1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Miti Che Guevara – 50-vjetori i vdekjes së revolucionari

Nga luftëtar komunist në hit të konsumit kapitalist: 50 vjet pas vdekjes së Che Guevaras trashëgimia e tij është zbehur. Por luftën e tij e vazhdojnë sot lëvizjet sociale kolektive.

Lamtumirën atij ia ka dhënë madje edhe FARC-u. Që nga koha, kur rebelët dorëzuan armët në Kolumbi, Che Guevara nuk është më lajtmotivi i tyre. Më 9 Tetor mbushen 50 vjet nga vdekja e Ernesto „Che" Guevaras. Mjeku i lindur në Argjentinë në vitin 1928, revolucionari dhe guerilasi e arriti famën e tij gjatë viteve të revolucionit në Kubë, 1956-1959. Ai së bashku me shokun e idealit dhe kreun e mëvonshëm të shtetit kubanez, Fidel Castro (1926-2016) drejtoi revolucionin kubanez. Che u kthye në një figurë simbol të revolucionit. Por postin politik ai e braktisi më vonë për të udhëhequr revolucionet në Kongo dhe Bolivi. Në vitin 1967 Che Guevara u kap nga trupat qeveritare boliviane dhe u ekzekutua.

Bolivien Ernesto Che Guevara (1967) (picture-alliance/AP Photo)

Guerilasi Che fotografohet me dy bebe e një ferme në Bolivi, në vitin 1967, pak kohë para kapjes nga forcat boliviane

Por çfarë ka mbetur nga mesazhi i tij pas fundit të Luftës së Ftohtë, pas afrimit të Kubës me SHBA dhe vdekjes së Fidel Castros? A është ai ende figurë inspiruese e së majtës politike jashtë Kubës?

Jashtë kohe

"Si figurë politike Che ka kohë që është varrosur, por si lider revolucioni, ikonë e pop-it, dhe figurë iluminuese e lëvizjes studentore të viteve 68, ai ende është gjallë", thotë Matthias Rüb, korrespondent i gazetës „Frankfurter Allgemeinen Zeitung", në bisedë me DW. Në biografinë e fundit mbi Che Guevarën, Rüb trajton jo vetëm shënimet e revolucionarit, por edhe rezonancën politike të tij. „Megjithëse Che duket sot si i dalë kohe, ai nuk ka humbur kurrë forcën e simbolit anti-amerikanist."

Por çfarë ndodh tani, në epokën e Trumpit, a po ringjallet padroni i kritikëve të globalizmit dhe heroi i lëvizjeve çlirimtare të majta? Për ekspertin e Che Guevaras, Matthias Rüb, kjo nuk përjashtohet. „Presidenti amerikan, Donald Trump bën gjjithçka që të ringjallet anti-amerikanizmi dhe Che ka gjasa të përjetojë një jehonë të dytë pas jehonës së njohur."

"Krishti me kitarë"

Në Gjermani Che Guevara njihet nga historia e Gjermanisë lindore. Në një kohë kur kantautori i njohur gjerman, Wolf Biermann e cilësoi Che „Krishtin me kitarë", studiuesi i letërsisë, Richard Herzinger e përshkruan Che Guevarën si „doktrinues të pamëshirshëm, veprimi e mendimi i të cilit u sunduan nga një himnizim obsesiv i dhunës dhe vdekjes."

Madje edhe brenda partisë E Majta ka dy qëndrime për të. „Tek ne në zyrën e Karlsruhes qëndron i varur një pllakatë me Che, e së fundmi u diskutua edhe homofobia e tij", thotë Michel Brandt, që për herë të parë përfaqëson të Majtën në Bundestag, e me 27 vjeç është ndër deputetët më të rinj. Ndërkohë që anëtarët më të moshuar e mbrojnë revolucionarin, më të rinjtë janë kritikë ndaj figurës së tij duke u shprehur, se ai nuk i përshtatet më orientimit politik të së majtës.

Për politikanen e Majtë, Heike Hänsel, 51 vjeç, Che Guevara është „promovuesi më i madh i Kubës dhe simbol i pazëvendësueshëm për lëvizjet solidarizuese", por ajo e refuzon luftën e armatosur për drejtësi sociale dhe socializmin, siç e kërkonte Che Guevara. „Ka kaq shumë misione ushtarake, vatra konflikti e luftëra civile, saqë është e papërgjegjshme të propagandosh luftën e armatosur", thotë Hänsel.

Castañeda dhe çmontimi i mitit të Che Guevarës

Ishte ish-ministri i Jashtëm meksikan, Jorge Castañeda që filloi me çmontimin e mitit të Che Guevarës para 20 vitesh. „Idetë e Guevaras, jeta e tij, vepra e tij, mesazhi i përkasin së shkuarës. Prandaj ato nuk kanë për të qenë më kurrë aktuale", shkroi ai në një biografi të botuar në vitin 1997. Deklaratat e Castañedas ishin skandaloze për atë kohë në Amerikën latine. Guevara ishte një figurë inspiruese edhe e kritikëve të neoliberalizmit, politikës ekonomike të mbështetur nga Uashingtoni që çoi Argjentinën në falimentim shtetëror. Fitoret e majta politike në vitet 2000- e ndihmuan Che Guevarën për një „come-back" historik në rajon.

Kuba Souvenirs mit dem Bild von Che (Getty Images/J. Rey)

Gjithkund në Kubë sheh Che Guevarën

Për ekspertin Matthias Rüb janë lëvizjet sociale sot ato që vazhdojnë luftën e drejtuesit të revolucionit kubanez. „Nuk ka më një lider revolucionar të vetëm. Lufta kundër antagonizmave socialë është në Amerikën Latine ende  aktuale, por ajo vazhdohet sot nga lëvizje sociale kolektive, që kërkojnë të drejtën e tyre me rrugë paqësore." Edhe Papa Françesku, argjentinas si Che Guevara bën pjesë këtu, sipas Rüb. „Ky papë përpiqet të vazhdojë trashëgiminë e Che Guevarës në mënyrë paqësore…me pak ekzagjerim mund të thuash..se Papa është Che Guevara i ri."