1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministrat e Transportit të BE vendosin menaxhim më të mirë të hapësirës ajrore

Pasi reja e hirit vullkanik u tërhoq - pothuajse krejtësisht - ministrat e Transportit të BE po kërkojnë zgjidhje të unifikuara për mbikqyrjen e hapësirës ajrore dhe për caktimin e vlerave kufi të ndotjes.

default

Ministrit irlandez të Transportit, Noel Dempsey, iu desh sërish që për shkak të koncentrimit shumë të lartë të hirit mbi hapësirën ajrore irlandeze të qendronte në shtëpi. Kjo ishte një kujtesë e mirë për faktin që problemi mund të rishfaqet në çdo kohë. Në prill u anulluan thuajse 100 mijë fluturime, dhjetë milionë pasagjerë u bllokuan pa qenë në gjendje të fluturonin. Humbjet e shoqërive ajrore u llogaritën në 1,5 deri 2,5 miliardë euro.

Por kaosi u bë i plotë, kur vende të veçanta e mbajtën të bllokuar hapësirën e tyre ajrore, në një kohë që të tjerat e liruan atë, duke vendosur për këtë në bazë të kritereve të ndryshme. Prandaj, ministri gjerman i Transportit, Peter Ramsauer kërkon këtu një zgjidhje evropiane:

"Neve na nevojiten me urgjencë sisteme matjeje të unifikuara, të qarta dhe për të cilat është rënë dakord njëzëri për koncentrimin e hirit vullkanik në ajër, vlera kufi të njësuara, të cilat duhet t'i zhvillojmë së bashku me industrinë e fluturimeve, me prodhuesit e motorëve, për çështjen se çfarë është e padëmshme për një avion dhe në cilat përqindje të koncentrimit të hirit nuk lejohet në asnjë mënyrë të fluturohet?"

Për javët e ardhshme, ministrat ranë dakord që të mbeten në fuqi ato vlera maksimale për hirin vullkanik në ajër, të cilat hynë në fuqi dy javë më parë. Kjo do të thotë që modeli me tri zona do të vlejë edhe më tej. Ai parashikon një ndalim fluturimi në rastin e koncentrimit shumë të lartë të hirit; fluturime me kufizime të caktuara në sektorët me përqindje mesatare të koncentrimit dhe jo kufizime atje ku në ajër ka shumë pak pjesëza. Për këtë model, ministrat e Transportit patën vendosur që dy javë më parë, pasi transporti ajror u ndërpre për pesë ditë.

"Ne kemi shpallur detyrimin që t'u nënshtrohemi definitivisht rregullave të njësuara. Këto direktiva të njësuara i kemi mbështetur edhe me metoda matjeje të njësuara dhe vlera kufi në lidhje me çështjen se çfarë janë në gjendje të përballojnë avionët dhe motorët."

Vlerat minimale dhe maksimale do të përpunohen edhe njëherë dhe do të paraqiten në takimin e ardhshëm të ministrave të Transportit në qershor.

Në këtë drejtim, qeveritë në pjesën më të madhe janë të të njëjtit mendim. Por pas kësaj qendron një problem më i madh. Ai konsiston në faktin që praktikisht çdo vend ka autoritetet e tij të kontrollit të hapësirës ajrore. Vërtet që që prej 50 vjetësh ekziston Organizata Evropiane për Sigurinë e Fluturimeve, shkurt Eurocontrol, por ajo nuk ka të drejtë t'u caktojë direktiva autoriteteve kombëtare. Komisioni punon prej kohësh për të krijuar një hapësirë të njësuar evropiane. Por me pak sukses.

Autor: Christoph Hasselbach/Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 05.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NEUF
  • Data 05.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NEUF