1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Ministrat e jashtëm të BE ranë dakord për një dokument të përbashkët ndaj pavarësisë së Kosovës

Shtajnmajer: "Shumica e shteteve anëtare do të njohë një Kosovë të shtetit juridik, demokratike dhe multietnike"

Ministra të jashtëm të BE (Rupel, Plasnik)dhe kryediplomati Solana në Bruksel (18.02.08)

Ministra të jashtëm të BE (Rupel, Plasnik) dhe kryediplomati Solana në Bruksel (18.02.08)

Ministrat e jashtëm të BE ranë dakord pas debateve shumëorëshe për një dokument të përbashkët ndaj pavarësisë së Kosovës. Por megjithë deklaratën e përbashkët, në të thuhet se vendet e veçanta anëtare duhet të vendosin vetë për marrëdhëniet e tyre me Kosovën. BE do të luajë "një rol drejtues, për të siguruar stabilitetin në rajon". Për këtë ai do të bashkëpunojë me OKB-në, me trupën e KFOR-it, NATO-n dhe aktorë të tjerë. Komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn:

"Vendimi i sotëm i Këshillit merr në konsideratë se vendet anëtare do të veprojnë në përputhje me praktikat e tyre kombëtare në lidhje me njohjen e Kosovës. Dhe pastaj një hap tjetër do të jetë... bërja e propozimeve për të shfrytëzuar instrumentat e komunitetit për shembull për nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe kontakteve midis njerëzve dhe bërjen e propozimeve të tjera konkrete, për të nxitur integrimin e Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE"

Ballkani Perëndimor ka një perspektivë evropiane, theksuan ministrat. Ata thanë se Kosova nuk paraqet një precedent për raste të tjera. Kryediplomati i BE, Havier Solana:

"Rasti i Kosovës është qartë se është sui generis, sepse sui generis është situata. Ne kemi një situatë kur duhet të vendosim shtetet anëtare. Nëse ato do të vendosin sot, nëse do të vendosin për një muaj apo për gjashtë muaj, këtë ata mund ta bëjnë kur të duan. Kjo është pjesë e kompetencave nacionale të vendeve përkatëse", theksoi kryediplomati i BE, Havier Solana pas takimit. Më tej ai foli i lehtësuar për "një ditë të mirë".

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer foli për "diskutime të ashpra dhe kundërthënëse" gjatë takimit. Megjithatë në fund ai e karakterizoi mbledhjen si "sukses për Evropën. Një dështim do ta kishte hedhur me vite pas politikën e jashtme të BE", tha Shtajnmajeri. Ai shtoi :"Shumica e shteteve anëtare do të njohë një Kosovë të shtetit juridik, demokratike dhe multietnike. Edhe Gjermania do ta bëjë këtë hap". Pasi kishte folur me kancelaren gjermane, Angela Merkel, Shtajnmajeri tha se do t'i drejtohet në darkë(18.02) presidentit të Gjermanisë Këler (Köhler), në mënyrë "që kabineti federal të mund të marrë të mërkurën vendimet përkatëse". "Ne nuk jemi naivë. E dimë se kemi rrugë jo të lehtë përpara", tha ai.

Ministri i jashtëm i Sllovenisë, Dmitri Rupel tha se "ne treguam për një ngjarje historike një reagim të përshtatshëm". BE dëshiron të investojë deri në vitin 2010 një miliardë Euro në rajon. Deri në verë do të zhvillohet një konferencë donatorësh. Hapat e tjerë që do të pasojnë janë dërgimi në Kosovë i 1900 policëve dhe juristëve, që do ta ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e një shteti juridik dhe multietnik dhe do të garantojnë njëkohësisht "mbikqyrjen ndërkombëtare", të propozuar nga i dërguari special i OKB-së, Marti Ahtisaari. Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve në Kosovë theksohet veçanërisht në deklaratën e ministrave të jashtëm. Njëkohësisht, që në ditët e ardhshme në Prishtinë do të mbërrijnë njohjet e para ndërkombëtare të Kosovës si shtet.

DW.COM

  • Data 18.02.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D9Pq
  • Data 18.02.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D9Pq