1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Miqtë e Sirisë" këshillohen në Paris

Esat Ahmeti (dpa, afp)6 Korrik 2012

Në takimin e Grupit të Kontaktit "Miqtë e Sirisë" përfaqësues të rreth 100 shteteve po këshillohen këtë të premte (6.7.) në Paris për veprimet e mëtejshme në krizën e Sirisë.

https://p.dw.com/p/15Sst
Takimi "Miqtë e Sirisë" në Paris
Fotografi: dapd

Në fillim të konferencës për Sirinë në Paris, presidenti i Francës François Hollande kërkoi veprimin urgjent të bashkësisë ndërkombëtare. Bilanci i deritanishëm i konfliktit është "i patolerueshëm". Për të evituar një luftë qytetare duhet të ashpërsohen sanksionet kundër Sirisë. Këtë e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takimin e Grupit të Kontaktit "Miqtë e Sirisë" përfaqësues të rreth 100 shteteve po këshillohen këtë të premte në Paris për veprimet e mëtejshme në krizën e Sirisë. Qëllim i takimit është që të shtohet edhe më tej presioni ndaj pushtetmbajtësit Baschar Al-Assad. Dhuna në mes të forcave siriane të sigurisë dhe kundërshtarëve të regjimit u ka kushtuar me jetë deri tani më shumë se 10 mijë njerëzve. Rusia dhe Kina nuk po marrin pjesë në punimet e konferencës ndërsa Gjermania përfaqësohet nga ministri i saj i Jashtëm, Guido Westerwelle.

Rusia nuk lëshon pe

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në një takim të enjten me ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, nënvizoi edhe njëherë qendrimin e vendit të tij. Rusia refuzon kategorikisht ndërhyrjen nga jashtë si dhe kërkesën për një largim të Assadit. Propozimet nga Perëndimi që Assad të marrë azil në Rusi, ai i hodhi poshtë si "shaka". Rusia ka interesa strategjikë në Rusia dhe ka atje një bazë ushtarake.

Sipas të dhënave të agjencive të lajmeve pjesëmarrësit e konferencës duan të miratojnë një deklaratë përmes së cilës do t'i bëhet thirrje opozitës siriane që të përqëndrohet në synimet e përbashkëta kundër pushtetmbajtësit Baschar Al-Assad. Opozita siriane duhet të dëshmohet si alternativë e besueshme ndaj regjimit aktual.