1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Misteri i dosjeve të Stasi-t me 600 milionë copëza

Pas rënies së Murit të Berlinit RDGJ-ja bëri gjithçka të mundshme për të eliminuar gjurmët e spiunazhit të saj. Teknologjia moderne tani është duke ndihmuar për t'i bashkuar copëzat e dokumenteve të grisura.

Për 40 vjet rresht ministria e Sigurimit Shtetëror të RDGJ-së, shkurt Stasi, ka spiunuar qytetarët e saj, i ka keqtrajtuar ata dhe të gjitha këto i ka ruajtur nëpër mijëra dosje - procesverbale të marrjes në pyetje, letra të dërguara me postë, dokumente për spiunazh dhe biznes me Perëndimin. Për të evituar që puna e tyre të zbulohet, bashkëpunëtorët e Stasit u përpoqën që në muajt pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 të zhdukin mundësisht të gjitha gjurmët.

Ato që nuk arrihej të futeshin në grirësen e letrave, griseshin me dorë. Megjithatë në të gjithë vendin qytetarët e angazhuar u kujdesën që bashkëpuntorët e Stasit të mos grisin të gjitha dokumentat. Në fund mbetën rreth 180 kilometra dosje të paprekura dhe rreth 15 mijë thasë me rreth 600 milionë copëza të letrave në to. Pesë vjet pas kthesës është hapur thesi i parë ngjyrë kafe me dokumentet e grisura të Stasit, për t'i bashkuar sërish copëzat e grisura. Kjo për shkak se përmbajtja e tyre është pamasë e vlefshme për përpunimin e regjimit të RDGJ-së.

Një pjesë e madhe e dosjeve kthehet në gjendjen e mëparshme me dorë

Një pjesë e madhe e dosjeve kthehet në gjendjen e mëparshme me dorë

Rebus me copëza kartoni pa shabllonin e nevojshëm

40 bashkëpunëtorë filluan punën me copëzat e letrave. Si atëherë edhe sot stafi i angazhuar për këtë punë një pjesë të madhe të dosjeve e kthen në gjendjen e mëparshme me dorë. "Ky është nje thes me dokumente të copëtuar nga Stasi, nganjëherë më të vogla, nganjëherë më të mëdha. Unë marr një pirg copëzash, ku shoh ngjashmëri më të madhe dhe pastaj përpiqem të bëj bashkë copëzat e grisura. Nganjëherë kemi fat dhe dosjet i gjejmë të shqyera vetëm në mes", thotë Ines Splettstësser.

Ajo me tre kolege të tjera janë ulur në tavolina të mëdha në katin e tretë të ish- ministrisë së Sigurimit të Shtetit në Berlin-Lichtenberg. Para tyre ndodhen copëza letrash në ngjyra, forma dhe madhësi të ndryshme. Zyrat janë mbushur plot me kuti të arkivit, aty renditen letrat e ngjitura një nga një me dorë. Një sprovë e pabesueshme e durimit, sepse nuk ka shabllone për punën, që bëjnë. Stafi nuk e di, se si do të duket faqja me vonë. Ata po ashtu nuk e dinë, nëse të gjitha copëzat ndodhen në të njëjtin thes.

"Pavarësisht se si është dukur një thes ka raste kur një bashkëpuntor ka punuar një deri në dy vjet me copëzat e një thesi dhe nuk ka arritur t'i bëj në fund së bashku", thotë Joachim Häußler, një prej udhëheqësve të projektit të Zyrës për dokumentet e Stasit. Aktualisht janë 12 bashkëpunëtorë, që vazhdojnë të bashkojnë me dorë copëzat e grisura të dokumenteve.

Dosjet ngjiten fletë për fletë

Dosjet ngjiten fletë për fletë

Tani duhet të ndihmojë edhe kompjuteri

Ka 18 vjet që ka filluar bashkimi me dorë i copëzave të dosjeve të Stasit. Dhe do të merrte edhe disa dekada të tjera kohë për të rekonstruktuar vetëm dokumentet më të rëndësishme. Prandaj për këtë duhet të ndihmojë tani teknologjia moderne. Në vitin 2007 qeveria gjermane ka porositur Institutin Frauenhofer për sistemet e prodhimeve teknologjike, shkurt IPK që të zhvillojë një program kompjuterik, që mbledh copëzat automatikisht dhe shpejt. Që nga fillimi i këtij viti në punë është vënë i ashtuquajturi "ePuzzler".

Në pllakën prej qelqi të skanerit, e cila është e madhe pothuajse sa një tavolinë kuzhine, në një prej dhomave të institutit janë përhapur midis dy folieve mbrojtëse disa dhjetëra copëza letra, jo më të mëdha se monedhat e dy eurove. Një skaner i veçantë i skanon ato nga të dyja anët në të njëjtën kohë. Sekonda më vonë, të gjitha copëzat mund të shihen në ekranin e madh në mur. Tani ato janë digjitalizuar dhe softueri i specializuar mund të fillojëtë bashkojë "rebusin e copëzave të letrës".

Drejtuesi i projektit, Bertram Nickolay, shpjegon se si funksionon kjo: "Nga çdo copëz ne llogarisim një numër të karakteristikave, domethënë tiparet që i karakterizojnë copëzat vetë." Në këtë mënyrë makina mund të dallojë ngjyrat, llojin e letrës dhe formën. Ajo analizon po ashtun nëse fletët janë shkruar me dorën apo më makinë shkrimi. "Kjo do të thotë, program kompjuterik kërkon copëzat, që kanë karakteristika shumë të ngjashme", thotë Nickolay.

Puna analoge zëvendësohet me punën digjitale

Puna analoge zëvendësohet me punën digjitale

Por megjithë zbulimin e "ePuzzler" pa punën me dorë nuk do të funksionojë as në të ardhmen. Kjo për faktin se dikush duhet të vendosë se çka do të rikonstuktohet, të ndihmojë, nëse makina nuk punon siç duhet dhe në fund t'i bëjë bashkë faqet e bashkuara në mënyrë elektronike.