetor 2001

Osama bin Laden me togerin e tij egjiptian Ayman al-Zawahri, fotografi e marrë më 7 tetor 2001

Organizator i shumë atentateve të Al Kaidës

Në listën e personave të kërkuar, Fazul Abdullah Mohamedi u shfaq për herë të pas atentateve në Kenia dhe në Tanzani në fund të viteve '90. Në to u vranë 240 vetë dhe u plagosën mijëra të tjerë.

Hetuesit e bëjnë atë përgjegjës edhe për atentatin ndaj një hoteli izraelit në bregdetin e Kenias, me 13 të vrarë në vitin 2002. Së fundi, ai besohet se ka qenë organizatori i atentateve në Uganda gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2010. Lëndë eksplozivi shpërthyen në lokale, në të cilat po shfaqeshin ndeshjet. Nga shpërthimet u vranë 70 vetë.

Al Kaida është dobësuar

Në vitet e shkuara, terroristin e patën deklaruar disa herë gabimisht si të vdekur- për shembull pasi SHBA bombarduan në vitin 2007 një kamp të islamistëve në Somali. Një vit më vonë, Fazul Abdullah Mohammedi i shpëtoi me vështirësi një arrestimi në Kenia, kur u përpoq të mjekohej.

Vdekja e tij do të thotë një dobësim i Al Kaidës në Afrikën Lindore. Si amanet, terroristi lë një autobiografi me titullin "Lufta kundër fesë islame", të cilin ai e botoi në 2009 me emrin Fazul Harun. Në të flitet për kërcënimin e vendeve myslimane nga Perëndimi.

Autor: Antje Diekhans / Auron Dodi

Redaktoi: Filaj-Ballvora, Vilma