1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Miqësia e çmuar midis Parisit dhe Berlinit

Berlini dhe Parisi duan të bashkëpunojnë më ngushtë në politikën e jashtme. Për Evropën ky do të thotë një startim i ri. Por partnerët duhet ta mbledhin veten sa më shpejt, thotë Frank Baasner në intervistë me DW.

default

Frank Baasner -drejtor i Institutit gjermano-francez në Ludvigsburg

Deutsche Welle: Berlini dhe Parisi duan ta zgjerojnë bashkëpunimin evropian. Për këtë, ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier udhëtoi pas marrjes së postit për herë të tretë për në Paris, për ta ringjallur bashkëpunimin gjermano-francez. Për një "rifillim" u fol në krye të takimeve. Pse janë të nevojshme këto impulse?

Frank Baasner: Sigurisht që është e drejtë që Westerwelle si ministër i jashtëm nuk vendosi prioritet në dialogun me Francën, siç po e bën tani Steinmeieri. Po ky është një prioritet politik, që nuk vjen rastësisht nga një politikan me shumë përvojë në politikën e Evropës, siç ka qenë gjithmonë zoti Steinmeier. Në dallim nga paraardhësi i tij, zoti Steinmeier ka shumë përvojë në bashkëpunimin me Francën, si ministër në zyrën kancelarore nën Gerhard Schröderin, ashtu edhe si ministër i Jashtëm në koalicionin e mëparshëm. Ai e bën këtë me ndërgjegjen e plotë se Evropa mund të ecë vetëm atëherë, kur dialogu me Francën të ecë në mënyrë pak më të frytshme, se kohët e fundit. Ritheksimi i kësaj pikërëndese shpresohet të sjellë së shpejti fryte.

Presidenti Francois Hollande ka pasur në të kaluarën në fusha të ndryshme, sidomos përsa i përket eurokrizës, pikëpamje të ndryshme në dallim nga Angela Merkeli. Ndërkohë, Hollande ka nisur reforma të rrepta. Besoni se për shkak të koalicionit me socialdemokratët në Berlin, qeveria socialiste franceze e ka më të lehtë të bashkëpunojë?

Një bashkëpunim është veçanërisht i rëndësishëm, kur ke mendime të ndryshme. Prandaj ne duhet të pajtohemi me faktin se Gjermania dhe Franca do të kenë edhe pozicione të ndryshme fillestare dhe se do t'i zgjerojnë ato edhe më tej. Por kjo nuk i pengon ato që të gjejnë kompromise të përbashkëta. Përsa u përket reformave më të fundit, që ka shpallur Hollande, ato sigurisht nuk janë shpallur për t'i bërë qejfin Angela Merkelit. Por sepse ekonomia e Francës dhe me të edhe shoqëria ndodhet me kurriz pas muri. Kjo situatë e vë nën presion të madh Hollande-n.

Si mund t'i stabilizojnë veprimet e përbashkëta të Gjermanisë dhe Francës eurozonën dhe Bashkimin Evropian?

Që Gjermania dhe Franca afrohen më njëra-tjetrën, kjo ka karakter simbolik. Në analizat politike shumë shpesh thuhet se Franca mbron shumë shpesh një pozicion që mbrohet më tepër nga vendet evropianolindore. Gjermania, nga ana tjetër, mbron një pozicion, i cili mbështetet shumë fort nga vendet evropianoveriore dhe të Evropës Qendrore. Kështu që të dy pozicionet, po të bashkohen, mbështeten nga shumica që mund të mbështesin kompromise dhe vendime. Ne kemi nevojë për të 28 shtetet ose edhe për të 18 shtetet e Eurozonës. Por gjymtyra lidhëse duhet kërkuar midis Gjermanisë dhe Francës. Mund të shpresohet që së shpejti punët të avancojnë. Nuk është e thjeshtë arritja e kompromiseve, po rrugë tjetër nuk kemi.

Frank Baasner është drejtor i Institutit gjermano-francez në Ludvigsburg. Instituti e sheh veten si platformë për një dialog midis dy vendeve.