1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Misioni EULEX në Kosovë edhe pas 14 qershorit?

Në qershor të këtij viti, do të rishikohet mandati i misionit EULEX. Dialogu me Serbinë dhe angazhimi i misionit veçanërisht në veri të vendit, janë arsye për qendrimin e EULEX-it në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi EULEX, nuk do të largohet nga Kosova në qershor të këtij viti, ashtu sic ishte thënë më herët. Por, ky mision, përkatësisht strukturat vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, në qershor të këtij viti do ta rishikojnë mandatin dhe në kuadër të rishikimit, planifikohet modifikim i përgjegjësive të misionit. Kështu i tha DW-së, Driton Lajqi, këshilltar politik i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuci. Kjo ministri tashmë ka hartuar një draft strategji, e cila në radhë të parë ka të bëjë me konfirmimin e gatishmërisë për të zgjeruar kompetencat e institucioneve kosovare.

Institucionet e Kosovës të gatshme të marrin përgjegjësi nga EULEX-i

Driton Lajqi, këshilltar politik i ministrit të Drejtësisë

Driton Lajqi, këshilltar politik i ministrit të Drejtësisë së Kosovës

“Qëllimi i strategjisë sonë ka të bëjë në radhë të parë me gatishmërinë për t'i zgjeruar kompetencat në disa fusha dhe po ashtu për të treguar për një arritje të pjekurisë institucionale të institucioneve të Kosovës, për të marrë përgjegjësi të plota, konform situatave dhe rrethanave në terren”, thotë Driton Lajqi.

Lajqi thotë se rrethanat e reja të krijuara në terren, sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daciq dhe angazhimit që do të ketë misioni EULEX, kanë bërë që misioni EULEX të qëndrojë në Kosovë, ndonëse akoma nuk dihet se me çfarë mandati saktësisht.

Këtë vit nuk ka përfundim të mandatit të EULEX-it

"Nuk bëhet fjalë për përfundim të misionit të EULEX-it në Kosovë, por për rishikim të mandatit, modifikim të disa përgjegjësive të tyre, sepse tash kemi një realitet të ri për shkak të situatës në terren e ky është dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, detyrat që ka marrë misioni EULEX për t'i zbatuar në terren, sidomos në sferën e sigurisë”, thotë Driton Lajqi.

Ai thotë se në këtë kuadër nuk mund të flitet, për përfundim të mandatit të misionit EULEX në qershor të këtij viti, por, shtim të kompetencave për institucionet e Kosovës gjithnjë duke mbetur në një sië thuhet, bashkëpërgjegjësi.

EULEX ende pa qendrim të qartë rreth mandatit të vet

Pllakatë kundër EULEX-it në Prishtinë

Pllakatë kundër EULEX-it në Prishtinë

Zyrtarë të misionit EULEX, nga ana e tyre akoma nuk kanë dhënë një qendrim të qartë se si do të jetë mandati i misionit pas datës 14 qershor të këtij viti. Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, i tha DW-së se “Ende nuk ka ndonjë vendim për EULEX-in”.

“Mandati i misionit është deri më 14 qershor të vitit 2014. Bisedimet për të ardhmen e misionit të BE-së janë duke vazhduar dhe çfarëdo vendimi që do të merret për këtë mision, ai do jetë rezultat i bisedimeve të përbashkëta ndërmjet autoriteteve të Kosovës, shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si strukturave të saj në Bruksel”, thotë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Ndërkohë, Driton Lajqi, këshilltari politik i ministrit të drejtësisë, që ka punuar në draft-strategjinë e qeverisë për mandatin e emisionit EULEX, thotë se deri tash përshtypja publike ka qenë se institucionet kosovare dhe misioni EULEX, kanë punuar si dy struktura të ndara dhe qëllimi i draft-strategjisë është që të ndryshohet kjo “përshtypje”.

“Deri tash është krijuar përshtypja që institucionet e Kosovës dhe misioni EULEX janë dy struktura paralele dhe sikur ato punojnë në kuadër të ligjeve të ndryshme. Në fakt ky dualizëm në raste të caktuara ka qenë edhe i shprehur edhe pse jo në masë të madhe”, thotë Driton Lajqi.

Ai thotë se “ideja tash është që të rifuzionohemi dhe të punohet në kuadër vetëm të një ligji, vetëm të një sistemi duke i bërë bashkë edhe mjetet e punës, duke e ndarë edhe hapësirën e përbashkët dhe duke marrë kompetenca të përbashkëta për raste të caktuara, do të thotë punë ekipore e përbashkët”.

“Pra një prokuror i Kosovës dhe një prokuror i EULEX-it të punojnë në kuadër të një zyre dhe të marrin detyra të përbashkëta”, thotë Driton Lajqi.

Misioni i BE-së EULEX u vendos në Kosovë në shkurt të vitit 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky mision vazhdon të ketë kompetenca ekzekutive dhe trajton kryesisht rastet e krimeve të luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin. Bazuar në raportin e fundit të progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, gjyqësori dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë mbeten ende të ndikuar nga politika dhe të mbingarkuar me lëndë të pazgjidhura. Po ashtu kërkohet reforma në sistemin e drejtësisë.