1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle Außenminister

30 Tetor 2009

Qeveria gjermane nën Angela Merkelin ka nisur punën qysh nga e mërkura. Të enjten ministrat nisën zyrtarisht punën e tyre. Disa ndryshojnë vetëm fushën e kompetencave.

https://p.dw.com/p/KJDU
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në samitin e BE-së në Bruksel 30.10. 2009
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në samitin e BE-së në Bruksel 30.10. 2009Fotografi: AP

Me fillimin e punës së qeverisë re të koalicionit mes CDU/CSU dhe FDP (kristiandemokrat/kristiansocialë dhe liberalë) ministrat socialdemokratë, si Frank Walter Steinmeier largohen krejtësisht nga qeveria për të dalë tani në opozitë.

Ishte një hije melankolie në sallën e botës të Ministrisë së Jashtme Gjermane, kur ish-Ministri i Jashtëm socialdemokrat, Frank Valter Shtajnmajer u nda nga punonjësit. Atij i duket sikur ta kishte marrë vetëm dje postin dhe jo katër vjet më parë, i tha Shtajnmajeri punonjësve që ishin mbledhur: "Shumë gjëra do të më mungojnë, këshilla juaj e zgjuar, përvoja juaj, inkurajimi juaj, edhe ai qe i nevojshëm nganjëherë, hareja juaj, të cilën e gjeta edhe unë në këtë shtëpi. Unë po shkoj, por nuk po shkoj nga kjo botë. Përzemërsisht falemnderit!"

Politischer Aschermittwoch Frank Walter Steinmeier
Ish-ministri i Jashtëm Frank-Walter SteinmeierFotografi: AP

Lamtumira e Shtajnajerit

Tani, ish-ministri i Jashtëm do të bëhet udhëheqës i opozitës në Bundestag, në një kohë që ish-drejtuesi i opozitës, Vestervele tani do të bëhet ministër i Jashtëm, shtoi Shtajnmajeri. 406 ditë kaloi ai në katër vitet e fundit në botën e jashtme. Këto udhëtime në botën e jashtme nuk kanë qenë gjithmonë të lehta dhe të parrezikshme, me avionët e vjetër të flotës së avionëve të qeverisë. Njëherë atij madje iu desh të fluturonte me derë hapur për në Vjenë. Gido Vestervele e falenderoi Shtajnmajerin për bashkëpunimin e mirë në vitet e fundit: "Më keni treguar shumë, se çfarë ju ka motivuar për të marë vendime të caktuara. Ka pasur gjëra për të cilat nuk më keni treguar, për shembull që të duhet të fluturosh me derë të hapur dhe në fakt është më mirë që po ma thoni këtë vetëm tani."

Politika e jashtme gjermane bën pjesë në inventarin më të vlefshëm të Republikës Federale Gjermane, tha Vestervele, tani me seriozitet: "Kjo në një kohë kur ne asnjëherë nuk duhet të bëhemi mendjemëdhenj, të mos ndjekim rrugë të veçanta, por të jemi gjithmonë të ndërgjegjshëm, se politika jonë është gjithmonë atëherë më e suksesshme, kur ajo zhvillohet krah për krah me partnerët tanë. Por njëkohësisht ne asnjëherë nuk duhet ta bëjmë veten më të vogël se sa jemi dhe të jemi gjithnjë të ndërgjegjshëm për efektin zinxhir që sjellin për të tjerët veprimet e Gjermanisë."

Vestervele dhe ministrat e tij të shtetit, Cornelia Pieper dhe Verner Hoyer u përshëndetën me duartrokitje miqësore nga punonjësit e Ministrisë së Jashtme. Vestervele tha se për të është një nder i madh, që të bashkëpunojë me gratë dhe burrat më të mirë, që punojnë për Gjermaninë. Shumë kohë për t'u ambjentuar në ministri nuk do t'i mbetet ministrit të ri të Jashtëm. Që pasditen e ditës së tij të parë në post ai duhet të niset për të ndjekur takimin e Këshillit Evropian në Bruksel.

Autor: Bettina Marx / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora