1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mision i vështirë i Steinmeierit në Turqi

Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier viziton Turqinë për herë të parë pas puçit ushtarak në korrik. Pas takimit me homologun Cavusoglu, Steinmeier flet për bisedime jo të lehta.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier (SPD) ka shprehur qartë në vizitën e tij të parë në Turqi pas puçit ushtarak, shqetësimet e Gjermanisë për zhvillimet në vend, arrestimet masive dhe kufizimet e lirisë së mendimit. "Mos e kuptoni ju lutem, këtë si arrogancë, ose sikur po ju mësojmë", u shpreh ai në takimin me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu në Ankara. Steinmeier u shpreh se është " më së paku i irrituar" për akuzën e Erdoganit se Gjermania është territor tërheqjeje për terroristët e partisë së ndaluar kurde, PKK. Këtë akuzë ne "thjesht dhe troç nuk e kuptojmë", shtoi ai. Por Steinmeier i është dashur të dëgjojë akuza të forta në Ankara. Cavusoglu ka përsëritur akuzën se Gjermania është vendstrehim i terroristëve të PKK-s dhe përkrahësve të "të çmendurit", siç e quajti ai, Gylen.

Ministri i Jashtëm gjerman kritikoi arrestimet masive, por edhe theksoi rëndësinë e dialogut bilateral. "Është e rëndësishme që të flasim hapur dhe t'i themi të vërtetën njëri-tjetrit." Steinmeier tha se e përshëndet Cavusoglunë për një "bisedë jo edhe aq të lehtë sot."

Steinmeier pritet edhe nga presidenti turk, Erdogan dhe kryeministri Binali Yildirim. Ndërsa ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu kritikoi rezolutën e Armenisë, por shprehu shpresën, që marrëdhëniet me Gjermaninë të kthehen shpejt "në kohën e dikurshme". Ai lëvdoi prezencën e avionëve gjermanë të tipit Tornado në bazën turke Incirlik si një "kontribut të rëndësishëm, jo vetëm në luftën kundër Shtetit Islamik, por edhe në luftimin e terrorizmit në tërësi."

Opozitarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut e akuzojnë Turqinë se nën pretendimin e luftimit të terrorizmit pas puçit ushtarak më 15 korrik po u mbyll gojën kritikëve të qeverisë dhe po lan hesape të vjetra. Pas puçit ushtarak autoritetet kanë arrestuar 35.000 vetë, dhjetëra mijëra të tjerë janë larguar nga puna.