1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ministri Müller: BE duhet të pranojë më shumë refugjatë sirianë

Vetëm vendet fqinjë nuk mund ta përballojnë fluksin e madh të refugjatëve të larguar nga Siria për shkak të luftës civile. Për këtë arsye politikani i CSU, Gerd Müller, kërkon që BE të marrë më shumë sirianë.

Gjatë një vizite në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller, ka kërkuar nga Europa që të pranojë më shumë refugjatë nga Siria. Sipas tij shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet të kenë një koncept të përbashkët europian. "Situata katastrofike e refugjatëve duhet të jetë në qendër të vemendjes së publikut europian“, tha politikani i CSU. Vendet fqinjë me Sirinë si Jordania, Libani, Iraku dhe Turqia nuk mund t'i marrin dhe strehojnë të gjitha refugjatët, theksoi Müller. Vetëm në Jordani aktualisht janë më shumë se 600.000 refugjatë nga Siria. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se për shkak të luftës civile në vend, rreth nëntë milionë sirianë janë në arrati, ndër to një milion fëmijë.

Gjermania ka premtuar se do të marrë 10.000 njerëz. Sipas ministrit Müller deri tani janë pranuar rreth 3000 refugjatë. Përveç kësaj Kombet e Bashkuara duhet të marrin një vendim, sipas të cilit qeveria siriane duhet të lejojë ndihmat humanitare në zonat e përfshira nga lufta civile. Pas dështimit të bisedimeve për paqe në Gjenevë ministri i Jashtëm amerikan John Kerry shpreson edhe më tej në një zgjidhje diplomatike të krizës në Siri. Në një deklaratë të publikuar nga Kerry në Uashington thuhet se mbështetësit e presidentit sirian Baschar al-Assad duhet të ushtrojnë për këtë presion ndaj tij. "Në fund ata do të mbajnë përgjegjësi, nëse regjimi vazhdon refuzimin e kompromisit dhe taktikën e tij brutale në vend“.

Raundi i dytë i bisedimeve për paqe në Gjenevën zvicerane kishte përfunduar ditën e shtunë (15.02) pa rezultat. Palët nuk ranë dakord edhe për organizimin e mundshëm të një takim të ardhshëm për vazhdimin e këtyre bisedimeve. Ndërmjetësuesi i OKB-s, Lakhdar Brahimi, i kërkoi ndjesë popullit sirian për shkak të dështimit të këtyre bisedimeve.