1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri gjerman i Mbrojtjes De Maizière nën presion

Bettina Marx / Pandeli Pani4 Qershor 2013

Rënia e de Maizièrit mund të ndikojë negativisht edhe për kancelaren Merkel dhe partinë e saj CDU tani disa muaj para zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/18j8z
Fotografi: picture-alliance/dpa

Thomas de Maiziere nuk është ndonjë njeri me shumë temperament dhe as ndonjë personalitet, që bie fort në sy. "Disa njerëz thonë se unë të krijoj përshtypjen e  një kapëse letrash," tha ai një herë në një intervistë. Megjithatë, me emrin e politikanit 59-vjeçar të CDU-së shumë njerëz asociojnë gjithashtu atribute shumë më të mira: ai është i matur, besnik, i virtytshëm, i disiplinuar dhe modest  gjykojnë kolegët dhe vartësit e tij si dhe vëzhguesit politikë. 

Për kancelaren Angela Merkel ai qe një person i besuar dhe një "armë për të gjitha qëllimet." Në vitin 2005 ajo e mori atë si ministër pranë kancelarisë në anën e saj. Në vitin 2009 e bëri ministër të Brendshëm dhe në mars 2011 - pas dorëheqjes së Karl-Theodor zu Guttenberg - ministër të Mbrojtjes. Të paktën që nga kjo kohë ai konsiderohej edhe si pasardhësi i mundshëm i Angela Merkelit.

Angela Merkel dhe Thomas de Maiziere
Angela Merkel dhe Thomas de Maiziere në Kundus, AfganistanFotografi: picture-alliance/dpa

Çështja Euro Hawk

Por tani ministrit të Mbrojtjes i duhet të luftojë për mbijetesën e tij politike. Dështimi i projektit për avionët pa pilot Euro Hawk, i cili ka kushtuar disa qindra milionë euro, mund të çojë në dorëheqjen e ministrit. Ky projekt kishte nisur para se Thomas de Maiziere të bëhej ministër i Mbrojtjes. Më 5 qershor de Maiziere duhet të shpjegojë përpara Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen rrethanat se përse ka dhënë urdhër për ndërprerjen e këtij projekti dhe nëse këtë e ka bërë me kohë, apo me vonesë si mendon opozita.

Drohne Drohnen Unbemanntes Flugzeug Bundeswehr Deutschland Euro Hawk
Euro HawkFotografi: dapd

Ushtarë të pakënaqur

Por jo vetëm çështja Euro Hawk i shkakton probleme imazhit të ministrit të Mbrojtjes. Aktualisht prokuroria po heton ndaj një punonjësi të ushtrisë gjermane në lidhje me akuzat për korrupsion në rastin e blerjeve të disa pajisjeve dhe armatimeve, që kanë dalë me defekte.

Po ashtu ushtarët dhe oficerët janë të pakënaqur edhe prej reformave, që ka nisur paraardhësi i de Maizièrit. Shefi i Shoqatës së Ushtrisë Gjermane Ulrich Kirsch mendon se paraardhësi i tij zu Guttenberg i kishte lënë de Maizièrit pas një katrahurë, por se megjithatë ky i fundit mban përgjegjësinë për pasojat financiare.

Oberstleutnant Ulrich Kirsch bei Pressekonferenz Bundeswehrverband
Ulrich KirschFotografi: picture-alliance/dpa

Pasoja për kancelaren

A mund të ndikojë negativisht rënia e de Maizièrit për kancelaren Merkel dhe partinë e saj CDU tani disa muaj para zgjedhjeve? Partia CDU për momentin nuk duket e fortë, sidomos pas një sërë dorëheqjesh, si ministri i Ambientit  Norbert Rëttgen, ministrja e Arsimit Annette Schavan, apo disa politikanë drejtues të landeve.

Deri tani Merkeli duket megjithë kritikat dhe problemet thuajse pa konkurrencë në krye të partisë CDU dhe të shtetit. Këtë e tregojnë jo vetëm anketimet, por edhe vlerësimet në media, që janë kryesisht pozitive. Edhe revista "Forbes" sapo e ka zgjedhur kancelaren Merkel për të tretën herë si gruaja më e fuqishme në botë.

Megjithatë në rast se de Maiziere do të detyrohet të japë dorëheqjen, kjo gjë mund të ndryshojë. Sepse askush në radhët e partisë CDU nuk është i gatshëm të marrë përsipër postin e ministrit të Mbrojtjes, që konsiderohet si katapultë famëkeqe.