1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ministria për integrime evropiane në Kosovë synon liberalizimin e vizave

Ministri i sapoemëruar, Besim Beqaj, thotë se sfidë për këtë ministri do të jetë përfshirja e Kosovës direkt në procesin e stabilizim në procesin e stabilizim asocimit dhe në marrëdhënie tregtare me bashkimin evropian

default

Besim Beqaj, ministër për integrimin evropian në Kosovë

DW: Ministër Beqaj, qeveria e Kosovës në radhët e saj tash ka edhe ministrinë për integrime evropiane, cilat janë prioritetet e kësaj ministrie?

Beqaj: Ministria e integrimit është një ministri, që do të bëjë koordinimin e përgatitjes institucionale, koordinimin teknik dhe politik për përafrimin e Kosovës me procesin e stabilizim-asocimit dhe në faza të mëvonshme edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sigurisht që puna në raportin e progresit është puna jonë themelore, po ashtu edhe e organeve qeveritare, që të japin një progrës në këtë raport, ta analizojmë mirë, dhe t'i japim propozimet tona se ç'ka duhet të bëjmë për ta përmirësuar këtë raport për Kosovën, ky është njëri ndër synimet tona. Synim tjetër është detajizimi i raporteve dhe përgatitjeve, që Kosova po bën për vendosjen e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian. Respektivisht lëvizja e lirë e qytetarëve dhe qarkullimi i mallrave janë pjesë shumë e rëndësishme e aktiviteteve të ministrisë.

DW: Ministër Beqaj, kur flisni për procesin e stabilizim asocimit, në Kosovë ka vite që institucionet e Kosovës zhvillojnë takime me Komisionin Evropian për këtë proces. Deri ku ka arritur Kosova të futet në këtë proces dhe a mund të më thoni se kur mund ta kemi një marrëveshje të stabizilim-asocimit të Kosovës me Komisionin Evropian?

Beqaj: Nuk është korrekte që të flas me data, sepse janë procese, që ndërtohen në baza politike. Kosova nuk ka qenë komplet e futur në procesin e stabilizim- asocimit, sepse ky proces ka qenë komplet teknik, ndërsa së voni ky proces është shndërruar në proces të mirëfilltë të dialogut të stabilizim asocimit dhe mendoj se është një avancim i mirë. Normalisht raporti i progresit lidhet më këto gjëra, janë aspekte që trajtohen. Këtu flasim tash për përgatitjen e vendit në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, ekonominë joformale, zhvillimin e ekonomisë së tregut, sigurinë e kufijve, sigurinë e dokumentacioneve, pra është një punë e madhe e përgatitjeve që duhet të bëhen.

DW: Ministër Beqaj, në Bashkimin Evropian tashmë ka shumë zëra, që thonë se në këtë vit edhe Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave. Sa jeni të bindur se Kosova do të përfshihet në këtë proces dhe e cilësoni ju sfidë për institucionet e Kosovës përmbushjen e kritereve, që kërkohen?

Beqaj: Unë këtë e shoh edhe si sfidë, por edhe si një mundësi të mirë, që Kosova të tregojë seriozitetin e vet institucional. Procesi i liberalizimit të vizave është një proces prioritar dhe normalisht Ministria e Rendit merret me ato aspekte teknike, që kërkohen, siç janë siguria e dokumentacioneve, menaxhimi i kufijve, marrëveshjet e riatdhesimit, integrimit dhe të gjitha këto, që janë si parakusht. Unë shpresoj që këta zëra, që janë paraqitur si zëra shumë pozitivë të përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave këtë vit do të zgjerohen, por në të njetën kohë edhe ne do ta argumentojmë fuqishëm që këta zëra janë të arsyeshëm, që Kosova duhet të avancohet akoma më tutje në hapjen e asaj, që quhet rruga konkrete për përspektivën evropiane.

DW: Ministër Beqaj, bashkëpunimi rajonal është kusht i Evropës për integrimin e rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Si e mendoni ju bashkëpunimin rajonal?

Beqaj: Unë them se bashkëpunimi rajonal është një çështje thelbësore. Të gjitha mekanizmat, që i ka krijuar Bashkësia evropiane më herët, kanë qenë, që ne të tregojmë se ne në rajon mund të bashkëpunojmë njëri me tjetrin. Ministria, që unë drejtoj, do të tentojë që të vendosë komunikim me të gjitha shtetet e rajonit, pa asnjë lloj dallimi, në mënyrë që të krijojmë mekanizma të mirëfilltë, të cilët do të mundësojnë që rajoni të jetë element i hyrjes në mënyrë shumë stabile në Unionin Evropian dhe të kemi një koordimin të mirëfilltë të aktiviteteve, që duhet të bëhen në rajon. Normalisht kjo është një sfidë e madhe, sepse kemi dy shtete në rajon, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, që nuk e njohin si shtet Republikën e Kosovës.

Intervistoi: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 12.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MuWV
  • Data 12.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MuWV