1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryediplomati i Polonisë me mision në Berlin

17 Janar 2018

Kur ministri i Jashtëm polak Czaputowicz do të vijë të mërkurën në Berlin, ai do të shkelë një terren të vështirë. Ai ndodhet para misionit për ta përmirësuar raportin e vështirë midis dy shteteve fqinje.

https://p.dw.com/p/2qvaO
Jacek Czaputowicz
Jacek CzaputowiczFotografi: picture alliance/PAP

Nga bashkësia gjermano-polake e vlerave, e cila përcaktoi për shumë vite pas 1989 raportin midis të dyja shteteve, sot nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. Gjëkundi nuk duket as bashkëpunimi pragmatik, i cili ndihmoi para 2015-ës për të zgjidhur problemet - kështu të dyja vendet për vite të tëra rakorduan politikën ndaj Ukrainës.

"Krahasuar me pritjet e mëparshme marrëdhëniet janë shumë të këqia", thotë Piotr Buras, shef i Përfaqësisë në Varshavë të European Council of Foreign Relations (ECFR). Midis Berlinit dhe Varshavës thuajse nuk ndodh asgjë dhe mungojnë si projektet e përbashkëta politike, ashtu edhe një dialog serioz për tema të rëndësishme. Me kërkesat aktuale të Varshavës ndaj Gjermanisë për të paguar dëmshpërblime lufte, 70 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, qeveria polake i hodhi edhe më tej benzinë zjarrit, thotë Burras.

Mision i vështirë

Se cilat do të jenë thekset që do të vendosë në vizitën e tij ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Czaputowicz ende është e paqartë. Për paradhësin e tij, Witold Waszczykowski Gjermania ishte para së gjithash një partner i preferuar ekonomik. Aleatët politikë ai i kërkonte tjetërkund - para së gjithash në Budapest dhe në Londër.

Prandaj  deklarata e parë nga Varshava zgjon të paktën disa shpresa. Në marrjen e detyrës, Czaputowicz deklaroi: "Gjermania është për ne partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe politik. Ne duam të mbajmë marrëdhënie shumë të mira".

Atmosferë e ftohtë

Në kryeqytetin gjerman Czaputowicz-i vjen pas një vizite të detyrueshme në Bullgari, e cila ka aktualisht drejtimin e radhës së BE. Kjo është e pazakontë, sepse paraardhësi i tij dhe politikanë të tjerë drejtues të Polonisë i janë shmangur në dy vitet e fundit me konsekuencë Berlinit.

Berlini tregohet i qëllimisht i rezervuar dhe nuk bën vërejtje kritike ose ndërhyrje për gjendjen në Poloni - pasi e di mirë se çdo kritikë nga ky drejtim mund ta përkeqësonte edhe më shumë situatën, thuhet jozyrtarisht në Berlin. Afrimi ndërkohë nuk ka funksionuar, siç tregojnë disa vizita. Atmosfera ka mbetur e ftohtë, megjithëse kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ish-kryeministrja polake Beata Szydlo u takuan disa herë.

Kërkesat për reparacione i dëmtojnë marrëdhëniet

Në verë 2017, atmosfera u ftoh edhe më tepër, kur kryetari i PiS Jarosław Kaczyński foli në shtypin gjerman për kërkesa për reparacione ndaj Gjermanisë. Pak pas kësaj, në mes të fushatës elektorale tonin e ashpërsoi edhe kancelarja. Sado që Gjermania i dëshiron fort marrëdhëniet e mira me Poloninë, "ne nuk mund ta mbajmë gojën mbyllur", tha ajo para shtypit. Ajo ju referua reformës juridike në Poloni, por fjalia kishte edhe një jehonë parimore.

 

Jacek Lepiarz, një burrë i thinjur me golf të zi dhe xhaketë ngjryë jeshile që shikon drejt e në kamera
Jacek Lepiarz Gazetar i redaksisë polake të DW, me fokus të veçantë në çështjet polako-gjermane