1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri de Maiziere mbron ligjin e azilit në Bundestag

(vfb)wl/djo (dpa, afp, rtr, epd, kna)1 Tetor 2015

Gati ligji i ri i azilit, pas votimit në Bundestag e Bundesrat, hyn në fuqi më 1 nëntor. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere tha se bëhet fjalë për vendime të domosdoshme, por edhe të ashpra. Opozita ngre kritika.

https://p.dw.com/p/1Ggbb
Deutschland Bundestag Asylrechtsänderung Gregor Gysi
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Sistemi gjerman i azillit nuk është konceptuar për një situatë të tillë dyndjeje si tani. Projektligji synon përmirësime, tha ministri Thomas de Maiziere gjatë leximit të parë të ligjit në Bundestag në Berlin. Politikani kristiandemokrat pranoi, se ndër masat e parashikuara bëjnë pjesë edhe "vendime të ashpra".

Mesazhet kryesore të kësaj pakete ligjore janë shqyrtimi i shpejtë i procesit të azilit, shmangia e joshjeve të rreme dhe integrimi i atyre që kanë nevojë për mbrojtje, shpjegoi de Maiziere.

Ligji ka për qëllim të shkurtohet kohëzgjatja e shqyrtimit të kërkesave për azil dhe kthimin e shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar. Në strehimoret e pranimit fillestar në të ardhmen refugjatëve në vend të parave në dorë t'u jepen ushqime dhe sende të tjera të nevojshme.

Ndër rregullat e reja bën pjesë edhe klasifikimi i shteteve si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi si vende të sigurta origjine. Qytetarët e këtyre vendeve kësisoj nuk kanë shanse të fitojnë të drejtën e azilit në Gjermani. Njëkohësisht refugjatët me perspektivë për të qendruar duhet të integrohen mundësisht sa më shpejt në shoqëri dhe në botën e punës. Paketa ligjore do të miratohet me prcedurë të shpejtë në Bundestag (parlamenti) dhe në Bundesrat (këshilli fedral)dhe do të hyjë në fuqi më 1 nëntor.

Thomas de Maiziere
Ministri i Brendshëm, Thomas de MaiziereFotografi: picture alliance/AP Photo/M. Sohn

Kërkohet "kulturë akceptimi"

De Maiziere u drejtoi një apel këmbëngulës refugjatëve, që t'u përmbahen ligjeve dhe botëkuptimit këtu në vend. "Nëse ne u flasim qytetarëve tanë për një kulturë mirëseardhjeje, duhet që edhe prej atyre, që vijnë të kërkojmë një "kulturë akceptimi", tha politikani kristiandemokrat.

Nga ana tjetër kushdo që hyn në Gjermani ka të drejtën që të trajtohet në liri, me respket dhe në mënyrë humane, theksoi de Maiziere. "Përçmimeve nga ekstremistët e djathtë dhe akteve në rritje të dhunës deri në tentativat për vrasje ne u kundërvihemi me të gjithë forcën e shtetit ligjor", siguroi ministri.

Kritikë nga ekologjistët dhe të majtët

Opozita kritikoi, se kjo paketë ligjore është fokusuar fort tek efekti frikëngjallës. Zëdhënsi i politikës së të drejtave të njeriut në partinë "Të Gjelbërit", Volker Beck, tërhoqi vëmendjen, që refugjatët nga vende të sigurta origjine - të mos mbahen për një kohë të gjatë në strehimoret e pranimit fillestar, siç është parashikuar. Sepse sipas tij në rrethana të tilla është e paraprogramuar, që situata të tensionohet.

Kryetari i grupit parlamenatr të së majtës Gregor Gysi tha, se arratia e shumë njerëzve i ka shkaqet e saj edhe tek politika e jashtme e gabuar që ndiqet. Këtë e tregon aktualisht situata në Afganistan. Gysi kërkoi, që të ndalohen eksportet e armëve në zonat e krizës. Gjithashtu, sipas tij, duhet që të bëhet më shumë kundër urisë në vendet në zhvillim.