1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministrat e jashtëm të BE-së shtojnë trysninë ndaj Sirisë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan të hënën (18.07.) në Bruksel. Në takim para së gjithash u diskutua për Sirinë. Libinë dhe Lindjen e Mesme. Bashkimi Evropian insiston për ndryshime politike në Damask.

Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

Bashkimi Evropian ka vendosur fillimisht sanksione kundër udhëheqjes siriane, dhe pas një ngurrimi të gjatë edhe kundër vetë presidentit Bashar al-Assad.

BE e zhgënjyer nga mungesa e reformave

Për një kohë të gjatë dukej sikur qeveria do të ndiqte një kurs reformator. Por Catherine Ashton, përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së u shpreh e zhgënjyer:

"Unë besoj se ne të gjithë kemi shpresuar që dialogu, kur ai filloi, me të vërtetë do të përfshinte edhe opozitën dhe do të vinte në lëvizje një proces negociator. Por kjo me sa duket nuk ndodhi."

Tani shtetet anëtare të BE-së janë duke kërcënuar me masa të tjera ndëshkuese por nuk kanë vendosur për asgjë konkrete. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle beson se shumë vende në Evropë dhe jashtë saj kanë qenë të përmbajtura sepse ato definitivisht nuk duan ndonjë ndërhyrje tjetër ushtarake të ngjashme me atë në Libi.

"Nuk bëhet fjalë për përgatitjen e ndonjë ndërhyrjeje por është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare jo vetëm me sanksione por edhe politikisht të gjejë një gjuhë të përbashkët dhe ta bëjë të qartë se sjellja e regjimit sirian është e papranueshme dhe se duhen ndërprerë këto mizori kundër demonstruesve paqësorë (...)."

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP).

Westerwelle: sjellja e regjimit sirian është e papranueshme.

Westerwelle premtoi se kërkon të ndikojë tek Rusia si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia deri tani ka penguar një rezolutë të Kombeve të Bashkuara përmes së cilës duhej të dënohej dhuna në Siri. Për shumicën e qeverive të BE-së është ende e mundur që Assadi të ndërmarrë reforma demokratike por të mbetet në detyrë.

Gaddafi nuk ka më legjitimitet

Për dallim, presidenti libian Muammar Gaddafi ka kohë që e ka humbur tërë legjitimitetin për Bashkimin Evropian. BE e konsideron Këshillin Tranzitor Kombëtar si partner politik legjitim në bisedime. Westerwelle e mbështet idenë për lirimin e parave të ngrira të qeverisë libiane në mënyrë që ato të përdoren për qëllime humanitare në Libi. Këto asete i takojnë popullit libian, shprehet shefi i diplomacisë gjermane dhe nuk kanë të bëjnë aspak me partitë.

"Këtu nuk bëhet fjalë për vlerësimet politike apo për këtë palë apo për palën tjetër. Këtu thjesht bëhet fjalë për njerëzit të cilët vuajnë tmerrësisht po ashtu nga pasojat e kësaj lufte dhe atyre duhet t'u vihet në ndihmë."

Njohja e shtetit palestinez shihet me rezerva nga BE

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë diskutuar edhe për gjendjen në Lindjen e Mesme. Palestinezët duan t'i bindin Kombet e Bashkuara që të njohin një shtet të pavarur palestinez qysh në muajin shtator. Por shefi i diplomacisë suedeze Carl Bildt paralajmëron për kujdes:

"Ne shpresojmë që një ditë do të njohim një shtet palestinez por unë besoj që nuk kemi arritur ende deri në atë pikë. Ne kemi nevojë për një marrëveshje paqësore dhe për këtë po punojmë. Dhe unë besoj që uniteti i Bashkimit Evropian, siç është treguar gjatë viteve të kaluara është për momentin forca konstruktive në skenën mbarëbotërore për të arritur një gjë të tillë. Ndoshta nuk mjafton uniteti i BE-së por pa të gjërat vetëm sa do të përkeqësoheshin."

Ndaj kujtesës se shtatori nuk është larg dhe pushimet e verës ndodhen në prag, Bild u përgjigj se: në fund të fundit ekzsiton interneti, twitter dhe telefoni, dhe ky nuk është problem.

Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM