1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Minsk - vendi ku diskutohet fati i Ukrainës

Presidenti bjellorus Lukashenko përpiqet të mbajë qëndrim neutral në krizën e Ukrainës. Por pamja e jashtme të gënjen.

"Mos u shqetësoni fare për aktivitetin në Minsk". Alexander Lukashenko e siguroi Presidentin rus Vladimir Putin në takimin e tyre në Soçi në fundjavë, se takimi i nivelit të lartë katërpalësh për krizën në Ukrainë do të organizohet më së miri. Veç shefit të Kremlinit, priten edhe udhëheqësi i Ukrainës, Petro Poroshenko, kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti francez François Hollande. Në bisedë me Putinin, Lukashenko kujtoi takimin në Minsk të të ashtuquajturit "Grup i Kontaktit", i cili përbëhet nga përfaqësues të Ukrainës, të Rusisë dhe të OSBE-së. "I bëra të gjitha, për të cilat m'u lutët, nuk pati ankesa", tha Presidenti i Bjellorusisë. Ai tingëlloi si raportues.

Kurs përqafimi me Kremlinin

Edhe para Berlinit, Minsku është kthyer në vendin më të rëndësishëm për përpjekjet diplomatike në krizën e Ukrainës. Në fund të gushtit 2014, atje u takuan Presidentët e Ukrainës dhe të Rusisë, Poroshenko dhe Putin për herë të parë, për një bisedë kokë më kokë. Në shtator, në Minsk u takuan përfaqësues të qeverisë në Kiev dhe të separatistëve prorusë nga Ukraina Lindore, për një plan paqeje. Drejtuesit e republikave të vetëshpallura Donjeck dhe Luhansk atëherë u legjitimuan indirekt në Minsk. Separatistët nisën një ofensivë, luftimet në Ukrainën Lindore bëhen gjithnjë e më të ashpra.

Minsku nuk është bërë rastësisht një vend qendror për negociatat. Në fund të gushtit 2014, pak para fillimit të aneksimit të Krimesë nga Rusia, Lukashenko u shpreh pro ruajtjes së integritetit territorial të Ukrainës. Ndryshe nga Rusia, ai e njohu menjëherë udhëheqjen e re ukrainase. Lukashenkon e ftuan edhe për marrjen e postit nga Presidenti Poroshenko në Kiev. Ai e vizitoi Kievin sërish në fund të dhjetorit 2014, për të negociuar me Poroshenkon.

Neutraliteti sipërfaqësor bjellorus

Por në të vërtetë, Lukashenko është një aleat i vjetër dhe i ngushtë i Moskës. Pak vetë kujtohen sot që Rusia dhe Bjellorusia themeluan në vitin 1997 një shtet të përbashkët, i cili nga ana formale ekziston edhe sot. Bjellorusia dhe Rusia janë edhe anëtare themeluese të Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik të ish-republikave sovjetike, i cili që prej 1 janarit 2015 ekziston edhe juridikisht. Vërtet që të dyja palët grinden rregullisht për çështje tregtare. Kështu Rusia i kufizoi para pak kohësh importet e ushqimeve nga Bjellorusia dhe e zemëroi me këtë Lukashenkon. Megjithatë Moska dhe Minsku i përmbahen aleancës së tyre.

Edhe ushtarakisht, të dyja shtetet bashkëpunojnë ngushtë. Të dyja janë anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë kolektive, të dominuar nga Rusia. Rusia ka një stacion radarësh në Bjellorusi dhe stacionon atje avionë luftarakë dhe helikopterë. Deri në vitin 2016 Moska do të ngrejë një bazë ajrore në Bobruisk - rreth 250 km në Perëndim të kufirit me Ukrainën.

Presidenti Lukashenko

Presidenti i Bjellorusise Lukashenko

Në planin e politikës së jashtme, Presidenti bjellorus, Lukashenko përfiton nga shërbimet e tij diplomatike në krizën e Ukrainës. Presidenti Lukashenko qeveris në mënyrë autoritare e konsiderohet në Perëndim si "diktatori i fundit i Evropës". BE ka vendosur kundër tij dhe elitës bjelloruse në pushtet sanksione. Kurse tani, si mikpritës ai do t'u shtrëngojë duart Merkelit dhe Hollande-s.

Ka edhe më shumë. Letonia, e cila kryeson aktualisht BE nuk e përjashtoi një ftesë për Lukashenkon në takimin e nivelit të lartë të BE për Partneritetin Lindor, në maj 2015. Deri tani, në takime të tilla ai ka qenë i padëshiruar. Kjo duhet t'i sjellë Lukashenkos pikë shtesë edhe tek populli i tij. Në shtator, Presidenti bjellorus, i cili është në pushtet që prej vitit 1994, do të kërkojë që ta rizgjedhin president.