1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministri i Jashtëm gjerman nën presion

Abstenimi i Gjermanisë në KS të OKB-së për angazhimin ushtarak në Libi pas fitores së kryengritësve e ka futur qeverinë gjermane në një krizë të brendshme. Guido Westerwelle është një ministër i dobësuar.

Westerwelle nën kritika

Westerwelle nën kritika

Një vepër mjeshtërore e artit diplomatik politika gjermane ndaj Libisë nuk ishte që në krye. Kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së arriti me mundim që të vendosë për t'i mbështetur me bombardime nga ajri kryengritësit pa frikë nga vdekja kundër regjimit diktatorial të Muamar al Gaddafit, Gjermania abstenoi. Partnerët e aleancës brenda Aleancës Mbrojtëse Atlantikoveriore (NATO) e ndienë veten të lënë në baltë.     

Përshtypja u përforcua edhe më tepër, kur Gjermania në rastin e kësaj çështjeje delikate politike dhe ushtarake e pa veten krahas Kinës dhe Rusisë. Dy anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së duhet ta kenë regjistruar me kënaqësi të fshehtë pavendosmërinë gjermane, sepse dyshimet në kredibilitetin e NATO-s kanë qenë rrallë kaq të hapura sa në këtë situatë. Vetëm në luftën e Irakut të nisur nga SHBA në vitin 2003 çarja në NATO ishte edhe më e madhe se tani.

Megjithatë, atëherë gjermanët dhe francezët ishin të të njëjtit mendim në qendrimin e tyre refuzues dhe rezervat e tyre për motivet e vërteta të qeverisë së SHBA nën presidentin George W.Bush shpejt rezultuan të bazuara. Ekzistenca e armëve të shkatërrimit në masë, e cila deklarohej, rezultoi si gënjeshtër. Por gjendja fillestare në rastin e Libisë ishte krejt e ndryshme. Nën përshtypjen e revolucioneve të suksesshme dhe në masë të madhe jo të përgjakshme në Tunizi dhe në Egjipt, kryengritës ushtarakisht shumë më të dobët se Gaddafi guxuan të hidhen në kryengritje kundër sistemit të tij të terrorit.

Ndalimi i masakrimit të popullatës libiane ishte synimi i shpallur i rezolutës së OKB-së. Që ky vendim mund të sillte me vete rreziqe të pallogaritshme, ndoshta edhe angazhimin e trupave tokësore, ishte një argument i justifikuar i ministrit të Jashtëm gjerman. Por nëse rezervat e tij ishin me të vërtetë kaq të mëdha, atëherë ai duhet të kish votuar në mënyrë konsekuente me "jo" në KS të OKB-së. Sa në siklet duhet të jenë ndodhur Guido Westerwelle dhe me të edhe kancelarja Angela Merkel që në momentin e vendimit të tyre, këtë e qartësoi mbështetja e tyre verbale për rezolutën e OKB-së. Më e madhe, diferenca midis veprimeve dhe fjalëve nuk mund të ishte.

Nëse kryengritësit libianë nuk do ta kishin arritur synimin e tyre, rrëzimin e Gaddafit, megjithë mbështetjen e NATO-s, apo nëse do të kish nisur një luftë e gjatë në tokë me humbje të mëdha, atëherë ministri i Jashtëm gjerman ka mundësi që të rezultonte si një politikan largpamës. Por për fatin e njerëzve në Libi kjo nuk ndodhi. Që Westerwellja në këtë situatë, suksesin e kryengritësve të mundësuar nga NATO-ja e interpretoi fillimisht si rezultat të politikës gjermane të sanksioneve kundër Libisë, ishte një akt arrogant. Që u deshën politikanë të partive të tjera dhe nga radhët e partisë së tij ta shtyjnë që të vlerësojë rolin e NATO-s, dëshmoi për qendrim mospranues dhe mbivlerësim të vetes.

Kancelarja Federale Angela Merkel do të bënte mirë që ta ndërronte ministrin e saj të Jashtëm. Në bazë të kushtetutës gjermane, ministrat emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti Federal pas propozimit të kryetarit të qeverisë. Por Merkeli druhet ta ndërmarrë këtë hap, sepse ajo nuk e pengoi Westerwellen në momentin vendimtar të abstenonte në KS për çështjen e Libisë. Kjo në një kohë kur është ajo personi që i përcakton direktivat e politikës dhe mban për këtë përgjegjësi. Edhe këtë e përmban ligji themeltar gjerman. Sa më gjatë që ta mbajë Westerwellen, aq më shumë e minon ajo autoritetin e saj dhe rrezikon kohezionin e koalicionit qeveritar konservator-liberal duke dëmtuar prestigjin e Gjermanisë.

Autor: Marcel Fürstenau

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM