1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mitet për Kosovën në Serbi

Partitë dhe forcat politike që kanë marrë pjesë në rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti, nuk kanë pasur guxim politik të zgjidhin problemet e mbetura nga koha e tij. Arsyeja? Mes tyre ka pasur shumë forca nacionaliste.

Serbia ende nën mitin e Kosovës

Serbia ende nën mitin e Kosovës

Jeta në Serbi shpesh i ngjan përsëritjes së pafundme të së keqes dhe gabimeve politike. Kjo po ndodh edhe tani me debatet e pufundme lidhur me mundësinë që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë rrezikuar që Serbia të mos marrë këtë status.

Miti për Kosovën rrezikon Serbinë

Miti për Kosovën në Serbi ende është gjallë, ndonëse si çdo mit tjetër, nuk ka kurrfarë lidhje me realitetin. Në vend që të përballemi me realitetin, po përpiqemi edhe tani ta bindim botën se fajtorë janë të tjerët e jo ne.

Goran Jeshiq, kryetar bashkie në qytetin Ingji, dhe përfaqësues i Partisë Demokratike të presidentit Boris Tadiq, thotë se situata e tanishme dëshmon se nuk është dashur përballja me realitetin dhe me faktet. "Nuk kemi dashur t'u themi njerëzve si qëndron puna. Për ndarjen e Kosovës kemi mundur të flasim në Rambuje, e jo tani 12 vite më vonë. Për shkak të mungesës së sinqeritetit ndaj qytetarëve, kemi ardhur në një situatë ku kemi probleme, të cilat pengojnë edhe zhvillimin e Serbisë dhe ekzistencën e shtetit serb në shoqërinë evropiane“, thotë Jeshiq.

Barrikada serbe në veri

Barrikada serbe në veri

Serbia mendon si në kohën e Millosheviqit

Ndërsa gazetari Dimitrije Boarov pohon se zhvillimet e fundit dëshmojnë, se Serbia ende mendon për Kosovën si në kohën e Millosheviqit. „Problemi qëndron në faktin se pushteti pas vitit 2000 nuk është përbërë prej forcave politike të cilat janë shkëputur nga politika nacionaliste e Millosheviqit. Kuptimi tradicional i shtetit dhe kombit edhe më tej mbetet pika qendrore e pushtetit dhe programeve ideologjike në Serbi", pohon Boarov

Sociologu Aleksej Kishjuhas është dakord me pohimet se Serbia ende nuk është ndarë nga politika e Millosheviqit për Kosovën. Në qarqet qeveritare ende ka forca që nuk janë çliruar nga trashëgimia e regjimit të Millosheviqit. „Ky lloj kontinuiteti nuk është ndërprerë. Prandaj nuk të befason fakti që edhe sot po përballemi me problemet dhe temat e njëjta, që edhe sot kemi barrikada dhe gjëra të tilla që kemi pasur më parë. Elitat politike nuk kanë guxim që t'i japin fund kësaj politike, sepse kanë mbetur robër të sondazheve dhe frikës. Ata i kanë shitur në politikë vlerat e veta njerëzore“, mendon ai.

Serbia ende mendon për Kosovën si në kohën e Millosheviqit

Serbia ende mendon për Kosovën si në kohën e Millosheviqit

Forcat nacionaliste në pushtet

Dimitrije Boarov pohon se Serbia pas vitit 2000, ka mundur të ndryshojë politikën ndaj Kosovës. „Nuk e kemi nisur me kohë projektin politik, i cili nënkupton mbrojtjen institucionale të serbëve në Kosovë. Kjo është e mundur vetëm përmes ndonjë autonomie personale, territoriale apo ndonjë autonomie tjetër“, vlerëson Boarov.

Tani në Serbi po pritet me padurim 9 dhjetori, për të parë nëse ajo do të fitojë statusin e kandidatit për antarësim në BE, apo sërish do të kthehet disa hapa mbrapa, në të kaluarën e hidhur.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama