1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Industria gjermane e automobilëve dhe politika

Andreas Becker27 Shtator 2015

Industria gjermane e automobilëve nuk po përjeton ditë të mira. Skandali i Volksvagenit tregon se së paku një prodhues ka manipuluar të dhënat e tymit të shkarkuar nga automjetet. A ka përgjegjësi politika gjermane?

https://p.dw.com/p/1GdvV
VW Logo Symbolbild Regen
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte

Krahas industrisë së prodhimit të makinerive është dega e industrisë së automobilëve ajo me të cilën krenohet Gjermania. Rreth 1 milionë vetë punojnë aktualisht tek prodhuesit e automobilëve dhe furnizuesit e tyre. Po kaq i madh është edhe ndikimi i politikës së koncerneve tek politika.

Një vështrim në personel të tregon se sa të ngushta janë lidhjet mes politikës gjermane dhe industrisë së automobilëve. Pas gati 20 vjetësh, si deputet gjerman në Bundestag, Eckart von Klaeden (CDU) ndërroi vend duke u punësuar tek Daimler-i. Posti i ri: Drejtues i “departamentit të politikës dhe marrëdhënieve me jashtë”, me fjalë të tjera kryelobiist.

Matthias Wissmann (po ashtu i CDU-së) në vitet 90-të ministër i Shkencave dhe më pas i Transporteve në kabinetin federal, më vonë kryetari i komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian, ndërroi punëdhënës në vitin 2007 duke kaluar në ekonomi. Posti i ri: President i Shoqatës së Industrisë së Automobilëve (VDA), pra shefi i lobiistëve të degës së automjeteve.

Deutschland Bundesverkehrsminister Alexander Dobrindt
Alexander Dobrindt, ministër i TransporteveFotografi: picture-alliance/dpa/J. Carstensen

Volkswagen – një rast i veçantë

Thomas Steg, kryelobiist tek Volkswagen, ka punuar më parë si zëvendëskryetar i zyrës së kancelarit nën Gerhard Schröderin, më vonë për pak kohë edhe zëdhënës i kancelares Angela Merkel. Tek koncerni më i madh i automjeteve në Europë, Volkswagen lidhjet me politikën janë më të ngushta se kudo tjetër. Politikës i përket një pjesë e koncernit, kundër vullnetit të saj nuk mund të merren vendime shumë të rëndësishme. Në bordin mbikqyrës të Volkswagenit qëndrojnë të ulur kryeministri dhe ministri i Ekonomisë së landit të Saksonisë së Poshtme, landit ku ndodhet edhe qendra e koncernit në Wolfsburg.

Ky land ka në zotërim 20% të aksioneve me të drejtë vote në koncern. Me këtë minoritet landi mund të ushtrojë efekt bllokues për vendime të rëndësishme, sepse sipas ligjit të koncernit Volkswagen të vitit 1960, asnjë aksioner nuk mund të ushtrojë më shumë se 20% të së drejtës së votës, edhe në rast se zotëron më shumë aksione.

Avantazhe dhe disavantazhe

Për shkak të rëndësisë ekonomike të koncernit dhe lidhjeve të ngushta, nuk të çudit fakti që përfaqësues të industrisë së automobilëve nuk kanë nevojë të presin gjatë për një takim me politikën. Më shumë se 70 herë kanë shkuar përfaqësues të industrisë së automobilëve vetëm në këtë legjislaturë për bisedime në zyrën e kancelares apo në ministri. Kjo del nga një përgjigje e qeverisë ndaj një kërkesë të opozitës së majtë në Bundestag. Nga këto bisedime dalin edhe para, sidomos për studimet në zhvillimin e industrisë së automobilëve. Vetëm koncerni i Volkswagenit ka marrë 12 milionë euro nga federate për studime shkencore në dy vitet e fundit.

Volkswagen Parkplatz voller Nutzfahrzeuge
Fotografi: picture-alliance/dpa/J.Stratenschulte

Jo të gjithëve u pëlqejnë këto lidhje. Industria gjermane e automobilëve gëzon reputacion ndërkombëtar, ajo fiton shumë, dhe u jep punë shumë njerëzve në Gjermani. Kështu duket e natyrshme që politika të kujdeset për kushte të mira për fabrikat e automobilëve.

Industria e automobilëve bën ligjet

Por pikëpyetjet dalin kur bëhet fjalë për kufizimet në lidhje me mjedisin. Prej vitesh kjo degë mbrohet kundër rregulloreve të forta për emetimin e gazrave dhe përdorimin e karburantit. Kështu organizata gjermane për Ndihmën ndaj Mjedisit (DUH) mund të vërtetojë në bazë të dokumenteve të brendshme të Ministrisë së Ekonomisë nga viti 2013 se industria e automobilëve nganjëherë mund të bëjë edhe vetë ligjet. Konkretisht bëhet fjalë për zbatimin në Gjermani të rregulloreve të BE-së për mbrojtjen e klimës. Koncernet e automjeteve dhe shoqata e automobilëve DVA ishin të lidhur ngushtë në këtë kohë dhe madje e kanë përpiluar vetën tekstin e ligjit.

Rezultati: Një rregullore nga viti 2012, i cili do t'u mundësonte konsumatorëve më shumë orientim për vlefshmërinë ekologjike të automjeteve të reja, favorizin automjetet e rënda dhe ato që shpenzojnë shumë karburant, sepse emetimi i gazrave karbonikë nuk jepet njëherë e mirë si vlerë absolute, por varion në favor të peshës së makinës. Edhe tek rregulloret e pranimit dhe vlerat e emetimti të gazrave bashkëvendos industria e automobilëve. Ajo i propozon ministrisë së Transporteve rregulloret e verifikimit.

Bashkëpërgjegjësia e politikës

Skandali për vlerat e manipuluara të tymit të shkarkuar nga automjetet tek Volkswageni u zbulua nga një organizatë amerikane e mjedisit, ICCT. Ndërkohë që autoriteti amerikan i mjedisit ka kompetenca penale. Ende nuk dihen përmasat e skandalit, po ashtu se sa të përfshirë janë prodhuesit e tjerë të kësaj industrie. Sipas të dhënave të ministrit të Transporteve, Alexander Dobrindt edhe në Europë janë shitur makina me software të manipuluar. Eksperti i automjeteve, Ferdinand Dudenhöffer, drejtor i Qendrës së Studimeve të Automjeteve, CAR-Center në Universitetin e Duisburgut-Essenit i vlerëson këto manipulime si “shkelje me vetëdije të ligjit”. Pse ky skandal nuk u zbulua në Gjermani kuptohet mirë po të shohësh lidhjet e ngushta të politikës me këtë industri. Megjithatë politika duhet japë përgjigje për këtë skandal.