1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU-Außenminister Brüssel

14 Shtator 2010

Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan në Bruksel për të pregatitur samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive që mbahet të enjten. Ata diskutuan çështjen e Turqisë, qëndrimin serb ndaj Kosovës etj.

https://p.dw.com/p/PBGX
Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Takim përgatitor - Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan në Bruksel.Fotografi: AP

Shumë lëvdata shprehën ministrat e jashtëm për Turqinë, ku populli pranoi me shumicë të qartë referendumin për kushtetutën. Megjithatë edhe ata që parimisht e mbështesin anëtarësimin e Turqisë në BE i kanë reduktuar pritjet e tyre dhe theksojnë se referendumi është vetëm një hap i vogël përpara në drejtimin e duhur.

Gjermania kërkon sanksione të ashpra për ata që shkelin paktin e stabilitetit të euros

Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane Dr. Werner Hoyer.
Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane Dr. Werner Hoyer.Fotografi: DW

Detyrë e takimit të ministrave të jashtëm ishte përgatitja e samitit që do të mbahet të enjten (16.9.). Në samit do të diskutohet në radhë të parë për pasojat e krizës së euros. Sekretari i shtetit në Ministrinë e jashtme gjermane Werner Hoyer kritikoi në Bruksel që grupi i punës i BE-së ende nuk ka bërë propozime konkrete për këtë temë. Qeveria gjermane kërkon para së gjithash propozime për dënime të ashpra kundër atyre që shkelin rregullat për kufirin e deficitit. Berlini kundërshton me vendosmëri idenë e Komisionit të BE-së për ta bërë ombrellën e shpëtimit për vendet e rrezikuara nga falimentimi një strukturë afatgjatë. Sipas Hoyer kështu Komisioni rrezikon "një konflikt institucional".

Ndryshimi i qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës sukses i diplomacisë evropiane

Ndryshimin e qëndrimit nga Serbia në konfliktin për njohjen e Kosovës, ministrat e jashtëm të BE-së e shohin si sukses të diplomacisë evropiane. Kështu u shpreh gjatë takimit ministri i Jashtëm belg Steven Vanackere. Sipas tij ministrat e jashtëm të BE-së do të vendosin më 25 tetor në Luksemburg nëse do t'ia kalojnë për shqyrtim Komisionit kërkesën për anëtarësim të paraqitur nga Serbia në dhjetor të vitit të kaluar. Një numër vendesh anëtare janë të mendimit se gatishmëria e presidentit serb Boris Tadic për bisedime me palën kosovare "nuk duhet të mbetet pa shpërblim".

Italia bllokon sërish marrëveshjen e tregtisë së lirë me Korenë e Jugut

Konkurrencë koreano-jugore për makinat italiane - Hyundai ix35.
Konkurrencë koreano-jugore për makinat italiane - Hyundai ix35.Fotografi: obs/Hyundai Motor Deutschland GmbH

Në rendin e ditës të takimit të ministrave të jashtëm ishte edhe marrëveshja për tregti të lirë me Korenë e Jugut. Për herë të dytë radhazi marrëveshja dështoi për shkak të kundërshtimit të një vendi anëtar. Italia e cila i druhet konkurrencës nga makinat koreano-jugore të cilat pas marrëveshjes do të hynin pa doganë në BE, e bllokoi sërish atë. Italia prodhon veçanërisht shumë makina të vogla dhe do të ishte shumë e prekur nga një marrëveshje e tillë. Kryetari i radhës i Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, Steven Vanackere, shpreson tani miratimin e marrëveshjes në takimin e nivelit të lartë këtë javë:

"Jam i bindur se deri të enjten do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje me Korenë e Jugut. Është në interes jo vetëm të koreano-jugorëve por edhe të qytetarëve evropianë, të arrijnë më shumë rritje dhe mirëqënie nga tregtia, dhe jam shumë i bindur se propozimet që kemi bërë janë të arsyeshme dhe mund të çojnë në një rezultat të mirë."

BE-ja shpreson që nga rënia e tarifave doganore të arrihet një rritje e volumit të tregtisë me rreth 20 miliardë euro. Nëse palët bien dakord deri të enjten, marrëveshja mund të nënshkruhet deri më 6 tetor.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama