1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministri Guttenberg bën fjalë për luftë në Afganistan

Dy ditë pas luftimeve të përgjakshme në Kundus ushtarët e Bundesverit në Afganistan u dhanë lamtumirën e fundit tre shokëve të tyre të vrarë. Ministri i Mbrojtjes deklaroi se misioni në Afganistan do të vazhdojë.

Ministri i Mbrotjjes Karl-Theodor zu Guttenberg

Ministri i Mbrotjjes Karl-Theodor zu Guttenberg

Dy ditë pas luftimeve të përgjakshme në Kundus ushtarët e Bundesverit (ushtria gjermane) në Afganistan u dhanë lamtumirën e fundit tre shokëve të tyre të vrarë. Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg i hodhi poshtë kritikat lidhur me strategjinë e qeverisë për Afganistanin dhe kërkesat për tërheqjen nga Afganistani. Këto reagime pasuan pas incidenteve të fundit në Kundus. Të dielën (04.04) në Bon minsitri deklaroi në një konferencë shtypi, se misioni në Hindukush vazhdon të jetë i rrezikshëm. Ushtria gjermane, Bundesver, duhet të bëjë gjithçka për të shmangur përplasjet me aleatët, tha ministri i Mbrojtjes zu Guttenberg. "Ne duam të ndërmarrim gjithçka, për të shmangur incidente të tilla, por asnjëherë nuk mund të përjashtohet rreziku nga situata, që i konsiderojmë të ngjashme me luftën, ose siç thuhet në gjuhën e folur luftë, apo edhe rrethana të tjera të padëshirueshme."

Ministri deklaroi se do të bëhen hetime të detajuara dhe se prokuroria i ka nisur tashmë hetimet. "Ky rast ndërkohë po hetohet intensivisht. Për mua është e rëndësishem të them, që ky rast po hetohet edhe në nivel kombëtar."

S' ka alternativë për misionin në Afganistan

Ministri sërish e mbrojti misionin në Afganistan si të paalternativë dhe i hodhi poshtë kërkesat për një tërheqje të menjëhershme nga Afganistani, duke argumentuar: "Një Afganistan shpërthyes nuk mund të lihet vetëm", sepse kjo do të kishte pasoja ndaj fqinjëve të armatosur me armë bërthamore, ndaj Iranit si dhe ndaj të gjithë Azisë Qendrore, tha ministri. Mjafton vetëm ky fakt për të bërë të qartë kuptimin e misionit, i cili ka një objektiv realist. Strategjia e Afganistanit nuk mund të konsistojë në atë "që të largohemi nga ky vend nga sytë këmbët duke u lënë mundësi veprimi pikërisht atyre, të cilët karakterizohen nga veprimet e neveritshme."

Duke reguar ndaj kritikave dhe kërkesave për tërheqjen e menjëhershme nga Afganistani, ministri zu Guttenberg theksoi: "Ne do të qëndrojmë në Afganistan, sepse kemi realizuar një kthesë të strategjisë, e cila ndodhet në fazën e zbatimit, por ende nuk është vënë në jetë. Më lejoni të theksoj edhe diçka këtu me këtë rast: unë vetëm mund t' u bëj thirrje atyre, që tani reagojnë me komente të mprehta, sipas të cilave e premtja e kaluar ishte shprehje e dështimit të strategjisë së re të qeverisë, se strategjia e re është vetëm në hapat e parë të zbatimit dhe ajo që ndodhi të premten nuk është shprehje e kësaj strategjie. Strategjia e re mund të jetë e prekshme vetëm pasi ne të kemi hedhur hapat konkrete sa u përket forcave dhe masave për shkollimin. Qysh nga vera deri në vjeshtë ne kemi folur vazhdimisht derisa e nisëm këtë strategji. Unë gjithmonë e kam thënë, se edhe strategjia e re do të ketë rreziqe, por strategjia e vjetër që vazhdon ndërkohë bart gjithashtu rreziqe dhe kjo u bë e qartë ditën e premte."

Nga ceremonia e përmortshme në Kundus(04.04.2010)

Nga ceremonia e përmortshme në Kundus(04.04.2010)

Lamtumira e fundit të vrarëve në Afganistan

Gjatë një ceremonie të përmortshme në provincën veriore të Afganistanit, Kundus, të djelën (04.04) ushtarët gjermanë të dislokuar atje u bënë nderimet e fundit shokëve të tyre të vrarë. Tre parashutistët nga Saksonia e Poshtme ishin të moshës 25 deri në 35 vjeç. Të tre ushtarët gjetën vdekjen të premten gjatë shkëmbimeve të zjarrit që zgjatën për orët tëra mes Bundesverit dhe talibanëve radikalë-islamikë. Tetë ushtarët të tjerë gjermanë u plagosën. Këto ishin luftimet më të ashpra të Bundesverit qysh prej krijimit të kësaj ushtrie. Në ceremoninë e përmortshme për përcjeljen e trupave të ushtarëve të vrarë nga Kundusi në Gjermani ishte i pranishëm ministri i Zhvillimit i partisë liberale Dirk Niebel, i cili me këtë rast e zgjati edhe me nje ditë vizitën në Afganistan. Niebel u shprehu ushtarëve ngushëllimet dhe u tha atyre fjalë inkurajuese duke theksuar, se "ushtarët gjermanë nuk influencohen nga dhuna e pabesë". "Me aleatët tanë ne do ta vazhdojmë luftën kundër terrorizmit në Afganistan për një vend të paqtë, të stabilizuar dhe të sigurtë.", tha Niebel. Ministri i Zhvillimit kërkoi edhe mbështetjen e popullsisë për misionin e Bundesverit në Afganistan. Luftimet e së premtes treguan se sa e rrezikshme është situata për ushtarët, thekson ministri në një intevristë gazete.

Autor: DPA-DW / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

DW.COM

  • Data 05.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mn9p
  • Data 05.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mn9p