1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Miratim nga e gjithë bota dhe indinjatë nga Kina - Reagimet ndërkombëtare ndaj Nobelit për Paqen

Komiteti i Çmimit Nobel e quajti vendimin kontrovers por të drejtë: aktivisti për të drejtat e njeriut Liu Xiaobo mori Nobelin për Paqe 2010. Vendimi pati jehonë pozitive në botë, por qeveria kineze reagoi e indinjuar.

Nobelisti Liu Xiaobo - Shpresë për të gjithë kinezët që kërkojnë demokratizim të vendit.

Nobelisti Liu Xiaobo - Shpresë për të gjithë kinezët që kërkojnë demokratizim të vendit.

Komiteti i Çmimit Nobel në Norvegji deklaroi të premten (8.10.) se Liu Xiaobo nderohet me Nobelin për Paqen për luftën e tij të gjatë dhe të padhunshme për të drejtat themelore të njeriut në Kinë. Komiteti prej një kohë të gjatë beson se ekziston një lidhje e ngushtë mes të drejtave të njeriut dhe paqes.

Gruaja e Liu Xiaobosë, Liu Xia, është e bindur se nderimi me Çmimin Nobel do të jetë i dobishëm për burrin e saj dhe për Kinën.

Liu Xia, gruaja e Nobelistit të paqes 2010 Liu Xiaobo.

Liu Xia, gruaja e Nobelistit të paqes 2010 Liu Xiaobo.

"Unë mendoj se burri im do të kthehet në shtëpi. Çmimi do të thotë edhe më shumë përgjegjësi. Shokët e Liu Xiaobosë shpresonin më shumë se vetë Liu, se ai do të merrte Nobelin. Kjo do të thotë që Kina ka shans të ndryshojë. Kina mund të arrijë një tranzicion paqësor dhe të arsyeshëm. Të gjithë e dëshërojnë shumë këtë. Shumë njerëz ndihen të inkurajuar nga çmimi. Ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe do të arrijnë ndryshim të vërtetë në Kinë."

Kina reagon me indinjatë

Qeveria kineze reagoi me indinjiatë ndaj dhënies Liu Xiaobosë të Nobelit për Paqe dhe kërcënon me prishjen e marrëdhënieve kinezo-norvegjeze. "Çmimi Nobel duhet t'u akordohet atyre që nxisin harmoninë mes popujve, miqësinë ndërkombëtare dhe çarmatimin dhe atyre që organizojnë konferenca për paqe. Kjo ka qenë dëshira e Alfred Nobelit", thuhet në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së Jashtme kineze. "Liu Xiaobo është gjykuar fajtor për shkeljen e ligjeve kineze dhe është dënuar me heqje lirie nga drejtësia kineze. Veprat e tij janë në kundërshtim me qëllimin e Çmimit Nobel për Paqen. Përmes nderimit të këtij personi Komiteti i Çmimit Nobel e ka dëmtuar këtë çmim", thuhet më tej në deklaratën e qeverisë kineze.

Qeveria gjermane e përshëndeti vendimin

Qeveria gjermane e uroi laureatin kinez. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, u shpreh:

Zëdhësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.

Zëdhësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.

"Ai është një njeri i guximshëm, që përpiqet të ndihmojë në triumfin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vendin e tij, por di dhe ka thënë gjithnjë hapur se ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, i cili duhet patjetër të zhvillohet pa dhunë. Ne si qeveri gjermane e dimë se Kina duhet të gjejë rrugën e saj."

Seibert theksoi se qeveria gjermane ka qenë angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet për lirimin e Liu Xiaobosë.

Xiaobo simbolizon vlera dhe të drejta themelore, që BE i sheh si themelin e një shoqërie të lirë

Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso e përshëndeti akordimin e Nobelit aktivistit kinez Liu Xiaobo. "Vendimi i Komitetit mbështet ata të cilët me privacione të mëdha, luftojnë për lirinë dhe të drejtat e njeriut", u shpreh Barroso në Bruksel.

Presidenti i Parlamentit Evropian Jerzy Buzek, theksoi rëndësinë e çmimit për marrëdhëniet e BE-së me Kinën. "Liu Xiaobo simbolizon vlera dhe të drejta themelore, që ne në BE i shohim si themelin e një shoqërie të lirë". Kina dhe Evropa po ndërtojnë një urë, por një pjesë e madhe e këtij bashkëpunimi duhet të jetë ruajtja e të drejtave të pakica dhe atyre civile.

Urime për aktivistin kinez Liu Xiaobo erdhën edhe nga qeveria tibetiane në mërgim. Zëdhënësi i Dalai Lamës tha se "Dalai Lama gëzohet shumë për këtë lajm dhe e uron nga zemra Liu Xiaobonë. Ai beson se brezi i ardhshëm i të rinjve kinezë do të korrë frytet e përpjekjeve të Liusë dhe bashkëpunëtorëve të tij."

Përshëndetje edhe nga organizatat për të drejtat e njeriut

Vendimi i Komitetit të Nobelit u përshëndet edhe nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International. Në një deklaratë për shtyp të organizatës thuhet: "Liu Xiaobo e ka merituar plotësisht Nobelin për Paqe. Ai përfaqëson të gjithë ata që angazhohen për të drejtat e njeriut në Kinë." Amnesty International kërkon lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Kinë, që nuk përdorin dhunën.

Liu Xiaobo / Anhänger / Hongkong / China

Protestë në mbështetje të Liu Xiaobosë në Hong Kong. 2009

Zëdhënësja e organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights në Kinë, Sharon Hom, u shpreh e gëzuar që Komiteti i Çmimit Nobel nuk u përkul para trysnisë së qeverisë kineze.

"Ky është një demonstrim i qartë i pavarësisë së Komitetit të Nobelit dhe një mesazh i rëndësishëm, që e kanë shprehur Liu Xiaobo dhe të tjerë, se e vetmja rrugë për Kinën është më shumë transparencë dhe reforma politike."

Vendimi i Komitetit do të mbështesë të gjitha ato forca që kërkojnë reforma politike në Kinë, brenda dhe jashtë qeverisë kineze.

Autor: Christoph Ricking / Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

  • Data 09.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pa1r
  • Data 09.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pa1r