1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Miqësi e ngushtë me traditë

Gjermanët dhe francezët e vlerësojnë si të qendrueshme miqësinë e tyre, edhe kur nuk janë gjithmonë të të njëjtit mendim.Këtu luan një rol të madh edhe të mësuarit e gjuhës së vendit tjetër.

Më shumë bashkëpunim midis të dyja vendeve, para së gjithash në luftimin e terrorizmit: këtë e dëshirojnë njerëzit në Gjermani dhe në Francë. Kjo rezulton nga një sondazh binacional i bërë me porosi të Saarländische Rundfunk (Radios së Landit të Zarës) dhe Deutsche Welles. Në qershor të këtij viti, studiues të Institutit të Studimit të Opinionit infratest dimap dhe kolegët e tyre francezë të TNS Sofres pyetën rreth 2000 vetë në të dyja vendet për marrëdhëniet midis dy shteteve fqinjë. Rezultati: gjermanët dhe francezët kanë të njëjtat vlerësime - thuajse për të gjitha temat. Ky sondazh kryhet çdo vit me rastin e dorëzimit të Çmimit Gjermano-Francez të Gazetarisë. Fituesi i këtij viti është Organizata e përbotshme Cartoonig for Peace (Karikatura për paqen) e themeluar nga karikaturisti francez Plantu ("Le Monde").

Marrëveshje e pabarabartë

Në përgjithësi, raporti midis të dyja vendeve vitin e kaluar ka qenë i qendrueshëm, gjykuan personat e pyetur. 60 përqind e gjermanëve dhe 59 përqind e francezëve thanë se nuk ka pasur thuajse fare ndryshime. 23 përqind e gjermanëve dhe 19 përqind e francezëve mendojnë se ka pasur përmirësim të marrëdhënieve. Vetëm 11 përqind përkatësisht 13 përqind mendojnë se raporti është keqësuar. Pra gjithçka mbarë në raportet gjermano-franceze, apo jo?

Françoise Retif e sheh këtë në mënyrë më të diferencuar. Drejtuesja e Institut Français në Bonn thotë në bisedë me DW se midis dy vendeve ka ndryshime të konsiderueshme. "Gjermania është bërë më tërheqëse për francezët, por anasjelltas nuk vlen e njëjta gjë", beson Retif. "Kjo ka të bëjë ndër të tjera me situatën ekonomike në Francë. Gjermanët janë drejtuar nga vende të tjera."

Vitin e kaluar, edhe përgjigjet e të anketuarve pasqyronin një mungesë barazpeshimi midis të dyja vendeve. Atëherë, 75 përqind e francezëve dhe 47 përqind e gjermanëve thanë se është Gjermania ajo që e përcakton tonin në marrëdhëniet dypalëshe.

Por Rétif thekson edhe se miqësia gjermano-franceze tashmë është bërë e vetëkuptueshme. Kush e besonte këtë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur të dyja vendet ishin armiq të betuar?

Dëshira për bashkëpunim

Sot, Gjermania dhe Franca kanë një armik të përbashkët: terrorizmin. 58 përqind e gjermanëve dhe 57 përqind e francezëve thanë se në luftë kundër terrrorizmit të dyja shtetet duhet të bashkëpunojnë veçanërisht ngushtë.

Përsa u përket fushave të tjera të bashkëpunimit, personat e pyetur kishin mendime disi të ndryshme. 57 përqind e gjermanëve të pyetur ishin të mendimit se dy të dyja vendet duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për politikën ndaj refugjatëve, por të këtij mendimi ishin vetëm 24 përqind e francezëve. 59 përqind e francezëve konsideronin krijimin e vendeve të reja të punës për një projekt më të rëndësishëm, kurse nga gjermanët të këtij mendimi ishin vetëm 34 përqind e të pyeturve.

Të flasësh gjuhën e tjetrit, kjo është bazë për çdo bashkëpunim, pavarësisht nëse bëhet fjalë për refugjatë apo për vende pune. 58 përqind e gjermanëve dhe 60 përqind e francezëve e konsiderojnë të rëndësishme të mësosh gjuhën e fqinjit. "Gjuha përcjell një kulturë", thotë Francoise Rétif nga Institut Français. "Kur flet gjuhën e tjetrit, njeh mënërën e tij të të menduarit dhe të të jetuarit."