1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mirëkuptim i përbashkët

Presidenti i SHBA-së Obama dhe homologu i tij rus Medvedjev ranë dakord në Moskë për një marrëveshje kornizë që do të shërbejë si pasuese e paktit START për çarmatimin, afati i të cilit skadon në fund të vitit.

Matroshka me figuren e Medvedevit dhe te Obames

Një sërë idesh të përbashkëta por dhe pika fërkimit midis Moskës dhe Uashingtonit

Duke e përshëndetur si një "fillimi të ri" në marrëdhëniet midis dy vendeve Obama dhe Medvedjev komunikuan në një konferencë të përbashkët shtypi në Moskë planet për reduktimin e arsenaleve të armëve bërthamore. Hapi kryesor, vunë në dukje Obama dhe Medvedjevi, është "mirëkuptimi i përbashkët" me synim reduktimin e numrit të armëve bërthamore.

Rusia në kërkim të një fillimi të ri në marrëdhëniet me Uashingtonin

Presidenti rus Medvedjev theksoi, se "vendet tona duan një bashkëpunim që t'i përgjigjet shekullit të 21-të." Marrëveshja kuadër për bisedimet mbi çarmatimin tregon, se Rusia dhe SHBA-ja duan t'u përgjigjen detyrimeve që kanë si superfuqi, tha ai. Medvedjev tha se Moska është duke kërkuar një fillim të ri të marrëdhënieve me Uashingtonin, pavarësisht dallimeve që vazhdojnë të ekzistojnë midis dy vendeve. Ai nënvizoi se është dakord që bisedimet për çarmatimin të vazhdojnë.

Me pakësimin e armëve të tyre bërthamore SHBA dhe Rusia synojnë të japin një shembull

Obama nga ana e tij vlerësoi atë që ai e quajti kontribut të Rusisë për t 'u bërë ballë kërcënimeve bërthamore në botë. Obama theksoi përpjekjet e përbashkëta për arritjen e një marrëveshjeje kuadër si pasuese e asaj START duke nënvizuar, se SHBA dhe Rusia synojnë të japin shembullin për pakësimin e armëve të tyre bërthamore. Të dyja palët synojnë pakësimin nga 2.200 deri në 1.500 apo 1.675 secili të arsenaleve të këtyre armëve.

Me nderime presidenciale, Obama dhe Medvedjev duke hyrë në sallën e bisedimeve në Kremlin

Obama dhe Medvedjev duke hyrë në sallën e bisedimeve në Kremlin

Duke pasur parasysh në këtë kontekst Korenë e Veriut dhe Iranin Obama tërhoqi vëmendjen se "ne i mbajnë angazhimet tona, kështu që na duhet të sigurojmë që edhe vendet e tjera duhet të bëjnë të njëjtën gjë." Obama dhe Medvedjev deklaruan se kanë pasur bisedime konstruktive lidhur me Korenë e Veriut dhe Iranin. Medvedjev bëri të ditur se është "rënë dakord për një deklaratë të përbashkët bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes nga raketat si dhe ndaj kërcënimeve të përbashkëta. Raketat balistike konsiderohen si sfida e shekullit të 21-të, duke përfshirë këtu edhe ato që posedojnë Irani dhe Koreja e Veriut. " Në kuadër të zgjerimit të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë, Obama tha, se është rënë dakord për ngirtjen e një komisioni dypalësh presidencial të koordinuar në nivel ministrash të jashtëm.

Të përbashkëta por dhe pika fërkimit midis Moskës dhe Uashingtonit

Të dyja palët theksuan nevojën për stabilizimin në Afganistan. Ndonëse Rusia nuk është e involvuar ushtarakisht atje, Kremlini druhet nga rritja e tensioneve në Jug të vendit. Obama dhe Medvedjev ranë gjithashtu dakord që Rusia t'i lejojë SHBA-së përdorimin e hapësirës ajrore të saj për transportet ushtarake për në Afganistan.

Gjatë vizitës në Moskë Obama shoqërohet prej bashkëshortes Michelle dhe dy vajzat e tyre Malia dhe Sasha

Gjatë vizitës në Moskë Obama shoqërohet prej bashkëshortes Michelle dhe dy vajzat e tyre Malia dhe Sasha

Pikat e fërkimit midis Moskës dhe Uashington kanë të bëjnë me pikëpamjet e ndryshme lidhur me anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, statusin e republikave të shkëputura nga Gjerogjia, Osetisë Jugore dhe Abkazisë, me përndjekjen ndaj manjatit të naftës, miliarderit Mikhail Khordokovsky dhe çështje të tjera. Rusia po ashtu ka qenë e vetmja nga grupi vendeve të industrializuara të G-8-ës që e ka pranuar si fitues të zgjedhjeve të 21 qershorit presidentin iranian, Mahmud Ahmedinexhad.

Obama u takua edhe me kryeministrin Vladimir Putin dhe më pas me përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut në Rusi. Gjatë vizitës në Moskë Obama shoqërohet prej bashkëshortes Michelle dhe dy vajzat e tyre. Pas Moskës ai do të vazhdojë udhëtimin për në Itali, ku më 7 dhe 8 korrik zhvillon punimet samiti i G-8-ës në L'Aquila.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 07.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Iidn
  • Data 07.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Iidn