1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Miqtë e Sirisë" kërkojnë zbatimin e planit të paqes

Në Stamboll u zhvillua një konferencë njëditore "Miqtë e Sirisë". Pjesëmarrësit premtuan ndihmë dhe mbështetje për kryengritësit opozitarë. Të pranishëm në konferencë ishin Clinton dhe Westerwelle.

Takimi në Stamboll

Takimi në Stamboll

Grupi ndërkombëtar i kontaktit "Miqtë e Sirisë" është shprehur se vazhdon të përkrahë edhe më tej një zgjidhje diplomatike të konfliktit. Në të njëjtën kohë grupi i kontaktit ka rritur presionin ndaj regjimit të presidentit Bashar al Assad, që të zbatojë planin e paqes të të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Kofi Annan.

Clinton: Ndal vrasjeve në Siri

Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton njoftoi pjesëmarrësit e takimit të grupit "Miqtë e Sirisë" në Stamboll për dyfishimin e ndihmave humanitare amerikane për sirianët e prekur nga konflikti dhe u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse për fuqizimin e sanksioneve ndaj qeverisë siriane. Ajo paralajmëroi presidentin Assad se duhet të ndalë vrasjet e qytetarëve përndryshe do të përballet me pasoja të rënda."Nuk ka kohë më për justifikime apo vonesa. Ky është momenti i së vërtetës".

Demonstratë në Stamboll kundër Asadit

Demonstratë në Stamboll kundër Asadit

Edhe grupi i kontaktit dënoi ashpër "shkeljet masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut". Përveç kësaj shtetet e grupit dëshirojnë t'i mbajnë të hapura "masat e përshtatshme shtesë" për të mbrojtur popullsinë civile. Disa shtete deklaruan se duan të mbështesin opozitën financiarisht. Por për hapat konkretë ende nuk janë dhënë hollësi. Këshilli Kombëtar Sirian u legjitimua si organizatë drejtuese e opozitës. Assad pati deklaruar se e pranon planin e paqes së Annanit. Por ai do ta zbatojë atë, kur opozita të dorëzojë armët e saj. Plani parashikon një armëpushim të menjëhershëm, një dialog politik dhe qasje të lirë të organizatave humanitare në vend.

Gjermania kërkon zbatimin e planit të Annanit

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle, i pranishëm në konferencën e zhvilluar në Stamboll dënoi dhunën e ushtruar nga presidenti Assad dhe kërkoi ndërprerje të menjëhershme të saj dhe zbatimin e planit të Annanit: "Ne gjermanët që favorizojmë dhe mbështesim një zgjidhje politike, për këtë arsye e shohim planin gjashtë pikësh të Kofi Annan-it si një shans serioz".

Përfaqësues nga më shumë se 60 vende perëndimore dhe arabe zhvilluan bisedime njëditore në Stamboll ditë e dielë (01.04) për t'i bërë presion Damaskut që të pranojë planin e OKB-së dhe të Ligës Arabe për paqen në Siri.

Autor: dpa, bbc/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi