1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministrja gjermane e Arsimit mund të humbasë titullin shkencor

Skandali i plagjiaturës rreth ministres gjermane të Arsimit hyri në një raund të ri. Universiteti i Dyseldorfit ka hapur një procedurë për heqjen e titullit shkencor.

Universiteti i Dyseldorfit ka hapur procesin për titullin

Universiteti i Dyseldorfit ka hapur procesin për titullin

Libri, i cili vendos për të ardhmen e ministres gjermane të Arsimit, është i rëndë. 351 faqe i trashë është ai dhe mban titullin patetik "Personi dhe ndërgjegjja". Libri është publikuar si punim doktorature në vitin 1980 nga studiuesja e re dhe me ambicie e shkencave filozofike, Annette Schavan.

Për vite me radhë askush nuk i kishte kushtuar vëmendje disertacionit. Por jo shumë kohë më parë, gjurmues anonimë të plagjiaturave në internet, dëshmuan se ish-ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg, kishte marrë nga autorë të tjerë, libra dhe artikuj gazetash, pjesë të tëra të disertacionit të tij. Guttenberg humbi titullin "doktor i shkencave" dhe postet e tij politike, dhe gjurmuesit e plagjiaturave nisën të hetonin disertacione të politikanëve të tjerë të njohur.

Kështu ndeshën në "Personi dhe ndërgjegjja", të shkruar nga ministrja aktuale e Arsimit, Annette Schavan. Gjatë hulumtimit të mëtejshëm gjetën pasazhe të kopjuara, jo në mënyrë aq masive sa në rastin e Guttenberg-ut, por sidoqoftë 130 paragrafë. Pas kësaj Annette Schavan i kërkoi komisionit të promovimit në Universitetin e Dyseldorfit të merrej me shqyrtimin e rastit.

Tentativë e qëllimishme mashtrimi?

Kryetari i këtij komisioni iu vu punës dhe në vjeshtë 2012 në eskpertizën e tij arriti në një përfundim katastrofal. Në konkluzionet e tij ai flet për "plagjiaturë" dhe "mashtrim të qëllimshëm", akuza të cilat Annette Schavan i hodhi poshtë me vendosmëri. Qysh atëherë ka marrë flakë diskutimi nëse akuza për mashtrim në disertacion është e justifikuar dhe nëse universiteti e ka kryer me kujdesin e duhur shqyrtimin e tij.

Të martën (22.01.) u mor një vendim i përkohshëm i qartë: me 14 vota pro dhe 1 votë kundër, Këshilli i Fakultetit në Dyseldorf vendosi se akuzat janë aq fort të bazuara në fakte, sa do të hapet zyrtarisht një procedurë për heqjen e titullit shkencor ministres. Procedura do të zhvillohet me "rezultat të hapur", tha Bruno Beckmann, dekan i Fakultetit të Filozofisë, pas një mbledhjeje disaorëshe. Se sa kohë do të zgjasë shqyrtimi nuk e di askush. E qartë është vetëm se për Annette Schavan, procedura në zhvillim e sipër do të jetë një barrë e rëndë në fushatën elektorale, që sapo ka nisur, për parlamentin federal.

Konflikti përfshin gjithnjë e më shumë qarqe

Gjatë ditëve të fundit, diskutimi rreth disertacionit të ministres Schavan dhe akuzave për mashtrim ndaj saj, ka marrë karakter gjithnjë e më politik. Pak pasi universiteti i Dyseldorfit publikoi ekspertizën e tij, në të cilën thuhej se ajo kishte mbajtur qendrim korrekt juridik në këtë rast, u prononcuan presidentët e organizatave të mëdha gjermane të shkencës. Në një deklaratë të përbashkët Këshilli Shkencor dhe Komuniteti Shkencor gjerman, Konferenca e Rektorëve të Universiteteve dhe Shoqata Max-Planck, kritikuan se në hetimin ndaj Annette Schavan nuk janë respektuar standardet shkencore.

Këto deklarat e zemërojnë pa masë Presidentin e Shoqatës së Universiteteve gjermane, Bernhard Kempen. Ai flet për një ndërhyrje të pashembullt në hetimet që vazhdojnë. "Këtu po bëhet përpjekje për ndërhyrje", shprehet Kempen, "ndërkohë që është fare e qartë, se çdo tentativë për të ndikuar, në favor apo disfavor të ministres, do të ishte absolutisht e dëmshme."

Këshilli i Fakultetit duket se nuk ndikohet nga këto debate: që në takimin e radhës të këshillit në 5 shkurt do të vendosen hapat e mëtejshëm për vazhdimin e hetimeve.

Autor: Armin Himmelrath/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi