1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Misionet gjermane jashtë vendit: fundi i kulturës së shmangies?

Para samitit gjermano-francez kancelarja Angela Merkel premtoi më shumë angazhim në Afrikë dhe një bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Parisin. Po a është ky premtim serioz?

Nënteksti për politikën e re të jashtme gjermane erdhi disi pa kuptuar: në një intervistë të publikuar si video-podcast në internet të kancelares gjermane me një bashkëpunëtore të Zyrës Franko-Gjermane për Rininë, Angela Merkel fliste fillimisht për marrëvshjene Elysee dhe më pas lëvdonte misionin e trupave gjermane jashtë vendit: "Ne kemi mbështetur ushtrinë franceze në Mali duke ndihmuar në furnizimin me karburant të avionëve." Vetëm më pas erdhi fraza thelbësore: "Ka mundësi për më shumë të përbashkëta ."

Në këtë pikë ndoshta askush nuk do ta kundërshtonte. Që prej 25 vjetësh bashkëpunimi ushtarak gjermano-francez ka mbetur në vend, që prej 25 vjetësh Franca dhe Gjermania kanë në fakt një bridagë të përbashkët me 6000 vetë, e cila megjithë këmbënguljen franceze deri tani asnjëherë nuk ka kryer misione si një njësi e tërë. Prej vitesh Franca i lutet qeverisë gjermane për mbështetje për misionet e saj ushtarake, kryesisht në Afrikë dhe prej po aq vitesh Gjermania bllokon vetveten në misione qartësisht humanitare. Berlini dërgon e shumta pak personel mjekësor apo trajnerë ushtarakë si tani në Mali, ose vë në dispozivion material.

Deutsch-Französische Brigade Soldaten Deutschland Frankreich

Brigada ushtarake gjermano-franceze

A është Gjermania ende e aftë për aleancë?

Katër vitet e kaluara sipas këndvështrimit francez kanë qenë veçanërisht zhgënjyese. Ndërkohë që Gjermania bëhej gjithnjë e më e pushtetshme ekonomikisht, vendi nën qeverisjen e kancelares Merkel po bëhej gjithnjë e më i parëndësishëm në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ish ministri i Jashtëm Guido Westerwelle e ngriti shmangien krejt zyrtarisht në "kulturë të përmbajtjes" dhe ish ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière i përgjigjej kërkesave nga Parisi për më shumë angazhim ushtarak me refuzim të thatë: Gjermania nuk ka nevojë për mësime nga partnerët. "Në Francë në qarqet e politikanëve për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme shtrohej pyetja nëse Gjermania është ende e aftë dhe ka vullnet për të qenë partner në aleancë", thotë Stefan Seidendorf nga Instituti Gjermano-Francez në Ludwigsburg.

Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohet që deklaratat shumë të kujdesshme të Angela Merkelit lidhur me bashkëpunimin gjermano-francez, nga shumë vëzhgues në Gjermani dhe Francë interpretohen si një kthesë në politikën gjermane të jashtme dhe të sigurisë. Kësaj i shtohet edhe fakti që koalicioni i madh prezantohet në përgjithësi ndryshe nga qeveria e fundit.

Jo më vetëm presidenti gjerman Joachim Gauck, por edhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier dhe ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, kërkojnë më shumë angazhim gjerman jashtë vendit. Von der Leyen madje në vizitën e saj të fundit në Afrikë la të kuptohej se Gjermania megjithë misionin në Afganistan ka ende kapacitete të lira ushtarake. Gjermania në të ardhmen do të marrë më shumë përgjegjësi, edhe në Afrikë, është mesazhi predominues. Kancelarja siguroi se Franca nuk do e mbajë e vetëm gjithë barrën.

Sinjal paralajmërues

Stefan Seidendorf vom Deutsch-Französischen Institut in Ludwigsburg

Stefan Seidendorf

Megjithatë ka dyshime. Politologu gjermano-francez Seidendorf beson se prapa ndryshimit të mendimit nga gjermanët, nuk qendron bindje e brendshme por padurimi në rritje i partnerëve në BE: "Në samitin e fundit të BE-së u pa se politika e përmbajtjes e ish ministrit Westerwelle nuk ka të ardhme." Shenja më e qartë ishte njoftimi i Presidentit francez François Hollande për tërheqjen e regjimentit të fundit francez të stacionuar në Gjermani: "Skandali rreth regjimentit në Donaueschingen ishte sinjali i fundit paralajmërues për qeverinë gjermane, për të bërë të qartë se nëse nuk doni, nuk mundeni, atëherë na duhet të gjejmë partnerë të tjerë."

Këtë sinjal paralajmërues duket se kancelarja e ka kuptuar. Por deri tani shumë pak lë të kuptosh se pas toneve të reja në politikën e jashtme, qendron edhe një ndërgjegjësim i ri i Gjermanisë për përgjegjësinë që duhet të marrë. Vërtet kancelarja Merkel pak kohë më parë në Bruksel aprovoi një mision evropian në Afrikën Qendrore, për t'i dhënë fund luftimeve të përgjakshme mes të krishterëve dhe myslimanëve, por punën delikate ushtarake do t'ua lërë të tjerëve.

Bundeswehr in Mali

Bundeswehr në Mali

Rezervat ndaj politikës franceze për Afrikën

Shumë partnerë në BE janë të nervozuar që qeveria gjermane thotë vazhdimisht çfarë nuk do, në vend që të bëjë vetë propozime për një politikë më të mirë sigurie. Pikërisht në Afrikë ka për Gjermaninë mjaft arsye për të marrë më shumë përgjegjësi, mendon edhe politologu Seidendorf: shumë konflikte atje mbështesin avancimin e islamizmit dhe krijimin e flukseve të reja të refugjatëve.

Një angazhim më i fortë gjerman mund të ndihmojë gjithashtu për zbutjen e gabimeve të vjetra në politikën franceze për Afrikën. Politika franceze në Afrikë gjendet aktualisht në një fazë kthese, thekson Seidendorf. Ndërkohë që misione të mëparshme p.sh. në Bregun e Fildishtë, ishin ende qartësisht të motivuara nga synime post-koloniale për influencë politike, operacionet në Mali dhe Afrikën Qendrore treguan se Franca aktualisht interesohet kryesisht për ndihmën humanitare dhe stabilizimin e rajonit. Një mbështetje gjermane në Afrikë nuk do të përshpejtonte dhe siguronte vetëm ndryshimin pozitiv të politikës franceze të sigurisë, thotë Stefan Seidendorf nga Instituti Gjermano-Francez: "Pikërisht në disa ish koloni franceze një ndihmë evropiane do të pritej nga popullsia më mirë se sa angazhime thjesht franceze, ndaj të cilave ka ende një lloj rezerve."