1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministrja gjermane e Punës: më pak ndihma për refugjatët që nuk integrohen

Ministrja gjermane e punës, Andrea Nahles thotë se refugjatëve që nuk integrohen duhet t'u shkurtohen ndihmat nga shteti. Gjermania po debaton si t'ia dalë mbanë mijëra migrantëve që mbërrijnë çdo ditë në Gjermani.

Andrea Nahles tha të dielën se refugjatëve që nuk integrohen duhet t'u reduktohen pagesat në përfitime që ata marrin nga shteti. Ministrja, e cila është përgjegjëse edhe për çështjet sociale tha se pagesat duhet të bëhen të varura nga mësimi prej migrantëve i gjuhës gjermane.

"Të gjithë ata që vijnë këtu si refugjatë dhe duan të nisin një jetë të re duhet të përqafojnë rregullat dhe vlerat tona", shkruan politikania socialdemokrate në një kontribut për gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung". "Ne do t'i reduktojmë përfitimet për ata që japin sinjale se nuk duan të integrohen", tha Nahles. "Për mendimin tim, kjo duhet lidhur edhe me pjesëmarrjen në kurset e gjermanishtes dhe veç kësaj, në përqafimin e kushteve të bashkëekzistencës sonë."

Në plan afatgjatë, tha Nahles, pritet që refugjatët ta mbështesin veten. Pavarësisht nga vendi prej ku vijnë, tha ajo, të gjithë ata që kërkojnë një jetë të re në Gjermani duhet të përdorin "të gjitha aftësitë e tyre dhe të gjithë kapacitetin që kanë për të fituar jetesën e tyre."

Shkurtime mund të vijnë edhe për shtetas të BE

Nahles, e cila është përgjegjëse edhe për çështjet sociale, tha se ata që duan të kërkojnë një jetë të re në Gjermani duhet të mbështesin veten. Për të kjo duhet të ndodhë edhe me shtetasit e BE që jetojnë në Gjermani. "Autoritetet lokale nuk mund të kujdesen pafundësisht për shtetas të BE pa para, që vijnë nga shtete të tjera", shkroi ajo. "Kjo nuk ka qenë kurrë në përputhje me idenë e lirisë së lëvizjes, e cila bën pjesë në arritjet më të mëdha të integrimit evropian."

Në Gjermani vitin e kaluar erdhën afërsisht 1,1 milionë refugjatë, gjë që bëri të rritet shqetësimi se a do të jetë në gjendje ta përballojë edhe më tej Gjermania një barrë të tillë. Qeveria e kancelares Angela Merkel pritet ta përshtasë ndërkohë politikën e saj të dyerve të hapura me valën e refugjatëve në Gjermani.

Horst Seehofer, kryetari i CSU-së, partisë simotër të kristjandemokratëve të Merkelit dhe pjesë e koalicionit qeveritar në Gjermani ka kërcënuar se do ta hedhë në gjyq qeverinë, nëse kërkesa e tij për të ndaluar valën e refugjatëve nuk do të plotësohet.