1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministrat e jashtëm të BE kërkojnë një përgjigje për Putinin

Sërish, ministrat e jashtëm të BE u takuan në Bruksel për shkak të krizës në Ukrainë. Ajo që kërcënon këtë herë nuk është asgjë më pak se një luftë mes Ukrainës dhe Rusisë. Por BE ende stepet nga vendosja e sanksioneve.

Situata konsiderohet shumë e rrezikshme. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier sheh në ndërhyrjen ushtarake ruse në territorin shtetëror të Ukrainës "krizën më të rëndë që prej rënies së Murit të Berlinit. 25 vjet pas fundit të konfrontimit të blloqeve rreziku i një ndarjeje të re është real", tha Steinmeieri në Bruksel. Por i ndarë është edhe vetë BE, pikërisht edhe me çështjen si duhet të veprojë me situatën. Ministri i jashtëm hungarez, Janos Martonyi heq një paralele midis proceseve në Ukrainë dhe invazionit sovjetik në atdheun e tij në vitin 1956. Dhe ai nuk është i vetmi që bën krahasime të tilla. Përfaqësues të shteteve të BE, të cilat kanë vuajtur vetë nën pushtimin rus-sovjetik, kërkuan në Bruksel ndëshkimin e menjëhershëm të Moskës. Lituania, Polonia ose Çekia do të kishin preferuar që tani bllokime hyrjeje ose të llogarive rrjedhëse të rusëve me poste drejtuese.

BE është i varur nga furnizimi me naftë dhe me gaz rus

Por akoma nuk do të vendosen masa ndëshkimore. Vetëm kur Moska të mos japë "kontribute të shpejta dhe të besueshme për qetësimin e situatës", tha Steinmeieri pas konsultimeve, do të reagojë BE. Kjo vlen për negociatat për lehtësimin e vizave për rusët dhe për një marrëveshje të re bashkëpunimi. Atëherë mund të bllokohen edhe llogaritë rrjedhëse. Të enjten, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE mund t'i vendosin në një mbledhje të posaçme këto masa. Disa shtete evropiane lajmëruan rezerva kundër sanskioneve të menjëhershme. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn për shembull tërhoqi vëmendjen që "25 përqind e energjisë vjen nga Rusia dhe që marrëdhëniet ekonomike midis BE dhe Rusisë kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe."

Ministrat e jashtëm të BE të shqetësuar për Ukrainën

Ministrat e jashtëm të BE të shqetësuar për Ukrainën

Diplomaci jo nga dobësia

Të tjerë gjithashtu i konsiderojnë të diskutueshme sanksionet, sepse fillimisht tani duhen bërë përpjekje që gjendja të qetësohet. "Ne duhet ta zëvendësojmë konfrontimin me dialog", u shpreh ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Garcia. Homologu i tij hollandez e mbështet "Ne e kemi lënë pas Luftën e Ftohtë. Nuk ka shkak që ta ringjallim." Për Steinmeierin është shumë i rëndësishëm konstatimi, që BE nuk po vepron në mënyrë të përmbajtur për shkak të dobësisë. "Diplomacia e krizës nuk është dobësi, por do të jetë tani më e nevojshme se kurrë." Diplomacia për Steinmeierin në këtë situatë nuk do të thotë vetëm që diplomatët e BE të udhëtojnë për në Moskë apo për në Kiev, por para të gjithash që të përpiqen që Kievi dhe Moska të flasin drejtpërdrejt me njëra-tjetrën. Një format i mundshëm për negociata të tilla është një grup ndërkombëtar kontakti. Presidenti rus, Vladimir Putin me sa duket nuk e përjashton parimisht këtë mundësi. Steinmeieri u shpreh edhe pro një misioni vëzhgues të OSBE-së. Ky mision duhet të konstatojë si është me të vërtetë gjendja në Krime dhe në Ukrainën Lindore. Sepse deri tani, përfaqësuesit e BE shpesh janë të varur nga informacione të burimeve, të cilat nuk janë me të vërtetë neutrale.