1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Miti i vendeve të sigurta të origjinës

Për të pakësuar numrin e azilkërkuesve tri vende të Ballkanit do të klasifikohen si "vende të sigurta të origjinës". Por Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi luftojnë me probleme të mëdha.

Për Ministrinë e Brendshme të Bavarisë çështja është e qartë: "Po, ne jemi të bindur se Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë vende të sigurta të origjinës", tha zëdhënësi i ministrisë, Oliver Platzer. "Më shumë se 99 për qind e kërkesave për azil nga këto vende refuzohen nga Zyra Federale për Migrim dhe Refugjatë të pabazuara". Vetëm për arsye humanitare ka përgjigje pozitive, në qoftë se azilkërkuesit nga këto vende janë të dobët dhe të sëmurë, tha Platzer.

Në mënyrë të ngjashme e shohin situatën me sa duket edhe kryeministrat e këtyre vendeve të Ballkanit: "Ne jemi dakord me klasifikimin e Kosovës si vend i sigurtë origjine në ligjin gjerman", shkruanin kryeministri kosovar dhe ai malazez në një letër drejtuar të dërguarit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, David McAllister.

Aktivisti i të drejtave të njeriut Mesovic, Pro Asyl

Aktivisti i të drejtave të njeriut Mesovic, Pro Asyl

Organizata e të drejtave të njeriut Pro Asyl e sheh situatën krejt ndryshe. "Unë kam rezerva të mëdha për t'i cilësuar këto vende si vende të sigurta të origjinës", thotë Bernd Mesovic, zëdhënës i organizatës. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri dhe në Mal të Zi nuk mund të flitet për sundimin e ligjit në kuptimin perëndimor. Nuk ka një gjyqësor të pavarur, gazetarët e padëshirueshëm përndiqen dhe vihen nën presion.

Në Mal të Zi sundon një dinasti përreth kryeministrit Milo Gjukanoviç, flitet madje për struktura shtetërore mafioze. Edhe nepotizmi dhe korrupsioni janë në këto tre vende në rend të ditës, kritikon Mesovic. Sidomos në Kosovë minoriteti rom vuan nga një diskriminim masiv. Shumë romë janë larguar nga vendi për arsye të sigurisë. Konkluzioni i Mesovicit: Ka dyshime të mëdha, nëse të drejtat e njeriut mbrohen në mënyrë efektive në këto vende.

Papunësia, mungesa e perspektivës, dëshpërim

Gjendja ekonomike e pasigurtë vështirëson sidomos jetën e të rinjve. Edhe një çerek shekulli pas përfundimit të komunizmit të egër të Enver Hoxhës Shqipëria bën pjesë në vendet më të varfëra të Evropës. "Shkalla e papunësisë vlerësohet në rreth 30 për qind, shifra të besueshme nuk ka", thotë Konrad Clewing, ekspert i Ballkanit nga Instituti i studimeve për Evropën Lindore dhe Juglindore në Regensburg. "Industria është ende shumë e pazhvilluar dhe bujqësia është e pakultivuar në pjesë të tëra të vendit". Për shkak të krizës ekonomike në Greqi qindramijëra migrantë shqiptarë kanë humbur vendet e punës. Për këtë arsye në Shqipëri nuk vijnë as remitancat nga jashtë.

Kosovarë duke u larguar nga vendi (shkurt 2015): 1,8 milion banorë në varfëri.

Kosovarë duke u larguar nga vendi (shkurt 2015): 1,8 milion banorë në varfëri.

Akoma më e keqe është gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovën fqinje, thotë Belul Beqaj, politolog nga Prishtina. Gati gjysma e 1,8 milion banorëve jeton në varfëri, gati 45 deri 50 përqind e popullsisë së aftë për punë nuk ka punë. Shumica janë të rinj, vendi ka mesataren më të re të popullsisë në Evropë.

Sipas Transparency International Kosova është vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë. "Kudo ka nepotizëm. Është e pamundur të gjesh një punë pa të njohur. Çdo gjë bëhet me lidhje klanore apo familjare", thotë Beqaj. "Ndjenja që në rrugë normale nuk mund të arrish asgjë, mungesa e perspektivës, pafuqia dhe pasiguria, të gjitha këto bëjnë që njerëzit e rinj dhe të guximshëm duan të largohen nga vendi."

Vetëm të ikin

Këtë e konfirmon edhe studimi i Fondacionit Friedrich Ebert për të rinjtë në Evropën Juglindore. Shumica e të rinjve në Ballkanin Perëndimor janë të pakënaqur me gjendjen e demokracisë në vendin e tyre dhe vuajnë nga papunësia dhe varfëria. Ato e shohin veten pa perspektivë, nuk kanë asnjë interes për politikën dhe i shohin me dyshim institucionet politike dhe shoqërore.

Në Kosovë 55 përqind e të anketuarve nga mosha 14 deri 29 vjeçare thonë se dëshirojnë të largohen nga vendi dhe në Shqipëri madje 67 për qind. Situata është e ngjashme në vendet e tjera të rajonit, që konsiderohen tashmë në Gjermani si "vende të sigurta të origjinës". Kështu 53 për qind e të rinjve maqedonas do të donin të largoheshin nga vendi dhe 49 për qind e të rinjve në Bosnjë Hercegovinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Bavarisë Paltzer: Dëbime masive me efekt

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Bavarisë Paltzer: "Dëbime masive me efekt"

Qeveria e landit të Bavarisë përpiqet të parandalojë që këto njerëz të vijnë në Gjermani. Synohen "dëbime kolektive me efekt në opinion", thotë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Platzer. Ai shpreson se klasifikimi i vendeve të reja si vende të sigurta të origjinës do të bëjë efekt që njerëzit të mos vijnë më."

Belul Beqaj nga Prishtina nuk beson se kjo mund të funksionojë. "Kush do të qëndrojë në një vend, ku ai nuk sheh se ka të ardhme, edhe në qoftë se e di se e presin shumë vështirësi në shtetin e ri", pyet në mënyrë retorike politologu. Gjithkush do të shpresonte, thotë Beqaj, se pikërisht ai të ishte te 0.3 përqindëshi, që përfiton azil.

Nëse do të ishte për organizatën Pro Asyl, ka me të vërtetë shanse: "Çdo rast duhet të jetë individual dhe të shqyrtohet me kujdes", thotë Bernd Mesovic, në vend që njerëzit të refuzohen në bazë të origjinës.

Politologu Beqaj nga ana e tij shpreson që nga Gjermania të kthehen sa më shumë kosovarë të jetë e mundur, për të mirën e vendit të tyre: "Sepse ne kemi nevojë për to në Kosovë". Në mesin e atyre, që kërkojnë azil në Gjermani, janë të guximshmit, të pakënaqurit, shpesh të shkolluarit: "Ato duhet të ndryshojnë Kosovën këtu, duhet të protestojnë këtu, në mënyrë që politika të ndryshojë dhe askush do të mos detyrohet të lërë më vendin."