1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mitingje të mëdha sot në Athinë

Sot u mbajtën në Athinë tre mitingje të mëdha në përfundim të të cilave të rinjtë me maska e kthyen sërish Athinën në arenë përleshjesh. Me gjithë frikën e episodeve pjesëmarrja ishte masive.

Studentë përleshen me policinë para parlamentit grek, 9 dhjetor 2008

Studentë përleshen me policinë para parlamentit grek, 9 dhjetor 2008

Vendin e të rinjve me maska që u tërhoqën me dritën e mëngjesit pasi lanë pas një dekor lufte të vërtetë me shkatërrime dhe dëme të mëdha, e zunë paradite demostruesit sindikalistë të dy konfederatave më të mëdha të vendit, që shpallen grevë 24-orëshe dhe injoruan apelin e kryeministrit për anullimin e tyre në emër të evitimit të ekceseve të mundshme.

Megjithë frikën e episodeve, pjesëmarrja ishte masive. “Ishte një manifestim i madh që tregoi dhe sensibilitetin e njerëzve ndaj një episodi tragjik por edhe kundër politikës ekonomike të qeverisë,” thotë sekretari i federatës së nënpunësve të sektorit shtetëror, Iliopullos. Manifestimet u zhvilluan qetësisht dhe vetëm në përfundim të tyre të rinj me maska përsëritën skenarin e tyre të episodeve, duke kujtuar se makthi i shkatërrimeve nuk ka kaluar.

Athinë 7 dhjetor, 2008.

Athinë 7 dhjetor, 2008.

Të mbledhur në sheshe të ndryshme sindikalistët para parlamentit dhe forcat e majta në dy sheshe të ndryshme për të marshuar në vijim drejt parlamentit, reflektojnë përçarjen e madhe të forcave politike dhe sindikaliste, që së bashku me pamjen e paralizimit të plotë të qeverisë përballë rebelimit të të rinjve me maska, plotësojnë pazllin e krizës së rëndë, në të cilën ndodhet vendi.

Pyetja shtrohet nëse zgjedhjet e parakohshme mund të arrijnë daljen prej saj. “Besojmë se vendi nuk mund të mbetet me qeverinë aktuale dhe se duhet një ndryshim i madh,” deklaroi, në të njejtën frekuencë me opozitën socialiste, Alekos Allavanos, kryetari i partisë së majtë SIRIZA, i cili u fotografua nga qeveria dhe u akuzua hapur nga kryetarja e Partisë Komuniste, Aleka Papariga për flërt me “të rinjtë me maska”.

Studentë përleshen me policinë para Universitetit Politeknik, Athinë 7 dhjetor, 2008.

Studentë përleshen me policinë para Universitetit Politeknik, Athinë 7 dhjetor, 2008.

Përgjigja e zemëruar erdhi më vonë, por edhe sot –“flet pamja e manifestimit,” tha kreu partiak i akuzuar, si për të shprehur edhe divergjencat e mëdha në lidhje me përcaktimin e identitetit të autorëve të dhunës së verbër, që kryeministri Karamanlis i cilësoi “armiq të demokracisë”, Partia Komuniste “llum të inkriminuar” dhe vetëm e majta e Allavanos “të rinj të revoltuar”.

Ndërkohë Athina, por edhe qytetet e tjera po numërojnë plagët e tyre nga shkatërrimet dhe plaçkitjet, dëmet e të cilave përllogariten në 1 miliardë euro. Rreth 500 dyqane dhe 100 banka janë shkatërruar në të gjithë vendin. Dëmin e bën më të madh minimizimi i xhiros, pasi qepenave të mbyllura të dyqaneve të shpëtuara nga vandalizmat u janë shtuar dhe mbulesa të tjera metalike.

Vetëm një mrekulli, mendojnë pronarët e dyqaneve, mund të kthejë atmosferën festive kur në Sintagma, në sheshin para parlamentit, qëndron i shkrumbuar si symbol i shkatërrimeve dhe skeleti metalik i pemës së Vitit të Ri. “Të zgjohemi të gjithë” thotë kryetari i Bashkisë së Athinës Kakllamanis, që si një tjetër Rudolf Xhuliani mundohet të mbajë lart moralin e pronarëve të dëmtuar dhe qytetarëve të tij, tregohet kritik ndaj mefshtësisë qeveritare dhe sot takohet me kryeministrin, Karamanlis.

DW.COM

  • Data 10.12.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GD6k
  • Data 10.12.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GD6k