1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministria e Brendshme gjermane mendon të ngrejë një trupë të re antiterorr

Pas atentateve në Francë dhe në Danimarkë një njësi speciale gjermane do të jetë e gatshme të luftojë në situata të ngjashme rreziku. Ky projekt prestigjoz është ende në fillimet e tij.

GSG 9 per ne Algjeri

Në fakt, për sulme terroriste dhe marrje pengjesh ekzistojnë tashmë njësi tradicionale dhe të sprovuara të policisë. Policia Federale, e cila është nën komandën e Ministrisë së Brendshme, ka GSG-9-ën, në policitë e landeve janë komandot speciale të ndërhyrjes (SEK). Por bota ndryshon, prandaj me sa duket Ministria e Brendshme po mendon intensivisht për një trupë të re të fuqishme dhe efikase. Një njësi antiterror, e cila është e orientuar tek situata të veçanta rrezikimi, si në atentatet më të fundit në Francë dhe në Danimarkë.

Një zëdhënëse e Ministrit të Brendshëm, Thomas de Maiziere konfirmoi se ekzistojnë me të vërtetë mendime të tilla. "Ka mendime të ndryshme, por procesi i vendimmarrjes nuk ka përfunduar ende dhe prandaj ende nuk është marrë vendim, " tha ajo në Berlin. Se kur do të merrej vendimi për këtë, zëdhënësja në Berlin nuk dëshiroi të thoshte. "Për këtë nuk mund t'ju them asgjë". Edhe për përmbajtjen e atyre që po diskutohen, ajo nuk deshi të japë asnjë informacion. Radio Berlin Brandenburg, RBB bëri të ditur se njësia speciale do të mbushë një boshllëk midis GSG-9 dhe policisë së gatishmërisë. Nga ana tjetër, sipas Ministrisë, një boshllëk i tillë nuk ekziston.

Thomas de Maiziere

Thomas de Maiziere, ministri i Brendshëm gjerman

Njësi misterioze antiterror

Mbajtja sekret jepet si model nga kreu i Ministrisë. Para pak ditësh, Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere (CDU) foli se do të krijohen 715 vende pune për të luftuar terrorizmin në radhët e policisë dhe në federatë dhe se në katër vitet e ardhshme do të vihen në dispozicion 300 milionë euro shtesë për punën e policisë. Vendet e reja të punës do të krijohen në Policinë Federale, në Zyrën Federale të Policisë Kriminale dhe në Mbrojtjen e Kushtetutës. Më konkretisht, de Maiziere nuk e specifikoi përdorimin e mjeteve. Tek ekspertët e sigurisë, te autoritetet e sigurisë dhe tek politikanët pas kësaj u bënë spekulime për skenare të mundshme.

Sindikata e Policisë (GdP) në parim i mbështet mendimet e Ministrisë së Brendshme për një trupë të re policore. "Ne i përshëndesim të gjitha planifikimet, që sjellin punësimin e më shumë policëve", tha një zëdhënës. Por ai paralajmëroi që të mos lihet pas dore pajisja më e mirë e njësive ekzistuese.

Jo e entuziazmuar nga planet për një njësi të re, të armatosur rëndë dhe që mund të angazhohet në shumë detyra është zëdhënësja e Të Gjelbërve për Politikën e Brendshme, Irene Mihalic. "Njësia antiterror është sërish një fjalë flluskë sapuni pa përmbajtje", thotë ajo dhe pyet se pse nuk i zgjeron qeveria federale strukturat ekzistuese. "Policia Federale dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale janë kolonat qendrore në luftë kundër terrorizmit", u shpreh ajo.