1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle vlerëson përparimet në politikën ndaj Sirisë dhe Iranit

Claudia Sarre/Angjelina Verbica30 Shtator 2013

"Kjo javë ka qenë një javë e mirë për botën", tha Westerwelle në OKB, duke patur parasysh përparimet e arritura së fundi në politikën ndaj Sirisë dhe Iranit.

https://p.dw.com/p/19qwg
Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.Fotografi: picture-alliance/dpa

Java pas humbjes së madhe të FDP në zgjedhjet e parlamentare gjermane të dielën e kaluar (22.9.) ka qenë e vështirë për politikanin liberal Guido Westerwelle. Por në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork natën e së dielës (29.9) ai arriti në përfundimin se "kjo javë ka qenë një javë e mirë për botën", duke patur parasysh përparimet e arritura së fundi në politikën ndaj Sirisë dhe Iranit.

Pjesën më të madhe të fjalimit Guido Westerwelle ia kushtoi luftës civile në Siri. Ai e vlerësoi marrëveshjen e arritur në Këshillin e Sigurimit për shkatërrimin e arsenalit të armëve kimike siriane, por bëri thirrje për hapa të mëtejshëm: "Përdorimi i armëve kimike nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar. Për këtë ne u detyrohemi jo vetëm viktimave në Siri, por edhe brezave të ardhshëm. Ata, që janë përgjegjës për përdorimin e tyre, duhet të përgjigjen për këtë përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare."

Synimi armëpushimi i menjëhershëm në Siri

Duke patur parasysh konferencën e paqes, të planifikuar për në nëntor në Gjenevë, Westerwelle i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta shfrytëzojë këtë mundësi. Në Siri nuk ka zgjidhje ushtarake. Vetëm një zgjidhje politike do të sjellë paqe të qëndrueshme.

Guido Westerwelle përshëndet zhvillimet "inkurajuese" në politikën ndërkombëtare
Guido Westerwelle përshëndet zhvillimet "inkurajuese" në politikën ndërkombëtareFotografi: picture-alliance/dpa

Bisedimet diplomatike me qeverinë iraniane ministri i Jashtëm gjerman i quajti "inkurajuese": "Gjermania është e gatshme të zhvillojë negociata konstruktive. Por fjalët e reja nga Teherani duhet të ndiqen nga fakte konkrete, jo dikur, por tani. Dua ta përsëris se një fillim i ri është bërë."

Lidhur me bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme politikani 51 vjeçar u shpreh optimist dhe i siguroi kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidentit të palestinezëve Mahmud Abaz "mbështetjen e plotë" në përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje: "Vetëm një zgjidhje me dy shtete si rezultat i negociatave mund të çojë interesat legjitime të të dyja palëve për një zgjidhje paqësore."

Iniciativa gjermane për mbrojtjen e të dhënave

Befasuese ishte thirrja e Westerwelles për mbrojtjen më të mirë të të dhënave private në internet. Duke patur parasysh aferën e përgjimeve të shërbimit të fshehtë të SHBA NSA ai tha, se ai, që e përdor internetin, do të duhej të jetë i sigurtë se të drejtat e tij janë të respektuara në mbarë botën: "Ashtu siç kemi nevojë të rregullojmë flukset ndërkombëtare financiare për të penguar kriza botërore ekonomike, kemi nevojë për rregulla dhe standarte të detyrueshme për flukset globale të të dhënave."

Prandaj Gjermania ka paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një iniciativë për mbrojtjen e së drejtës të sferës private.