1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministri i Jashtëm i SHBA-së Kerry në Gjermani

Vatrat e krizës si Siria apo Ukraina janë nga sot (31.1.) në qendër të diskutimeve të kryetarëve të shteteve dhe qeverive në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ministri i Jashtëm amerikan Kerry ka më parë një tjetër takim.

Për herë të parë që prej fillimit të skandalit të NSA-së, ministri i Jashtëm i SHBA-së John Kerry vjen këtë të premte (31.01.2014) në Gjermani. Në Berlin në program është një takim me Kancelaren Angela Merkel (CDU), telefoni celular i së cilës për vite me radhë ka qenë në shënjestër të shërbimit sekret amerikan NSA. Menjëherë pas mbërritjes Kerry do të takohet me ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD). Ajo që kërkohet është një kritikë e qartë ndaj mënyrës së veprimit të SHBA-së.

Por politikanë gjermanë paralajmërojnë nga shpresat e mëdha. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Peter Tauber, mendon se Kancelarja Angela Merkel do të bëjë edhe një herë të qartë se përgjimi i një partneri në Aleancë është i papranueshëm. Merkel ka gjetur fjalë të qarta për të thënë se mes aleatësh nuk mund të ketë një praktikë të tillë, tha Tauber për gazetën "Passauer Neue Presse".

Ndërsa kryetari i Komisionit të Jashtëm në Bundestag, Norbert Röttgen (CDU) pralajmëroi ndaj hapave që mund të dëmtojnë na vazhdimësi raportin me SHBA-në. Spiunazhi i shërbimit të fshehtë të SHBA-së në Gjermani është "një problem serioz", i cili nuk duhet nënvlerëuar.

Por nuk është as në të mirë të amerikanëve dhe as të Gjermanisë që gjendja të dramatizohet, tha Röttgen për gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung". Politikani kristiandemokrat u shpreh se nuk e konsideron të drejtë vënien në pikëpyetje të marrëveshjes së planifikuar për tregti të lirë.

Ngjashëm u shpreh edhe zv/kryetari i grupit parlamentar të socialdemokrave në Bundestag Rolf Mützenich. Për gazetën "Berliner Zeitung" ai tha se SHBA mbetet një partner i pazëvendësueshëm në politikën ndërkombëtare të sigurisë. Në të njëjtën kohë ai shtoi se SHBA duhet të kujdesen për më shumë transparencë dhe rifitimin e besimit.

Takim me politikanë të opozitës ukrainase

Të gjitha përpjekjet e qeverisë gjermane për të rënë në ujdi me SHBA për marrëveshje të reja mbi aktivitetet reciproke të spiunazhit deri tani nuk kanë pasur asnjë sukses. Në prag të vizitës së Kerry-t, pala gjermane i reduktoi shpresat për një kthesë në këtë çështje.

Pas vizitës së tij në Berlin, Kerry do të shkojë në Mynih, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Atje për herë të parë do të takohet edhe me politikanët opozitarë ukrainas Vitali Kliçko dhe Arseni Jazenjuk. Në konferencë marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë ukrainase. Në takimin dypalësh ministri i Jashtëm i SHBA do të diskutojë edhe për mundësinë e mbështetjes së një "procesi për rikthim në demokraci" në Ukrainë, tha një përfaqësues i DASH.

Në të njëjtën kohë SHBA vazhdojnë trysninë ndaj Presidentit Viktor Janukoviç dhe qeverisë së tij. Sipas të dhënave të zëdhënëses së DASH, Jennifer Psaki, qeveria e SHBA dhe kongresi po konsultohen për mundësinë e sanksioneve.