1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Misioni eksport: francezë të rinj në Gjermani

Që kur ekonomia franceze ndodhet në krizë, edhe firma të vogla franceze e kanë zbuluar Gjermaninë si treg.

Në shtëpinë e saj në Francë, Olympe Lanzarotti do të kishte bërë tani ndonjë trajnim tjetër. 24 vjeçarja sapo ka përfunduar studimet e larta për marketing.

"Ne jemi një brez që bën shumë trajnime praktike. Rri gjashtë muaj në një vend, pastaj vjen pasardhësja, nuk je fare e rëndësishme për firmën."

Përkundrazi, Olympe Lanzarotti është e rëndësishme për punëdhënësin e saj. Misioni i saj: ajo duhet të pushtojë tregun gjerman për një firmë të vogël, për firmën Miage nga Lioni, e cila me dhjetë punonjës ndër të tjera prodhon pëlhura të gomuara, me të cilat në industrinë e mbeturinave mbulohen konteinierët. Që prej marsit, Olympe përpiqet që nga zyra e saj në Këln që të gjejë klientë të rinj.

Ngjashëm e ka punën edhe Alexandre Vanpoulle. Solisysteme, punëdhënësi i tij, nuk është shumë më i madh se firma e Olympe Lanzarottit. 25 punonjësit në Poitier të Francës perëndimore prodhojnë streha bioklimatike, të cilat i mbrojnë verandat nga dielli dhe shiu. Edhe Alexandre Vanpoulle ka një zyrë në Këln, edhe dëshiron ta nxisë shitjen në Gjermani. Me sukseset e para, siç thotë ai:

"E kam filluar nga zeroja. Ndërkohë kam lidhur disa kontrata për sipërmarrjen tonë. Rezultatet do t'i shohim vitin e ardhshëm, sepse çatitë për verandat fitojnë rëndësi në pranverë dhe në verë."

Disbalancë në bilancin tregtar

Franca dhe Gjermania janë ekonomitë më të mëdha në Bashkimin Evropian dhe janë për njëra-tjetrën partnerët më të rëndësishëm tregtarë. Por megjithatë raportet nuk janë shumë të balancuara. Ka shumë vite që Gjermania shet shumë më tepër mallra në Francë se sa blen atje. Vitin e kaluar teprica gjermane në bilancin tregtar me Francën ishte rreth 40 miliardë euro, më shumë se me çdo vend tjetër të botës.

Përsa i përket eksportit, firmat gjermane kanë shpesh përparësi të qartë përballë atyre franceze, thotë Christophe Kühl, i cili ka licensë avokati për të dyja vendet. Në Gjermani ka më shumë sipërmarrje të mesme me para.

Alexandre Vanpoulle e ka filluar nga zero

Alexandre Vanpoulle e ka filluar nga zero

"Kurse në Francë ne kemi disa struktura shumë të mëdha dhe fare shumë struktura të vogla, qarkullimi i të cilave në vit arrin një, dy ose tre milionë euro. Dhe firma të tilla, të cilat shpesh kanë vetëm pesë deri dhjetë punonjës dalin shumë më pak në eksport se një sipërmarrës i mesëm gjerman, që ka 250 punonjës dhe një qarkullim prej 50 milionë eurosh."

Villa France ndërmjetëson e ndihmon

Për t'ua lehtësuar edhe firmave të vogla hapin në tregun e vendit fqinj, Kühli themeloi pak vjet më parë në Këln Villa France, një shtëpi e cila bashkon zyra, shërbime sekretarie, si dhe këshillime juridike dhe ekonomike. Kërkesa është e madhe - edhe sepse në Francë ekonomia është bllokuar dhe qarkullimi i parave është në rënie. 40 vullnetarë ndërkombëtarë i kanë zyrat e tyre në vilë - ata përpiqen të gjejnë klientë për firmat e tyre. Alexandre Vanpoulle:

"Për asnjërin nga ne nuk është e lehtë, fillimi është gjithmonë shumë i vështirë. Gjermania është edhe një vend shumë specifik, ku të duhet kohë për të bërë diçka."

Detajet teknike dhe shifrat luajnë një rol të madh në Gjermani, thotë gjermano-francezi, Christophe Kühl. Në Francë përkundrazi, marrëdhëniet e biznesit janë më personale.

"Ti duhet ta bësh për vete njëherë francezin - dhe jo me argumenta racionalë dhe me çmime, por me personin tuaj dhe me synimin tënd."

Thomas Wolter është një francez tjetër me mision eksportin në Gjermani. Punëdhënësi i tij, Opinel është më i madh dhe më i njohur se firmat e dy kolegëve të tij. Në Francë, Opineli është sinonim për thikat që palosen, një pjesë e kulturës franceze. Kur Thomas Wolter vjen me çantën e tij me modele të ndryshme në Gjermani, fakti i të qenit gjysëm gjerman, gjysëm francez ia lehtëson punën.

"Më ndihmon që jam gjysëm francez dhe gjysëm gjerman. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për Opinelin, edhe për klientët e mi. Ata e vënë re këtë menjëherë në theksin tim, që vij nga Franca dhe më pyesin, kjo ma lehtëson punën."

E N D E