1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ministrat e Jashtëm të NATO-s duhet t'i besojnë fuqisë së fjalëve të tyre, se mjete të tjera për të vepruar kundër Rusisë nuk kanë

Për aq kohë sa Moska të mos tërhiqet nga Gjeorgjia, bashkëpunimi i NATO-s me Rusinë do të bllokohet, u tha në Bruksel.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer dhe presidenti rus Dimitry Medvedev (montazh)

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer dhe presidenti rus Dimitry Medvedev (montazh)

Në një deklaratë të përbashkët, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kërkuan dje nga Rusia që të tregojë me fjalë dhe me vepra, se vazhdon t'u qëndrojë besnike atyre parimeve, në të cilat bazohet bashkëpunimi i NATO-s me Rusinë.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s duhet t'i besojnë fuqisë së fjalëve të tyre, sepse mjete të tjera në thelb ata nuk kanë, për të vepruar kundër Rusisë. Sanksionet politike përjashtohen, nëse nuk ke ndërmend të ndërpresësh fillin e bisedimeve me Moskën. Sanksionet ekonomike do ta acaronin edhe më tej gjendjen. Rusia mund të pakësonte si kundërmasë dërgimet e energjisë në Evropë, gjë që mund ta prekte rëndë pjesën evropiane të NATO-s. Një izolim ekonomik i vendit gjigand në epokën globale gjithsesi nuk është i mundur. Dhuna ushtarake përjashtohet. Prandaj edhe shumica e shteteve anëtare të NATO-s janë të gëzuara që Gjeorgjia nuk është krejtësisht anëtare e NATO-s ose formalisht kandidat për anëtarësim. Asnjë ministër i jashtëm nuk ka qejf që të përfshihet në turbullirat e luftës së Kaukazit.

Ato që mbeten janë fjalët

Frank Valter Shtajnmajeri ka të drejtë kur thotë, se roli i NATO-s në rajon është i vogël. Po a duhet të lejosh për këtë që Rusia të të hedhë valle para hundës? A nuk mund të dëbohen rusët nga grupi i tetë vendeve më të rëndësishme të industrializuara ose të bllokosh anëtarësimin e tyre në OBT? Kjo ndoshta do të çonte vetëm në një largim të mëtejshëm të Rusisë nga i ashtuquajturi kamp perëndimor. Konflikti i Gjeorgjisë qartëson dhimbshëm se ndikimi i NATO-s, i Evropës ose i SHBA-ve ndaj Rusisë që po forcohet ekonomikisht dhe po vepron gjithnjë e më tepër në mënyrë imperialiste, është shumë i kufizuar.

Për momentin duket se Rusia ka në dorë pjesën më të gjatë të litarit

Duket sikur Rusia po merr tani hak, për poshtërimin që ka përjetuar për mendimin e saj vitet e fundit: për zgjerimin e NATO-s, për luftën e Ballkanit kundër Serbisë, për sulmin kundër së drejtës ndërkombëtare në Irak, ndarjen e Kosovës nga aleati Serbi dhe mburojën mbrojtëse raketore.

Për mendimin e NATO-s, kërkesat ruse janë të pakuptimta, por për momentin duket se Rusia ka në dorë pjesën më të gjatë të litarit. Partneriteti strategjik i synuar dikur me Rusinë po shpërbëhet. Çfarë do të ndodhë sikur Rusia të jetë e mendimit që pas Gjeorgjisë t'u duhet të ndihmojë ndoshta edhe qytetarët rusë në Moldavi ose në Krime të Ukrainës?

Sërish bisedime si dikur mes superfuqive

Presidenti amerikan dhe BE-ja duhet të kërkojnë një takim të menjëhershëm të nivelit të lartë me presidentin rus dhe me kryeministrin e tij, për t'i trajtuar problemet në nivelin më të lartë. Vetëm kështu ndihet e marrë seriozisht Rusia, vetëm kështu mund ta zgjidhin Rusia dhe SHBA grindjen për topin e lojës, Gjeorgji. Kjo të kujton në mënyrë fatale skenarët e luftës së ftohtë, kur kërcënimi bërthamor dhe gara e armatimit trajtoheshin në një sërë takimesh të nivelit të lartë midis dy superfuqive. Po ndoshta nuk ka rrugë tjetër.

  • Data 20.08.2008
  • Autor Bernd Riegert
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F1aM
  • Data 20.08.2008
  • Autor Bernd Riegert
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F1aM