1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministrat e Financave të Eurozonës shtojnë presionin ndaj Greqisë

Ministrat e financave të BE-së përfunduan të martën konsultimet e tyre për vendosjen e rregullave të ashpra për produktet spekulative financiare. Ministrat e Financave miratuan paketën e ndihmës për Portugalinë.

APamje nga Athina

Pamje nga Athina

Portugalia duhet të vendosë rregulla të ashpra dhe të zbatojë reformat

Në foto Jean Claude Juncker, Olli Rehn dhe Jean Claude Trichet

Në foto Jean Claude Juncker, Olli Rehn dhe Jean Claude Trichet

Ministrat e Financave të vendeve të Eurozonës vendosën përfundimisht për ndihmën emergjente prej 78 miliardësh për Portugalinë. Për marrjen e kësaj ndihme Portugalia duhet të vendosë rregulla të ashpra dhe të miratojë një program të ashpër kursimesh dhe reformash. "Është me rëndësi që qeveria portugeze të zbatojë në tërësi programin e përshtatjes posaçërisht për të rikthyer sërish aftësinë konkurruese të vendit", tha të martën në Bruksel sekretari shtetëror në ministrinë gjermane të Financave, Jörg Asmussen.

Ministrat e Financave të Eurozonës kishin vendosur për ndihmat qysh ditën e hënë. Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të BE-së thuhet se kreditë emergjente për Portugalinë u miratuan "për të siguruar stabilitetin financiar si në Eurozonë ashtu dhe në Bashkimin Evropian". Nga 78 miliardët e premtuara Fondi Monetar Ndërkombëtar merr përsipër një të tretën. Pjesa tjetër, përkatësisht nga 26 miliardë do të sigurohen nga dy fonde të tjera, ai i BE-së dhe Eurozonës. Pas Greqisë dhe Irlandës, Portugalia bëhet kështu vendi i tretë i Bashkimit Evropian që brenda një viti merr ndihma në formë kredie nga bashkësia ndërkombëtare.

Greqia duhet të ndërmarrë përpjekje të tjera për pakësimin e borxheve

Sekretari shtetëror në ministrinë gjermane të Financave Jörg Asmussen

Sekretari shtetëror në ministrinë gjermane të Financave Jörg Asmussen

Është e qartë se "Greqia duhet të ndërmarrë përpjekje të tjera për të realizuar deri në fund programin e përshtatjes", tha sekretari shtetëror në ministrinë gjermane të Financave, Jörg Asmussen. Kjo ka të bëjë veçanërisht me të ardhurat tatimore dhe privatizimin. Në këto dy fusha vërehet nevoja e qartë për përmirësim. Kjo për faktin se deri tani nuk është privatizuar në mënyrë efektive as për një euro të vetme, shtoi Asmussen. Edhe ministrja austriake e Financave Maria Fekter ashtu si një ditë më parë shprehu pakënaqësinë e saj për gjendjen në Greqi.

"Nëse i janë futur euros me dredhi atëherë tani duhet të arrijnë të bëjnë detyrat e shtëpisë."

Nuk bëhet fjalë për truke politike por për fatin e një kombi

Foto simbolike - Greqia dhe Eurozona

Foto simbolike - Greqia dhe Eurozona

Për kreditë emergjente ndërkombëtare prej 110 miliardësh edhe Greqia duhet të zbatojë programin e reformave dhe të kursimeve. Është paralajmëruar edhe shitja e pronave shtetërore në vlerë prej 50 miliardë euro. Këto vlerësime Asmussen i bazon në një raport paraprak të misionit të ekspertëve me përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili aktualisht po shqyrton në Athinë librat e kontabilitetit grek. Shqyrtimi sipas Asmussen duhet të përfundojë të mërkurën por misioni do të qëndrojë rreth një javë më gjatë në kryeqytetin grek për sqarimin e disa "pyetjeve" që kanë lindur ndërkohë.

Nga ana tjetër edhe komisioneri i BE-së për monedhën e përbashkët, Olli Rehn iu drejtua me një apel dramatik politikës greke:

"Nëse kjo funksionon në Portugali dhe Irandë atëjherë pse mos të funksionojë edhe në Greqi? Nuk bëhet fjalë për truke politike por për fatin e një kombi, për përgjegjësi themelore kombëtare të të gjitha forcave politike."


Autor: afp, Christoph Hasselbach, Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM