1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministri i Jashtëm gjerman kundërsulmon ministrin e Jashtëm rus

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov ndërhyri personalisht në debatin për fatin e një vajze me origjinë ruse që jeton në Berlin. Nga këndvështrimi gjerman kjo është përpjekje për t'i keqpërdorur migrantët për qëllime politike.

Qeveria gjermane e hedh poshtë kritikën nga Rusia. Është e palejueshme, që gjoja rrëmbimi dhe përdhunimi i një 13 vjeçareje gjermane të Rusisë në Berlin të shpërdorohet për qëllime politike, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefen Seifert në Berlin. Gjermania është shtet juridik, tha ai. Autoritetet kompetente të drejtësisë duhet të vazhdojnë hetimet "në qetësi dhe pa u shqetësuar nga jashtë."

Steinmeieri sulmon Lavrovin

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Frank-Walter Steinmeier e sulmoi në mënyrë të pazakonshme të ashpër verbalisht homologun e tij, Sergej Lavrov dhe e akuzoi për përzierje në punët e brendshme të Gjermanisë. Nuk ka asnjë justifikim që "ky rast të përdoret për propagandë politike dhe për të ushtruar ndikim në debatin gjithsesi të vështirë të migrantëve këtu dhe për ta acaruar atë." Ministri i Jashtëm gjerman tha se autoritetet gjermane po bëjnë të gjitha përpjekjet, për ta sqaruar këtë rast. "Autoritetet ruse i këshilloj vetëm që t'i referohen gjendjes së hetimeve". Ministria e Jashtme gjermane do ta pajisë ambasadorin rus në Berlin brenda ditës së mërkurë me informacionet e nevojshme, tha Steinmeieri, pa përmendur detaje.

Pyetjes se sa të vërtetë e vlerëson ai raportimin në mediet ruse për këtë rast, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schäfer iu përgjigj: "Sa më shumë kalon koha, aq më e qartë bëhet: gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra."

Diskutimet u bënë në kuadër të zhdukjes së përkohshme në Berlin të një vajze 13 vjeçare gjermane të Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov e akuzoi të martën për "fshehje të fakteve" policinë gjermane. Sipas medieve, vajza kishte thënë se në 11 janar e patën rrëmbyer tri burra me pamje "jugore" dhe që flisnin një gjermanishte të çalë. Sipas medieve, atë e patën futur në një banesë, ku e patën përdhunuar dhe keqtrajtuar. Por policia e Berlinit i kundërshtoi zërat se vajzën e patën rrëmbyer dhe përdhunuar. Por nga largësia, ministri i Jashtëm rus duket se e ka më të qartë gjendjen. "Është e qartë se vajza nuk zhduket vullnetarisht për 30 orë", tha Lavrovi.

Informacione të shtrembëruara

Autoritetet gjermane thonë se ky është rasti i fundit në vazhdën e një sërë informacionesh të shtrembëruara. Edhe Shërbimi i Jashtëm Evropian (EAD), krahu diplomatik i BE, arrin në të njëjtin përfundim në një informacion, të cilin e zotëron agjencia e lajmeve Reuters.

Pesha e rëndë e BE, Gjermania, që pas krizës së Ukrainës, po sidomos që prej krizës së refugjatëve përshkruhet sistematikisht në mediet ruse si një vend buzë greminës, thuhet në Bruksel. Prandaj akuza e përdhunimit prej disa migrantëve në Berlin përshtatet në këtë skemë. Një shkak tjetër i mundshëm: shumë refugjatë sirianë në Gjermani janë kundërshtarë të regjimit sirian të Bashar al-Assadit, të cilin Moska e përshëndet.

DW.COM